NGA Prof. asoc. dr. Anila Mullahi

Kasëm Trebeshina filloi të shkruajë herët, që në 1951. Kemi një sërë poezish të tij të botuara në gazetën “Letrari ri” si dhe një sërë dramash “Heronjtë” në ’52 dhe “Shtrojnë malet” në ’53. Gjatë vitit 1953, në “Letërsia jonë”, organi i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, në numrin 3, 5, 6, etj, u botuan nga Trebeshina, një sërë poezish, dhe në nr. 10 u botua një dramë me 5 akte, “Kruja e çliruar”. Botimet e krijimeve të tij në periodikët kryesorë letrarë të kohës, (prozë dhe poezi), tregojnë se kemi të bëjmë me një shkrimtar prodhimtar që ka nisur të njihet në radhët e shkrimtarëve dhe lexuesve.

Trebeshina filloi të shkruante në një periudhë kohe kur goditjet e herëpashershme ndaj letërsisë dhe shkrimtarëve kishin ndikuar negativisht dukshëm në cilësinë e letërsisë, por kjo shfajësohej nëpërmjet argumenteve si “letërsia është çështje shtetërore”. Në një mbledhje të organizuar në Lidhje në vitin 1953, diskutimet rreth poezive të tij, ngjajnë të turpshme dhe qesharake. Dikujt nuk i pëlqen që ai bën “objekt të poezisë së tij vajzën syzezë”, si dikur Hajne, por që tashmë sipas tyre, objekte të tilla poezia e realizmit socialist i kishte tejkaluar kohë më parë.

Dikush, në mënyrë gati naive, shpreh se “nuk e kuptojnë se çfarë thotë në shkrimet e tij”, “nuk e kuptojnë aspak filozofinë e tij të të shkruarit”, dikush e akuzon për anakronizëm, sepse është i paaftë të shkruajë për temat dhe optimizmin e kohës, por sepse shkruan vargje të tilla si “mërzi në errësirë”, “s’ka jetë për mua”. Sipas bashkëkohësve të tij, në momentin kur Trebeshinës iu ndaluan botimi i përmbledhjeve me poezi, në fund të mbledhjes ai dorëzoi letrën e dorëheqjes nga Partia dhe nga Lidhja. Pikërisht në këtë kohë, mendohet se shkroi promemorien aq shumë të diskutuar në lidhje me problemet e letërsisë.

Trebeshina, bashkë me disa shkrimtarë të tjerë, do të përjashtohen në vitin 1954 nga Lidhja e Shkrimtarëve. Trebeshina u kritikua për: “qëndrim nihilist kundrejt letërsisë së realizmit socialist”
– se shprehej se niveli i ulët i letërsisë shqipe vinte nga “fryma e partisë në letërsi”.
– se ai kërkonte të shkruante një letërsi “të përjetshme”, për tema të përjetshme e “të përgjithshme”
– u kritikuan se kishte një vlerësim shumë të lartë “vetëm për letrarët e mëdhenj t’epokave të kaluara” dhe se “ata mohonte letërsinë sovjetike, klasikët e saj”.

– akuza për kozmopolitizëm është një nga më të fortat që i janë bërë shkrimtarit,
– u kritikua për pikëpamjen e tij për një art “të pa kondicionuar”, “jashtë kohës e klasave”, si dhe për përpjekjes për të “fetishizuar formën”.

Trebeshina kishte studiuar jashtë dhe e njihte mirë letërsinë klasike, duke qenë në gjendje ndërkaq të kuptonte fare mirë nivelin e ulët të letërsisë që po krijohej, dhe sado që ngrihej në piedestal, ai nuk mund të mos kuptonte se letërsisë i kishte humbur poetizmi, Ai shpesh i kishte kritikuar veprat e dobëta si “artikull gazete” apo “traktat”.

DËBIMI NGA LIDHJA
E SHKRIMTARËVE

Në mbledhjen e 24 shkurtit të vitit 1954, Kasëm Trebeshina u vendos që të dëbohej nga Lidhja e Shkrimtarëve. Në revistën letrare-artistike, shoqërore-politike “Nëntori”, të vitit 1954, për Trebeshinën i cili po vuante dënimin e parë, shkruhet:

“Partia jonë zbuloi dhe demaskoi pikëpamjet antipatriotike në letërsi të Kasëm Trebeshinës me shokë, të cilët mohonin në mënyrë të hapët realizimet dhe sukseset e letërsisë sonë të re, fetishizonin të kaluarën, shtrembëronin vlerat edukuese të klasikëve, nënçmonin rëndësinë revolucionare të realizmit socialist dhe të letërsisë sovjetike dhe përpiqeshin në këtë mënyrë të godisnin në këtë mënyrë fuqinë krijuese të popullit tonë, mundësitë dhe besimin e tij në ndërtimin e të sotmes heroike dhe të së ardhmes së lumtur. Këto pikëpamje janë shprehur edhe në veprat e tyre, disa prej të cilave janë të ngjeshura me frymë kozmopolitizmi, subjektivizmi të theksuar, megalomanie dhe narcizizmi”.

Shkrimin e plotë e lexoni në Gsh.al:

http://www.gsh.al/2017/11/21/dosja-gjyqesore-e-trebeshines-u-akuzua-per-pikepamje-armiqesore/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb