LEZHE- Zbardhet skandali i pronave në bregdetin e Lezhës. “Gazeta Shqiptare” ka mundur të sigurojë dosjen e plotë në lidhje me tjetërsimin e pronësisë së tokave në zonën “Rana e Hedhun” në Shëngjin.

Në këtë dosje jepet në mënyrë të detajuar sesi shtetasit Zef Ndue Gjini, Ndue Frrok Frroku, Frrok Mark Frroku, Gjin Frrok Frroku, Martin Ndue Frroku, Nikoll Gjergj Tinaj, Vasi Fran Gjoni, Pjetër Fran Gjoni dhe Renato Zef Malotaj përfituan padrejtësisht tokë në Malin e Shëngjinit dhe Malin e Rencit. Në dosjen e prokurorisë thuhet se nga veprimet hetimore të kryera personat e sipërpërmendur kanë tjetërsuar pronën e shtetit duke e kaluar në emër të tyre.

PËRFITUESI ZEF NDUE GJINI
Toka me sipërfaqen 13730 m2, në fshatin Mali Shëngjin, Lezhë, e regjistruar në pronësi të familjes Zef Ndue Gjini, (në tabelën e dokumentit ‘lista e familjeve që morën tokë në pronësi’), në katër dokumentet e vërtetimit, objektet e ekspertimit për këtë pronë janë lëshuar nga i njëjti person. Akti i marrjes së tokës në pronësi të familjes Gjini, me nr. regjistrimi të aktit 5594, rezulton në datën 06.09.2003. Vërtetimi për pronësinë është lëshuar më datë 27.06.2004.
Katër dokumentet e titulluara ‘Konfirmim’ për pajisjen me tokë të shtetasit Zef Ndue Gjini të lëshuara më datë 27.06.2004 (2 copë) dhe 13.11.2005 (2 copë), nga komuna Shëngjin. Katër dokumentet e titulluara ‘Vërtetim’, për marrjen në pronësi të parcelave nga familja e shtetasit e Zef Ndue Gjini, të lëshuara më datë 27.06.2004 (dy copë) dhe 13.11.2005 (dy copë), nga komuna Shëngjin objekte ekspertimi, nuk mund të konkludohet. Sipas aktit të ekspertimit nr.1534 më datë 06.02.2018, është arritur në konkluzionin se tek shkresa me nr. 295 prot, datë 10.08.2015, me lëndë ‘Dokument toke’ drejtuar Z.V.Rr.P.P. Lezhë nga komuna Shëngjin, objekt ekspertimi, nënshkrimet (firma) në emër të shtetasit Salvador Kaçaj, ndodhur tek rubrika me përmbajtje “Kryetari-Salvador Kaçaj”, nuk është nënshkrimi i shtetasit Kaçaj, krahasuar me modelet respektive të paraqitura. Nënshkrimi në emër të Kaçaj, është firma e shtetasit Eduart Leka, krahasuar me modelet respektive të paraqitura. Shenja e vulës së njomë rrethore me përmbajtje teksti “Republika e Shqipërisë-Komuna Shëngjin”, e ndodhur tek rubrika me përmbajtje “Kryetari-Salvador Kaçaj”, në dokumentin e sipërcituar objekt ekspertimi dhe shenjat e vulës së njomë rrethore me të njëjtën përmbajtje teksti, të komunës Shëngjin, modele krahasimi, janë formuar nga e njëjta klishe vule. Gjatë hetimeve është kryer edhe ekspertimi topografik, ku sipas aktit të ekspertimit topografik datë 16.02.2018 është arritur në përfundimin se pasuritë me nr.964/6, 969/2 shtrihen në ngastrën pyjore me nr. 50, e cila ka qenë dhe është pyll prodhues, “Pishë Mesdhetare”, që vazhdon në formën e qeverisjes ‘Pyll’, por në ngastër pyjore, përfshihet edhe brezi i rërës. Kështu pasuria nr. 969/2 ndodhet e tëra mbi brezin ranor, ndërsa pasuria nr. 964/6 në pjesën më të madhe të saj është ‘Pyll Prodhues’, edhe në pjesën në drejtim të detit, është ranore, brezi i plazhit.

PËRFITUESI NDUE FRROK FRROKU
Pasuritë me nr. 558/2, 551/2 dhe 552/A (e pa regjistruar në Z.V.Rr.P.P Lezhë, shtrihen në ngastrën pyjore me nr.62, e cila përbëhet nga një pyll prodhues, një pjesë pyll mbrojtës. Sipërfaqet e pasurive me nr. 558/2, 551/2 dhe 552/A, shtrihen në brezin ranor të plazhit tek vendi i quajtur “Rëra e Hedhun”, sipërfaqe kjo e cilësuar që prej vitit 1985 e deri më sot. Gjatë hetimeve ka rezultuar se sipas shkresës nr.7421 prot, datë 16.08.2017, bashkia Lezhë ka dërguar në Z.V.Rr.P.P Lezhë edhe praktikën e regjistrimit të pasurive në emër të shtetasit Ndue Frrok Frroku. Praktikë e cila në Z.V.Rr.P.P Lezhë është regjistruar me nr. 6894, datë 16.08.2017. Më datë 17.08.2017, shtetasi Ndue Frrok Frroku, ka aplikuar për regjistrimin e pasurive me nr. 938/4/A, 552/2 dhe 959/1. Në vijim të kësaj praktike regjistrimi, nga ana e Z.V.Rr.P.P Lezhë, me shkresë nr 6894/1 prot, datë 18.08.2017, i është kërkuar bashkisë Lezhë konfirmim i dokumentacionit të paraqitur prej saj për rastin konkret, pasi gjatë procesit të shqyrtimit të dokumentacionit për regjistrimin është evidentuar se AMTP me nr.9275, datë 16.06.2002, në emër të Ndue Frrokut nuk është administruar më parë nga kjo zyrë. Po ashtu nga shqyrtimi i dokumentacionit ka rezultuar se pasuria me nr. 938/4-D, është pasuri e llojit ‘pyll’, pasuria nr.552/2 është tokë ranishte dhe pasuria nr 951/1 është tokë arë me pronar ‘shtet’. Në përgjigje të kërkesës për konfirmim të Z.V.Rr.P.P Lezhë, nga bashkia Lezhë, me shkresë nr. 7421/2 prot, datë 21.08.2017, e nënshkruar dhe vulosur nga kryetari i bashkisë Fran Frrokaj, është konfirmuar së lloji i pasurisë nr. 938/4 dhe 552/2, është tokë arë. Po ashtu bashkëlidhur kësaj shkrese, Z.V.Rr.P.P Lezhë i është dërguar kopje e vendimit me nr.2/1, datë 27.05.2002, i firmosur dhe nënshkruar nga kryetari i komisionit të tokës, në qarkun Lezhë, Luigj Isufi, ku sipas së cilës, konfirmohet pajisja me tokë e familjeve të fshatit Ishull/Shëngjin në fshatin Mali i Rencit. Më tej në këtë informacion evidentohet se norma për frymë në fshatin Mali i Rencit dhe fshatin Ishull Shëngjin, është 3300 m2, pasi kjo tokë nuk ka sistem vaditje dhe kjo familje është trajtuar me tokë nga komisioni i tokës, në zbatim te V.K.M. nr. 255, datë 02.08.1991, pika 5, duke konvertuar tokën nën ujë dhe mbi ujë, me koeficientin nga1 në 1.5, deri në 2 dynym për frymë. Lidhur me kërkesën e shtetasit Ndue Frroku. Për regjistrimin e pasurisë mbi bazën e dokumentacionit të ardhur nga Bashkia Lezhë, me shkresën nr. 6894/2 prot, datë 18.08.2017 i është drejtuar me kërkesë për konfirmim Këshillit të Qarkut Lezhë. Në këtë shkresë evidentohet se pas verifikimeve të dokumentacionit dhe kartelës përkatëse të pasurisë në ZVRP Lezhë, kjo pasuri është e regjistruar ‘pyll’. Në këto rrethana ZVRPP lezhë, i ka kërkuar Këshillit të Qarkut Lezhë, të konfirmojë gjëndjen juridike të datës 01.08.1991, të llojit të pasurisë n. 938/4, të zonës kadastrale nr 2568, nr 552/2, të zonës kadastrale nr 2569. Këshilli i Qarkut Lezhë, me shkresë nr 871/1 prt, datë 21.08.2017, të nënshkruar dhe vulosur nga kryetari Gjok Ndoka, i ka kthyer përgjigje Z.V.Rr.P.P Lezhë, ku ndër të tjera ka evidentuar se parcela nr 938/4, fshati Mali i Rencit, është me zërin kadastral ‘tokë pemtore’. Ndërsa për pasurinë nr 552/2 nuk ka kthyer përgjigje. Kjo shkresë është protokolluar me nr 7007 prot, datë 22.08.2017. -Pasuria me nr 938/23, e regjistruar në volum 6 faqe 151, ZK 2568, nga pasuria ‘Shtet’, është regjistruar në emër të shtetasit Ndue Frrok Frroku, me një sipërfaqe prej 17601 m2, me llojin e pasurisë ‘arë’.Nga verifikimi i praktikës dhe konkretisht të shkresës së dërguar nga bashkia Lezhë për konfirmim të zërit kadastral, rezulton se në shkresën e mbajtur nga bashkia Lezhë është e shënuar si konceptuese e kësaj shkrese shtetasja Juxhina Mema, si dhe nënshkruar e vulosur nga kryetari Fran Frrokaj. Pas administrimit të shkresave për konfirmimin e zërit kadastral të dërguara nga bashkia Lezhë dhe Këshilli i Qarkut Lezhë, nga ana e ZVRPP Lezhë, me urdhër të regjistruesit Artan Djala, është miratuar urdhri për ndarjen e pasurisë nr 938/21, dhe më pas është nxjerrë urdhri për korrigjimin e pasurisë nr 938/23 nga ‘pyll’ në ‘arë’ në emër të shtetasit Ndue Frrok Frroku. Pastaj është nxjerrë urdhri për regjistrimin e pasurisë 938/23 në emër të shtetasi Ndue Frrok Frroku. Gjithashtu, është nxjerrë dhe një urdhër për regjistrimin e pasurisë nr 959/1 në emër të shtetasit Frroku. Këta urdhra janë nxjerrë nga regjistruesi Artan Djala dhe nënshkruar nga ana e tij. Kërkesa për regjistrim nga shtetasi Ndue Frroku është pranuar nga juristi Ermando Jakaj, hartografi Enkelejd Zefi si dhe në fund janë hedhur në kartelën e pasurisë. Më pas nga shtetasi Ndue Frroku janë kryer veprime juridike të ndryshme për kalimin e pronësisë së pasurive të të mësipërme shtetasve të tjerë.
http://www.gsh.al/2018/03/21/dosja-e-plote-skandali-i-pronave-ne-lezhe-ja-si-u-tjetersuan-dhjetera-hektare-toke-te-shtetit/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: