Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, pritet të jetë personi i radhës që do të japë shpjegime për Prokurorinë e Krimeve të Rënda lidhur me çështjen “Doshi”. Prokuroria vendosi ta thërrasë kreun e uniformave blu, pasi emri i tij u përmend në deklaratën për shtyp të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ku ndër të tjera ai theksonte, se në një nga takimet që ka pasur në zyrën e tij me deputetin Tom Doshi dhe Durim Bamin, ka qenë i pranishëm dhe kryepolici Didi.

Kështu, përballë prokurorëve, Didi duhet të japë shpjegime, se kur u informua për pretendimet e deputetit, nëse ka pasur ose jo kontakte dhe një takim me Durim Bamin, si dhe cilat ishin veprimet që kryen strukturat e policisë pas marrjes së një informacioni të tillë. Kreu i Policisë së Shtetit, duhet të shpjegojë gjithashtu për prokurorët nëse çështja është referuar në prokurori. Deri më tani, lidhur me çështjen “Doshi”, prokurorët kanë marrë dëshminë e të paktën një zyrtari dhe një ish-zyrtari të lartë të Policisë së Shtetit, si persona që kanë dijeni për rrethanat e çështjes.

Deri më tani, në kuadër të hetimit, krahas numrit të lartë të politikanëve që kanë dëshmuar për këtë çështje, prokurorët kanë administruar edhe deklarimet e të afërmve të Tom Doshit e Mark Frrokut, shoferëve të tyre personalë, dëshmitë e disa biznesmenëve të njohur në vend, si dhe atë të Fation Skënderit, i identifikuar si “Toni”, të cilin Tom Doshi e identifikon si ndërmjetësin për atentatin ndaj tij.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: