* Ftoj Bashën të ulemi si dy shqiptarë për Shqipërinë europiane
* Rama: Reforma? PD në dimër u kap me nenin 55, në pranverë me 88, si i mbyturi pas fijes së barit

TIRANE- Kryeministri Edi Rama në një konferencë për mediat akuzoi Partinë Demokratike se nuk e ka dashur kurrë reformën në drejtësi. Rama thotë se gjatë gjithë kohës demokratët janë kapur me paragrafet si i mbyturi pas fijes së barit. Megjithatë Rama ka ftuar sërish në tryezë kreun e PD-së Lulzim Bashën, siç tha ai “për Shqipërinë europiane”.

“PD refuzoi propozimin më të fundit për kompromis për reformën në drejtësi që e bëri në enër të SHBA e BE ndihmës sekretarja e Shtetit Victoria Nuland. Nuk më vjen i papritur ky refuzim i radhës se përgjatë 1 vit e gjysmë gjatë procesit të hartimit të draftit PD i ka dhënë sinjalet se nuk e do reformën në drejtësi. Fillimisht e ka bllokuar procesin, ka hyrë e ka dalë duke futur letra pa lidhje vetëm për ta ngatërruar, ka baltosur ekspertët e nivelit të lartë, ka abuzuar pa pushim me Opinionin e Venecias duke u kapur gjatë dimrit me pargarfin 55 dhe gjatë pranverës me paragrafin 88, si i mbyturi pas fijes së barit”.

Rama tha se PD ka kundërshtuar propozimin hibrid sepse i friket proesionalizmit të ndërkombëtarëve në procesin e skanimit të gjykatësve dhe prokurorëve.

“Ka vetëm një hall: si të mos e kapë Edi Rama drejtësinë dhe ky hall zgjidhet me vendet e rezervuara. Pastaj do ta zgjidh hallin me vendet e blinduara. Kur ne e kemi pranuar edhe këtë propozim, ka marrë 48 orë kohë nga takimi me Nuland, jo për ta pranuar por për ta rrëzuar, duke nxjerrë një kundër propozim, që nxjerr në pah të vërtetën e fshehur 1 vit e gjysmë. PD nuk e ka pasur hallin tek vendet e rezervuara por ka rezerva për besueshmërinë, integritetin e partnerëve strategjikë të Shqipërisë. Nuk i do të huajt në për këmbë sepse i friket profesionalizmit të tyre në procesin e skanimi të gjykatësve dhe prokurorëve të Republikës së Shqipërisë”, tha Rama.

Kryeministri deklaroi se opozita ka dalë zbuluar para popullit dhe partnerëve ndërkombëtarë.

“E keni dëgjuar ndonjëherë PD të thotë se e ka hallin tek humbja e kontrollit mbi prokurorët e gjykatësit, me të cilët ka vrarë në Gërdec dhe bulevard? Të korruptuarve të saj nuk iu ka hyrë asnjë gjemb në këmbë. Natyrisht që nuk e keni dëgjuar. Por a keni dëgjuar të thonë që ndërkombëtarët duan të fusin hundët në punët e PD-së? Natyrisht jo, as këtë se kanë thënë kurrë.  Do vinte dita të dilnin kaq zbuluar para popullit dhe partnerëve strategjikë”, u shpreh ai.

Rama tha se opozita ka kërkuar disa herë hetime nga ndërkombëtarët, ndërsa tani do të përjashtojë ata nga procesi i vetingut.

“Po tani, tani çfarë do thonë? Mos do thonë se halli është bërë edhe më i madh se Amerika dhe Evropa do kapin drejtësinë e pavarur shqiptare? Apo do thonë që ne e duam Amerikën dhe Evropën por duam më shumë Shqipërinë sovrane. Shpresoj që ju nuk e keni harruar që sa herë ka ndodhur që PD të kërkojë hetim ndërkombëtar, madje edhe FBI-në, të vijnë këtu të zbardhin skandale të sajuara nga ata vetë. Ka kërkuar edhe hetim në Kuvend”, tha ai.

Rama më tej shtoi se, PD-ja u kujtua për sovranitetin në një kohë që është e domosdoshme flakja jashtë sistemit të drejtësisë të prokurorëve e gjyqtarëve të korruptuar, reformë kjo që sipas tij, edhe në shumë vende kandidat në BE, u mbështet nga partnerët ndërkombëtarë.

“Me këtë refuzim Partia Demokratike kërkon t’i vërë kufirin tek thana SHBA dhe Europës”.

“Shqipëria është rasti i parë që jo qeveria, por opozita bllokon procesin e reformimit të një vendi pretendent për kandidat në BE, kur në çdo vend reformat janë mbështetur nga ndërkombëtarët. Në emër të sovranitetit britanikët morën veten në qafë, kjo do të thotë se drejtësia e ndëshkon këtë popull duke e lënë jashtë BE dhe në dorë të kasapëve të drejtësisë”.

Kryeministri Rama i bëri thirrje arsyes demokrate, por edhe vetë Lulzim Bashës që të ulen sërish për gjetjen e kompromisit, me qëllim që shqiptarët të mos humbasin integrimin në BE.

“PD refuzon popullin për të mbrojtur të akuzuarit e vetë, por ka akoma kohë e mundësi, shpresa vdes e fundit, ka akoma shpresë që në PD nuk ka vdekur arsyetimi. Basha të mos udhëhiqet nga frika, ta udhëheqë PD drejt kësaj reforme histerike dhe integruese. E ftoj Bashën të ulemi sërish, të flasim si dy shqiptarë në krye të partive, të flasim në emër të shqiptarëve që e duan dhe meritojnë një Shqipëri europine të drejtë. Thirrje demokratëve të bëjnë diçka, që Shqipëria të mos kthehet në një vend ku frika e të korruptuarve të marrë pushtetin dhe të sundojë udhëkryqi duke hapur një hendek mes nesh dhe familjes evropiane”.

Dalja e Ramës për shtyp vjen pak orë pasi PD u deklarua kundër përfshirjes së ndërkombëtarëve në procesin e vetingut dhe si kundërpërgjigje për si kundërpërgjigje kanë dorëzuar një propozim të ri, përmes të cilit kërkojnë përjashtimin e ndërkombëtarëve nga vetingu.

Amerikanët‎ propozuan që të marrin ata dhe jo europianët në dorë drejtimin e Komisionit Ndërkombëtar të Vetingut, por demokratët propozojnë që SHBA dhe BE të mos kenë fuqi vendimmarrëse por vetëm rol vëzhgues në procesin e verifikimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve.

(ma.ar/m.k/d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: