TIRANE – “Drafti për dekriminalizimin e politikës shqiptare, i propozuar nga Partia Demokratike, po ul në nivele historike respektin e publikut për politikën”. Kështu mendon deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, i cili shkruan në rrjetin social “Facebook” se “diskutimet mbi dekriminalizimin dhe fakti se PD deklaron si kusht të panegociueshëm kryerjen e “testit të drogës”, ul nivelin e debatit politik, saqë respekti dhe vlerësimi i publikut karshi politikës po bie në nivele historike”.

SHKRIMI I PLOTE I MAJKOS NE FACEBOOK

TESTI I DROGES…
Sot lexova në gazetën “RD” të partisë më të madhe të opozitës se “dekriminalizimi” do të ketë kusht të panegociushëm kryerjen e “testit të drogës”.

Nuk e di në se ky test do të “dekriminalizojë” politikën shqiptare por një gjë është e sigurtë. Ky lloj debati po ul në nivele historike respektin e publikut për politikën. Kolegët e opozitës po japin një shfaqje ku më shumë se sa zbulimi i së vërtetës po merren me “shpalljen” e saj.
Partia Demokratike nuk po shpjegon asgjë me kërkesat e saj për “pastrimin” e politikës veç shpalljes së një “gjykimi universal” për politikën shqiptare.

Kam kohë që vërej me dhimbje se në Kuvendin e Shqipërisë nuk funksionojnë rregullat e shkruajtura. Debati në të nuk ekziston si standard i fjalës por i fyerjes.
Si rregull, qeveritë fajësohen sidomos për ekonominë kurse opozita është përgjegjëse për debatin politik me të cilin ndërton paralelisht një moral në “pritje” të vendimit të publikut në zgjedhjet e radhës.
Aktualisht, nuk di të kem parë një opozitë që të gëzojë kaq shumë fat me gabimet e qeverisë dhe anasjelltas një qeverisje kaq e favorizuar nga ky lloj opozitarizmi i cili nuk ka ekzistuar në këtë nivel as në vitin 1997. Në këtë vit të çmendur palët politike në vend kishin mundësi reale për ta futur vendin në gjakosje civile. Edhe atëherë “kriminalizimi” ishte temë e ditës. Mazhoranca akuzohej si e lidhur me “bandat” dhe kjo pati një kulm të vetin në ngjarjet e shtatorit 1998. Opozita e asaj kohe pavarësisht se pati “sukses” në demonstrimin e forcës u njollos si bartëse e dhunës dhe u “urdhërua” të kthehej në “kazermën parti”…

Partia Demokratike nuk është një parti e lehtë për tu udhëhequr. Shembulli i Edi Ramës me Partinë Socialiste aktualisht nuk vlen pasi janë dy situata të ndryshme. Ajo që ndihet aktualisht në partinë më të madhe opozitare është dëshira për tu dukur më i “egër” se të tjerët. Kjo konkurrencë e brendshme po e bën këtë parti një strukturë e cila drejtohet nga kënaqësia që jep tek njerëzit që e dëgjojnë dhe jo nga lidershipi. Mbi këtë shpjegim në Shqipëri qëndron mungesa në komunikimet e drejtpërdrejta të drejtuesve të politikës apo debatet publike të tyre. I vetmi komunikim është ai nga podiumet e konferencave të shtypit apo i studiove televizive.

Në këtë mungesë dhe vakum, Partia Demokratike po nxiton të vërtetojë se “dekriminalizimi” mund të bëhet nga jashtë sistemit të drejtësisë si një proces “teknik”. Ndryshimi i Kushtetutës së vendit shikohet si një “faturë fiskale” e këtij procesi.

Me keqardhje, të djathtës së sotme politike, dua t’i kujtoj se komunistët e së majtës dëshironin ta bënin të parët këtë metodë “pastrimi” pas vitit 1944 dhe dështuan. Ata mbetën viktimë e këtij mosrespekti ndaj ligjit të shkruajtur duke i besuar “virtytit”.

Sot, në vitin 2015, ajo që thelbësisht ndan palët e mbërthyera në këtë debat të paskrupullt është në se reforma po ndërtohet mbi një debat për interesat e politikës dhe jo të sistemit…
Unë mendoj se reforma e drejtësisë është më thelbësore se sa “dekriminalizimi”. Mjekimi dhe “gjilpëra” dallojnë. Përjashtimi i atyre që kanë gabuar dikur, nuk bën të pastër qëllimet e zuzarëve me letra të “rregullta” që i hynë politikës për të bërë para. Politika ka nevojë për prokurorë dhe gjykatës si rojtarë të ligjit më shumë se sa politikanë me “letra të rregullta”. I druhem më shumë mosdënimit se sa ridënimit moral dhe të “qetësohem” me bileta ndershmërie të “testeve” idiote.
Kjo situatë rrezikon ta kthejë çështjen e “dekriminalizimit” në një naivitet fëminor se kush e do më shumë “dekriminalizimin”(?!)… Një “lodër” që pret kundërshtimin e palës tjetër për të thënë “Ja pra e shikoni që nuk duan sepse…”

Sinqerisht, nuk besoj se testi i drogës të bën një njeri të ndershëm. Në se do të ishte kështu jam i gatshëm të propozoj që çdo të enjte para se të hymë në Kuvend të bëhet edhe testi i urinës…
Ky humor i hidhur dhe banal po zhvillohet në publik. Ai është pjesë e arsyes pse mënyra e të bërit politikë po e kthen Shqipërinë në një tokë pa ëndërra. Njerëzit largohen në emigracion edhe për arsyen e shikimit të këtij “shou” grotesk që e quajnë politikë. Sigurisht.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb