NGA ERJON SKENDAJ

TIRANE
– Ndonjëherë nuk ke pse të shkosh shumë larg Tiranës për të kuptuar dhe parë në sy çfarë është varfëria ekstreme.

Disa pamje të fokusuara nga kamera e “News24” tregojnë një zonë në pjesën e sipërme të Lanabregasit, dikur fshat e sot një lagje periferike e kryeqytetit të rritur në rrugë informale.

Nga Kodër-Lanabregasi, qendra e Tiranës nuk është më shumë se 5 kilometra në vijë ajrore, por kur e shkel me këmbë kupton se janë dy botë krejt të kundërta. Njëra që zhytet në luks e tjetra që i ngjet mesjetës së errët.

Ngado të sheh syri njerëz të vuajtur në ekstrem që jeta i ka vrarë që në djep, e që jetojnë në shtëpi të ndërtuara pa kriter në shpate kodrash që rrëshqasin vazhdimisht.

Fjala rrugë figuron vetëm në premtime elektorale pasi infrastruktura urbane mungon totalisht. Një shteg që shërben si rrugëkalimi për qindra familje të vendosura pas viteve ’90, kryesisht të ardhura nga veriu, është hapur nga vetë banorët me mjete rrethanore.

Makina na lë shumë larg qëllimit tonë e prej andej marrim shpatin në këmbë duke iu ngjitur një maloreje të fortë që të çon drejt një lagjeje të veçuar lart në kodër.

Teksa ecim nëpër shtuf takojmë Pjetër Delimemaj, i cili ka 20 vite që ka lënë shtëpinë në Pukë për Tiranën, me shpresën se jeta do t’i ndryshonte për mirë një ditë.

Pas një bisede të shkurtër në këmbë, i moshuari na lutet që ta ndjekim pas për të parë shtëpinë e tij, se në ç’kushte jeton.

Pas afër gjysmë ore rrugëtimi në këmbë nëpër një malore që i merr frymën një të riu e jo më një të moshuari, i afrohemi shtëpisë përdhese e cila qëndron buzë një honi të thellë afër 10 metra që përfundon direkt e në përrua.

Pyesim Pjetrin dhe ai na shpjegon sesi gjysma e oborrit ka rrëshqitur pas shirave të ditëve të fundit, dhe të njëjtin fat rrezikon edhe shtëpia që ka nisur t’i japë shenjat e para.

E si të mos mjaftojë dhurata e hidhur e natyrës, burrë e grua 68 dhe 65 vjeç pa punë e pa pension janë përjashtuar që prej një janarit nga skema e ndihmës ekonomike, 3 mijë lekë të reja me të cilat blinin një thes miell sa për të mbyllur muajin. Arsyeja, gabim sistemi.

Herë me bukë thatë e herë me barkun bosh, 68-vjeçari detyrohet të marrë rrugën në këmbë çdo mëngjes nga Lanabregasi deri në Njësinë Bashkiake nr.1 pranë Shkollës së Baletit, pasi dikush i ka dhënë shpresë se do ta rifusin në skemë, por pa specifikuar se kur.

Nga xhepi nxjerrë disa dokumente të cilat na i tregon e që dëshmojnë se është i sëmurë kronik me zemërm si ai dhe bashkëshortja Bardham të cilën thotë se e ka dërguar tek disa të afërm pasi nuk ka me se ta ushqejë e t’i bëjë shërbim.

I kërkojmë të na tregojë shtëpinë nga brenda, ku ç’të shohim, një dhomë e vogël dy me dy, thuajse bosh, e nxirë nga tymi dhe bloza që çliron një sobë e vjetër me dru që është e vetmja orendi.

Soba përdoret për gatim, për ngrohje, si dhe për të ndriçuar natën pasi dritat i janë prerë si debitor.
Në mungesë të një krevati trupin e mplakur nga vuajtjet dhe nga sëmundja e shpin mbrëmjeve mbi një shtresë të hollë sfungjeri që e vendos direkt mbi çimenton e ftohtë.

Dhomën më të mirë thotë se ia ka falur djalit të vogël, por ky i fundit i ka vënë kyçin derës duke u larguar bashkë me të fejuarën nga frika e shembjes së shtëpisë.

Një qeveri i solli në Tiranë me premtimin për një jetë më të mirë, e të tjerat që erdhën pas i kanë braktisur njerëzit e periferisë që sot jetojnë si në një geto larg syve dhe përkujdesjes së shtetit.
Edhe pas 27 vitesh demokraci, të varfrit vijojnë të shihen nga politika vetëm si një trampolinë për të ardhur në pushtet, e kur timoni merret në dorë pak kush e kthen kokën pas për të parë sesi jetojnë të mjerët e Shqipërisë me ose pa ndihmë ekonomike.

Debati më i fundit në parlament për mijëra familje që u hoqën nga skema e ndihmës ekonomike pas aplikimit të sistemit të pikëzimit u harrua shpejt dhe se ka një javë që s’flitet më për të as nga opozita që e promovoi si kauzë të saj e aq më pak nga mazhoranca që veç liston arritje në fushën e mbrojtjes sociale. Por çudia më e madhe tre ditë zgjat, thotë një fjalë e vjetër. E kështu historia migjeniane përsëritet e përsëritet si sot e 100 vjet më parë.

Dhe ndërsa teatri parlamentar vijon të shfaqë seritë e tij në ekran çdo të enjte, familje si e Pjetrit nuk kanë forcë të ulërasin për thesin e miellit të hequr padrejtësisht.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb