TIRANE- Administrata Tatimore reagon pas deklaratës së kryedemokratit Lulzim Basha, se në radhët e kësaj administrate janë bërë emërime politike. Duke i cilësuar shpifje deklaratat e kreut të PD, Administrata e Tatimeve sqaron se: “Basha doli me një listë të sajuar emrash, të cilët sipas tij janë emëruar në Administratën Tatimore në bazë të kërkesave të partive të koalicionit. Me siguri kryetari i PD nuk e ka marr vesh akoma se ne, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nuk kryen emërime punonjësish prej fillimit të vitit 2014. Çdokush që punësohet në këtë drejtori, kalon përmes konkurseve të Departamentit të Administratës Publike, të cilat monitorohen nga Bashkimi Europian”.

DPT-ja sqaron ndër të tjera se: Komisioni Europian nga ana e tij e vlerëson me nota shumë pozitive këtë proces dhe ndryshe nga kryetari i PD që përgojon e denigron gjithëkënd, ka shprehur vazhdimisht konsiderata të veçanta për rekrutimet në Administratën tonë, ashtu sikundër edhe FMN e Banka Botërore. Koha e politizimit të Administratës Tatimore ka marrë fund dhe përpjekja jonë drejt rritjes së profesionalizmit të kësaj administrate është e përditshme, edhe falë mbështetjes së institucioneve ndërkombëtare. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve konfirmon me përgjegjësi të plotë se shumë nga emrat e përgojuar prej zotit Basha nuk kanë asnjë lidhje me punën tonë, ndërkohë që plot nga tatimorët që sipas tij janë punësuar nga partitë, në fakt janë larguar nga puna në këtë drejtori për shkelje ligjore e administrative të llojeve të ndryshme”.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve e sheh me vend “t’i bëjë apel kryetarit të opozitës që të heqë dorë nga fjalori i rrugës dhe nga sharjet e shpifjet vulgare të cilat nuk janë në kodin etik të asnjë familjeje e qytetari normal të Republikës së Shqipërisë. Ne mirëpresim çdo kritikë nga kushdo dhe zoti Basha duhet ta bëjë detyrën e tij duke na kritikuar në emër të qytetarëve, jo duke na hedhur baltë si të ishte përfaqësues i kundërshtarëve të betuar të ligjit, të moralit qytetar dhe të normave më elementare të komunikimit njerëzor”.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb