TIRANE – Eurodeputetët Eduart Kukan dhe Knut Fleckenstein nxisin politikën shqiptare që të gjejë kompromis për reformën në drejtësi.

Duke shprehur keqardhje që propozimi hibrid i SHBA-BE nuk u pranua, eurodeputetët theksojnë se ka ende mundësi për të gjetur zgjidhje, në mënyrë që reforma të miratohet me dakordësi.

“Po ndjekim zhvillimet rreth reformës në drejtësi. E mbështesim reformën, të jetë sipas standardeve më të larta. Duhet një reformë tërësore gjyqësore. Nxisim politikën të gjejë kompromis.”- thuhet në deklaratën e përbashkët të eurodeputetëve.

Deklarata e përbashkët e Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein, anëtarë të Parlamentit Evropian, për reformën në drejtësi në Shqipëri:
“Po ndjekim zhvillimet e fundit rreth reformës në drejtësi në Shqipëri. Ne e kemi mbështetur shumë këtë reformë nga fillimi i saj dhe vazhdojmë ta mbështesim atë, duke nxitur politikën në Shqipëri që të gjejë kompromis të shëndoshë, duke kërkuar standardet më të larta të mundshme për një reformë tërësore gjyqësore.

Na vjen keq që propozimi i fundit i bashkësisë ndërkombëtare nuk është pranuar. Megjithatë, ne jemi të bindur ende se zgjidhja është brenda mundësive. Eshtë një detyrë e shtetit shqiptar për të garantuar sundimin e ligjit për qytetarët e saj dhe është përgjegjësi e liderëve politikë në Shqipëri për të miratuar një reformë të besueshme gjyqësore, e cili do të garantojë një sistem të pavarur dhe efikas të drejtësisë.

Ne mbështesim rolin e parashikuar për Operacionit Monitorues Ndërkombëtar për të mbikëqyrur të gjithë procesin e verifikimit. Përfshirja e ndërkombëtarëve do të forcojë kredibilitetin e reformës në sytë e publikut shqiptar dhe të bashkësisë ndërkombëtare dhe është në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj reforme për publikun shqiptar, për një të ardhme të begatë të vendit dhe për progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, ne jemi të gatshëm për të ndihmuar partnerët tanë politikë në Shqipëri për të arritur marrëveshjen e nevojshme për miratimin e reformës.

Ne inkurajojmë fuqimisht liderët politikë në Shqipëri të vazhdojë bisedimet e tyre në frymën e vullnetit të mirë, duke pasur parasysh qëllimin kryesor të kësaj reforme -. Krijimin e një sistemi të besueshëm, të pavarur dhe efikas të drejtësisë në Shqipëri ”
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: