TIRANE – Pas propozimit të ambasadorit Donald Lu për një tjetër takim mes kryeministrit dhe liderit të opozitës, shefi i qeverisë Edi Rama i ka dërguar një letër zotit Basha, ku i bën thirrje për reflektim serioz për miratimin e reformës në drejtësi. Kryedemokrati i përgjigjet menjëherë dhe thotë se negociatorët e PD janë gati që sot t’i rikthehen tryezës së dialogut.

Sipas kryeministrit Rama, “nxjerrja si pengesë e fundit për votimin e reformës, e shkeljes së sovranitetit tonë kushtetues për shkak të mënyrës së përfshirjes së ndërkombëtareve në procesin e vetingut, është vërtet e tepërt dhe plotësisht vetëndëshkuese; jo thjesht e vetëm për Partinë Demokratike, po për të gjithë pa përjashtim dhe për Shqipërinë në radhë të parë”.

Kryeministri Rama thekson sërish se është i gatshëm të mbështesë çdo propozim të opozitës për reformën në drejtësi, mjafton që të jetë i pranueshëm për aleatët tanë strategjike, SHBA/BE.

“Jam gati të mbështes pa asnjë vërejtje, çdo propozim që Ju do të bëni, për ta kaluar me sukses këtë reformë jetike e për ta shpëtuar vendin nga njollosja e pashmangshme dhe rreziku real i regresit demokratik në rast dështimi. Natyrisht, çdo propozim duhet të jetë i pranueshëm për aleatët tanë strategjike, SHBA/BE. E ndërkohë që propozimin Tuaj të fundit ata e kanë rrëzuar edhe publikisht, mbetem me padurim në pritje të një reagimi konstruktiv nga ana Juaj. Koha nuk pret, sfida është historike”- shkruan Rama.

LETRA E PLOTE E KRYEMINISTRIT RAMA
I nderuar kryetar i Partisë Demokratike,
I dashur Lulëzim,
Dje ambasadori Lu bëri propozimin e çuditshëm që Ju dhe unë të mbyllemi përjetë në një dhomë(!), për të prodhuar zgjidhjen e shumëpritur nga populli shqiptar e nga miqtë e mëdhenj të këtij vendi dhe aq të domosdoshme për të çelur rrugën e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Një propozim i tillë e shpreh qartë, përmasën e pazakonshme të frustrimit të aleatit tonë strategjik, SHBA, në kushtet e ngërçit ku ndodhet procesi, teksa ora e të vërtetës po afron. Por po ashtu, ky propozim nxjerr në pah më shumë se njëqind deklarata zyrtare, se çfarë rëndësie madhore ka për Shtetet e Bashkuara, kjo reformë në drejtësi në një vend aleat si Shqipëria; ku askush nuk do të donte të përballej nesër me regresin shqetësues që mosvotimi i reformës do të sillte në disa plane themelore.
Më anë tjetër, i dërguari i qeverisë gjermane, foli dje me një qartësi krejt “jodiplomatike”, jo vetëm për peshën e madhe që Gjermania i jep Reformës në Drejtësi për vlerësimin e mëtejshëm të Shqipërisë, po edhe për frustrimin e partnerit tonë të madh europian, përballë shfaqjes së dhënë deri më tash nga opozita. Eksperienca ime po besoj edhe e Juaja, nuk e njeh një rast të ngjashëm, kur një diplomat, i ardhur posaçërisht për një çështje politike në Tiranë, të flasë në emër të një qeverie (e të kujt qeverie se!) dhe të kritikojë pa asnjë rezervë opozitën.
I sjell këto në vëmendjen Tuaj për t’Ju bërë një thirrje të sinqertë, publike, për një reflektim shumë serioz në kuptimin më të mirë të fjalës.
Nuk do të ndodhte kurrë që bota demokratike të shënjestronte opozitën këtu, në vendin tonë të vogël, përmes zërave më autoritarë të saj, nëse rëndësia e Reformës në Drejtësi nuk do të ishte e jashtëzakonshme dhe jo vetëm për Shqipërinë në vetvete, po edhe për Shqipërinë si një vend aktualisht joproblematik i Ballkanit Perëndimor. S’ka hije dyshimi për mua, se ky angazhim i paprecedent i partnerëve tanë në këtë proces, është edhe një çështje e forcimit të mëtejshëm të ligjshmërisë në Shqipëri, si një element që rrit qendrueshmërinë demokratike të shtetit tonë në funksion të rritjes së sigurisë së vendit e të vetë rajonit ku jetojmë.
Duket qartë që rrjedha e deritanishme e procesit po i bie ndesh, në një formë haptazi të papranueshme për ta, jo thjesht dëshirës së partnerëve tanë më të mëdhenj, për ta parë Shqipërinë të hedhë me kurajo një hap kaq të rëndësishëm përpara, po edhe objektivit të tyre për ta nxitur më tutje procesin e afrimit të Ballkanit Perëndimor me BE-në, përmes çeljes së negociatave me Shqipërinë. Këtë të fundit e ka konfirmuar si vullnet të plotë dhe më shumë se në një rast, vetë kancelarja gjermane me të cilën biseduam gjerë e gjatë për perspektivën e Shqipërisë, edhe pak ditë më parë në Varshavë.
Çka rrezikojmë të humbasim në shumë drejtime si vend dhe si popull, nëse nuk e kalojmë Reformën në Drejtësi, është vërtet jashtëzakonisht shumë! Dhe nxjerrja si pengesë e fundit për votimin e reformës, e shkeljes së sovranitetit tonë kushtetues për shkak të mënyrës së përfshirjes së ndërkombëtareve në procesin e vetingut, është vërtet e tepërt dhe plotësisht vetëndëshkuese; jo thjesht e vetëm për Partinë Demokratike, po për të gjithë pa përjashtim dhe për Shqipërinë në radhë të parë.
Ne nuk duhet ta lejojmë kurrësesi që Shqipëria të turpërohet botërisht, si vendi ku Kuvendi nuk kaloi reformën në drejtësi sepse deputetët nuk donin përfshirjen reale të partnerëve të vendit tonë, në procesin e pastrimit të sistemit të drejtësisë nga gjykatësit e prokurorët e korruptuar! Kjo është një nga ato njolla që nuk hiqen për një kohë shumë të gjatë ndërkombëtarisht dhe që kushtëzojnë cilësinë e marrëdhënieve më të rëndësishme ndërkombëtare të vendit.
Si mund t’ia bëjmë ne këtë vendit tonë, njerëzve tanë, fëmijëve të këtij vendi?!
Duke Ju uruar gëzuar ditëlindjen e vajzës Suaj, dua të nënvizoj këtu në fund, se jam gati të mbështes pa asnjë vërejtje, çdo propozim që Ju do të bëni, për ta kaluar me sukses këtë reformë jetike e për ta shpëtuar vendin nga njollosja e pashmangshme dhe rreziku real i regresit demokratik në rast dështimi. Natyrisht, çdo propozim duhet të jetë i pranueshëm për aleatët tanë strategjike, SHBA/BE. E ndërkohë që propozimin Tuaj të fundit ata e kanë rrëzuar edhe publikisht, mbetem me padurim në pritje të një reagimi konstruktiv nga ana Juaj.
Koha nuk pret, sfida është historike.
Shumë sinqerisht,
Edi Rama

REAGON BASHA: RAMA LERI SHFAQJET PUBLIKE, NEGOCIATORET E PD GATI QE SOT
Reagimi i kryedemokratit Basha ishte i menjëhershëm. Ai e ftoi Ramën të lërë shfaqjet publike dhe manovrat politike, por të autorizoje negociatorët e PS t’i rikthehen negociatave. Basha shtoi se negociatorët e PD janë të gtashëm që sot.

“Zoti Rama, Leri letrat e hapura dhe shfaqjet publike. Reforma ne drejtesi kerkon seriozitet dhe impenjim, jo tallje e as manovra politike. Propozimi yne bazohet 100% tek rekomandimet e Venecias te cilat PD dhe PS i kane pranuar si udherrefyesin e vetem. Autorizo negociatoret e PS ti rikthehen negociatave per zgjidhje. Negociatoret e PD jane, sic e dini, te gatshem qe sot”

DONALD LU:  “BASHA E RAMA TË TAKOHEN TË HËNËN, TË GJEJNË ZGJIDHJE, OSE TË MBYLLEN ATY PËRJETË”
Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Donald Lu, ftoi sërish dje kryeministrin, Edi Rama dhe liderin e opozitës, Lulzim Basha për të gjetur kompromisin për reformën në drejtësi. Lu ka propozuar një takim të radhës mes tyre ditën e hënë, nga ku sipas tij, dy liderët e politikës duhet të mos dalin derisa ta gjejnë akordin.

“Për një gjë biem dakord, jemi të lodhur nga debatet. Propozoj një zgjidhje të thjeshtë. E sfidoj kryeministrin dhe kreun e opozitës që të takohen ballë për ballë të hënën dhe të premtojnë publikisht se nuk do të largohen nga salla e takimit deri sa të kenë një zgjidhje për çështjen e fundit të kësaj reforme. Le të shohim se kush është me të vërtetë në favor të mbështetjes së një kompromisi. Kjo do ta zgjidhë problemin në njërën prej dy mënyrave. Ata ose do të gjejnë një zgjidhje që mund të mbështetet si nga qeveria, ashtu edhe nga opozita. Ose, mund të mbyllen brenda asaj salle takimi së bashku, përjetë”, – u shpreh Lu në një dalje publike, ku dhe rezervoi kritika të ashpra si ndaj Bashës ashtu edhe ndaj Ramës.

“Mendoj se ka një gjë për të cilën biem dakord. Të gjithë jemi të acaruar dhe të lodhur me udhëheqësit politikë të Shqipërisë. Sot (dje), Z.Basha tha se opozita kishte vendosur mbi tavolinë një propozim të vlefshëm. I thashë z.Basha se propozimi i tij ishte i papranueshëm nga Shtetet e Bashkuara dhe se tregon që ka thyer zotimin e tij ditën e dielë ndaj Ambasadores Nuland. Gjithashtu, Z.Rama njoftoi se ai u ka dhënë fund negociatave me opozitën dhe se do të pranonte çdo kërkesë të opozitës që miratohet nga BE dhe SHBA. Unë e refuzoj edhe këtë rol”, – u shpreh Lu.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: