Një burrë shqiptar që jeton në Southgate, Michigan mund të detyrohet të lërë gruan e tij të sëmurë dhe fëmijët sepse qeveria amerikane po e deporton, rrëfen familja e tij për mediat lokale. Flora Rranxburgaj vuan nga skleroza e shumëfishtë dhe kohët e fundit ka pësuar një goditje.

Ajo nuk mund të lihet e vetme pasi nuk mund të kujdeset për veten, por ajo ka një burrë besnik, Ded Rranxburgaj, i cili gjithmonë kujdeset për të. “Unë punoj dhe përpiqem të kujdesem për familjen time. Gruaja ime është shumë e sëmurë”, tha Ded Rranxburgaj.

Ai bën dy punë për të mbështetur familjen e tij dhe për të paguar për kujdesin mjekësor të gruas së tij. Ai dhe dy djemtë e tij, një që është në kolegj dhe një tjetër që është 14 vjeç, ndihmojnë gruan e sëmurë të bëjë gjithçka, raporton “BalkanWeb”.

Megjithatë, Ded Rranxburgaj kohët e fundit shkoi në një takim me zyrtarët e emigracionit, dhe djali i tij thotë se ata i dhanë lajme të tmerrshme.

“Ata i kishin thënë ‘Ti duhet të largohesh për tre muaj”, tha Eric Rranxburgaj, djali 14-vjeçar i çiftit.

Zyrtarët e emigracionit thonë se Flora Rranxburgaj do të lejohet të qëndrojë në Shtetet e Bashkuara për momentin, sepse ajo është shumë e sëmurë për të udhëtuar, por Ded Rranxburgaj është urdhëruar të bëjë plane për të ikur në janar.

“Ai pritet të lërë gruan e tij të vdesë e vetme dhe të lërë djalin e tij 14-vjeçar, i cili është një qytetar amerikan, i lindur dhe i rritur këtu”, tha avokati i familjes George Mann.

Çifti thotë se ata erdhën në Shtetet e Bashkuara, pasi ikën nga një qeveri komuniste në Shqipëri që nuk do t’u lejonte atyre të praktikonin besimin e tyre katolik. Ata kërkonin azil.

Pas përmirësimit të kushteve në Shqipëri, ata u refuzuan për azil, por zyrtarët i lejuan familjes të qëndronte për arsye humanitare për shkak të sklerozës së shumëfishtë të Flora Rranxburgaj.
“Unë vetëm qaj dhe qaj dhe qaj”, tha Flora Rranxburgaj. “ Burri kujdeset për mua prej shumë vitesh. Ai është një burrë i mirë, një baba i mirë “.

Avokati Mann thotë se zyrtarët ende mund të vendosin të lejojnë Ded Rranxburgajn të qëndrojë në vend. Ai shpreson që njerëzit të ndjehen të prekur nga historia e familjes dhe të arrijnë tek senatorët dhe përfaqësuesit e tyre.

“Është shumë frustruese sepse nuk di ç’të bëj nëse babai nuk është këtu”, tha Eric Rranxburgaj.
Familja thotë se po luten për ndihmë dhe shpresojnë për mëshirë.

WSFA.com Montgomery Alabama news.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb