TIRANE – Kryeministri Edi Rama vijon t’i qëndrojë propozimit të tij për opozitën, duke theksuar se do të miratojë çdo propozim për reformën në drejtësi, që pranohet nga SHBA dhe BE.

Në një bashkëbisedim me studentë të juridikut dhe magjistraturës, kryeministri Rama iu përgjigj edhe thirrjes së ambasadorit të SHBA-ve, Donald Lu, ku tha se opozita duhet të gjejë formulën për të qetësuar lepurin e frikës që ka në bark, dhe nëse kjo formulë merr miratimin e SHBA dhe BE, atëherë do të pranohet edhe nga maxhoranca. Ndërsa vetë ai, tha se ishte i gatshëm të takohej jo vetëm ditën, por edhe natën, nëse do ishte e nevojshme.

“Jemi përpara një situate absurde. Unë i kam bërë opozitës një propozim shumë serioz. Ne nuk kemi një formulë që e qetëson lepurin e frikës në barkun e opozitës dhe na jep ne miratimin e reformës me mbështetjen e SHBA. Opozitës i kam thënë që mendo se ndoshta e gjen, ne jemi gati, por ne nuk dimë si ta pajtojmë këtë gjë. Nuk e kemi ne lepurin, mbase nuk e kuptojmë se çfarë lloj tensionesh të brendshme krijon ai lloj lepuri që dridhet.”- deklaroi kryeministri.

“Janë bërë reforma drejtësie këtu por edhe ne mund ta bëjmë por e bëjmë për vete se BE nuk na e merr si detyrë të kryer. Dëgjova ambasadorin amerikan para pak çastesh, e mirëkuptoj plotësisht në këtë qarkull ka një moment absurd dhe absurdi të lodh. Tha të takohen, unë ndërkohë po sot thashë jo vetëm ditën, por edhe natën jam i gatshëm të takohem, mjafton që demokratët të kenë një propozim. Një propozim që të jetë i pranueshëm. Se para se të flisja, sot nga Hollanda erdhi mesazhi i opozitës se e ke propozimin në tavolinë. Por siç e dëgjuat nga ambasadori nuk pranohet nga SHBA, jo e jo nga BE. C’na duhet, ç’të bëjmë me propozimin e tyre?”, sqaroi Rama.

Sipas kryeministrit Rama, procesi i vetingut ka dhënë rezultate pozitive kudo dhe ka qenë një koncept i gjithëpranuar edhe nga qeveria dhe nga opozita shqiptare.

“Madje opozita ka kërkuar një përfshirje sa më të fortë të ndërkombëtarëve në këtë proces të vetingut. Ne besojmë që pa përfshirjen e ndërkombëtarëve në procesin e skanimit nuk ja dalim dot. Kërkesa e opozitës e bën të pamundur instrumentin e kontrollit. Ka bërë një propozim që është refuzuar jo vetëm nga ne, por nga BE dhe SHBA”- u shpreh Rama.

Para studentëve, Rama sqaroi edhe pozicionin e opozitës, sipas këndvështrimit të tij. “Kanë arsye të brendshme nga kontakti me lepurin, lepuri është në tension maksimal dhe kur frika flet zëri i saj dëgjohet më shumë se zëri i arsyes”.

PYETJE NGA STUDENTET
Studentja: Si do e reformojë reforma në drejtësi universitetin e drejtësisë?
Rama: Me ke kapur keq. Jemi fokusuar tek pjesa e zezë që duhet hequr nga rruga. Unë vetë nuk kam marrë informacione të detajuara për pjesën e Fakultetit, por mund të them një gjë të përgjithshme, në raport me brezin që studion, kjo është e lidhur në radhë të parë me reformën e arsimit të lartë.

Na shqetëson çështja e përzgjedhjes së kandidatëve për gjyqtarë e prokurorë. Dimë që do krijohen vende vakante nga vetingu, por do krijohet handikap i madh, nuk do mund të plotësojmë vendet vakante..pra, të mos krijohen hapësira që të mos futen studentë që nuk kalojnë nga magjistratura. Po them që të mos anashkalohet shkolla e magjistraturës.
Rama: Kundërshtarët e vetingut herë pas herë ngrenë argumentin ku do i gjejmë ne prokurorë dhe gjykatës të ndershëm se nga vetingu këtu mund të bëhet batërdia. Si që në Kosovë janë rrëzuar 35% e trupës…por për ne është e papranueshme të vazhdohet kështu, Kosova e bëri këtë ndryshim. Kam bindjen që në sistemin e drejtësisë ka më shumë njerëz të zotë se sa të pazotë, të gatshëm të investohen në karrierën e tyre se sa nga ata që karrierën e zgjidhin në rrugën e korrupsionit. Nëse një mollë e kalbur prish gjithë arkën, nëse disa nxënës mund të prishin orën e mësimit, në drejtësi është e provuar botërisht se sjellje të paligjshme që sjellin përfitim janë epidemike. Prandaj me këtë reformë i hapet rrugë brezit të ri, nuk bën vaki që të kthehemi tek plepat.

Çfarë parashikon strategjia e reformës, kush na jep garanci që pas filtrimit gjykata do jetë më e drejtë? Kush do ta kontrollojë reformën në praktikë?
Midis një kuvendi pleqsh tek pema e moçme e fshatit, që mblidhej dhe jepte drejtësi fshatçe dhe një gjykate të ndërtuar sipas të gjitha standardeve nga pikëpamja e infrastrukturës me banditë brenda, që me çekiç i bien në kokë njerëzve që kërkojnë drejtësi, të gjithë themi që drejtësia është ajo tek pema e fshatit. Eshtë e pamundur të imagjinosh gjëra të mira nëse nuk kurohet sëmundja në organizimin e brendshëm të njerëzve. Njerëzit nuk e korruptojnë dot një sistem që është ndërtuar në mënyrë të drejtë, ndërsa një sistem i gabuar korrupton pafund njerëz.

Eshtë reale mundësia për të patur akses të diversifikuar për studentët e magjistraturës që kanë studiuar jashtë?
Duhet të marr informacion për këtë. Sepse janë detaje me të cilat nuk jam i njohur. Janë çështje të rëndësishme, por jo çështje shumë të mëdha të reformës. Unë nuk e kam lexuar draftin e reformës. Sepse që ditën e parë e kam besuar. E kam thënë nëse duam të bëjmë reformë reale në drejtësi, ne të gjithë që jemi në politikë të bëjmë një hap mbrapa dhe t’ia u lëmë njerëzve të sistemit.
(er.nu/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb