TIRANË- Ministria e Mjedisit dhe ajo e Transporteve po hartojnë një draft i cili do të ndryshojë normat e shkarkimit të gazrave të mjeteve në ajër dhe pritet të kthehet në VKM në vitin 2018, por që tani për tani ka shkaktuar një kaos tek të gjithë shqiptarët që kanë një makinë të prodhuar para vitit 2000, për arsye se u përfol që ato do të nxirren jashtë qarkullimit.

Kledi Xhaxhiu, zv.minister i ministrisë së Mjedisit, Nikolin Berzhiku, specialist tek ministria e Transporteve, Tonin Gjinaj, Kryetar i shoqatës së Autoshkollave dhe eksperti rrugor Fatmir Hasho të ftuar në emisionin “Të bësh Ekonomi” në News 24 kanë sqaruar gjithçka në lidhje me draftin, duke thënë se asnjë mjet i çfarëdolloj standardi euro, nuk del nga qarkullimi, por do të vendosin katalizatorë që minimizojnë ndotjen në ajër.

Sipas Xhaxhiut, nuk është përcaktuar ende standardi euro, nëse do të jetë “euro 4” apo “euro 5” për makinat që do të qarkullojnë në Shqipëri dhe cilat janë mjetet e tjera që do të duhet të vendosin katalizatorë për të arritur standardin e përcaktuar.

Por ajo që u kuptua është se edhe vendosja e katalizatorit do të ketë një kosto, që fillon nga 200 euro. Sipas Tonin Gjinaj, Kryetarit të shoqatës së Autoshkollave, “Një katalizator për një makinë Toyota të 2009-s, kushton 200 euro vetëm për ta ndërruar siç e ndërrojnë shqiptarët, me prerje”. Ndërsa në emision u fol që vendosja e kësaj pajisje mund të shkonte edhe në 1 mijë euro për makina më të vjetra.

Gjinaj tha më tej se, “Problemi i ndotjes është një nismë e mirë, por shqiptarët rendin shpejt drejt Europës. Edhe me këtë punën e katalizatorëve, po iu vihet laku në fyt të varfërve”.

Zv.ministri i ministrisë së Mjedisit, Kledi Xhaxhiu sqaroi se cilat do të jenë mjetet e vjetra që do përjashtohen nga penalizmi.

“Nuk është vjetërsia e makinave kriter. Mjetet e prodhura që nga dhjetori i viteve ‘70 dhe makiat e koleksioneve, pra që përmbushin standardet e BE, bëjnë përjashtim dhe nuk do të penalizohen”

Edhe eksperti rrugor Fatmir Hasho, u shpreh se viti i prodhimit të një mjeti nuk ka lidhje me nivelin e ndotjes, pasi “Ka makina të viteve ‘50 që qarkullojnë nëpër Europë, ato janë makina luksoze të kohëve të vjetra, por janë të modifikuara”,- shtoi ai.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: