NGA MENTOR KIKIA
Plaga është mahisur keq dhe të gjithë janë duke e vënë gishtin fort mbi të. Drejtësia
është bërë kryefjala e gjithçkaje sot. Sistemi sot është i kalbëzyer nga korrupsioni dhe për pasojë është fajtor edhe për kalbëzimin e mekanizmave të tjerë të shtetit dhe pushtetit, po nga korrupsioni. Askush nuk i di përmasat reale të së paligjshmes, por ajo na përplaset në surrat të tërëve kur shikojmë se si asnjë zyrtar i lartë nuk është ndëshkuar për korrupsion. Përjashtuar ndonjë kryetar komune të kamur e të kapur rastësisht, i cili i shkon në dorë gjykatësit mu si ndonjë lotari milionere, të tjerët bëhen gjithnjë e më imunë, sa më shumë imuniteti hiqet ligjërisht. Paligjshmëria na përplaset në fytyrë edhe kur ndodh ndonjë krim i rëndë dhe atëherë ne mësojmë se krimineli kishte qenë arrestuar edhe për vrasje, edhe për trafik, edhe për grabitje, por e kanë liruar sa herë u ka shkuar në derë. Këtu nuk do të bëjmë asnjë përpjekje për të sjellë dëshmi të degradimit të këtij pushteti, pasi është një punë tashmë e konsumuar, por të alarmit që tashmë po bie në të gjitha drejtimet dhe një lloj “dembelizmi” të paprecedentë të ligjvënësve tanë për t’u marrë me këtë çështje, pra me reformimin e sistemit të drejtësisë.

E nisur me shumë bujë, zgjedhjet vendore e larguan disi vëmendjen prej saj. Ekspertët janë duke organizuar një tur konsultimesh për reformën universitare, kryesisht në qytet, ku më shumë kujdesen për të ftuar ambasadorët, të cilët përsërisin deklaratat e tyre për shkallën e lartë të korrupsionit në drejtësi dhe nevojën e hartimit të reformës.

Duket sikur, më shumë se një nevojë e jona, reformimi po merr natyrën e një detyrimi që duhet përmbushur për shkak të kërkesave që vijnë nga BE-ja. Megjithatë, këto kërkesa duhen përshëndetur, pasi duket se janë një shtysë e fortë. Kancelarja gjermane e theksoi fuqishëm se reforma në drejtësi është një nga kushtet më të forta për vazhdimësinë e procesit të integrimit. Ambasadorja Vlahutin, duket se ishte shumë e dëshiruar të dëgjonte për reformën në drejtësi, saqë nxitoi të uronte opozitën ditën e enjte vetëm pse deklaroi në parlament gatishmërinë për t’iu bashkuar reformës, edhe pse palët nuk u morën vesh për asgjë. Megjithatë, kryeministri Rama ka siguruar se reforma do të jetë gati në vjeshtë.
Por çfarë do të sjellë reforma? Ajo do të jetë një paketë ligjore që do të ndryshojë shumë praktika që lidhen me emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, kontrollin e tyre dhe funksionimin e KLD-së si institucioni “qeverisës” i drejtësisë. Opozita këtë e ka cilësuar si përpjekje për të marrë kontrollin mbi sistemin e drejtësisë nga mazhoranca. Frika e opozitës nuk është e pabazë, pasi të gjitha partitë që kanë marrë pushtetin, kanë bërë “reformimin” e drejtësisë, i cili gjithmonë ka nënkuptuar vënien e tij nën kontroll. Por opozita gjeti si rrugë të mos merrte pjesë fare në komision për këtë arsye. Në përgjithësi reforma, në çdo sektor, ka nënkuptuar thjesht ndërrimin e drejtuesve, por në drejtësi kjo ka qenë më e dukshme dhe me pasoja më dramatike, pasi aty gjejnë prehje pastaj zyrtarët e korruptuar, të cilët, kur i akuzon, e kanë në majë të gjuhës përgjigjen: Po pate fakte, shko në prokurori.

Në të tilla kushte, kur drejtësia realisht është duke mbajtur peng vendin, duke qenë përgjegjëse mbi të gjitha për mosndëshkimin e korrupsionit në të gjitha nivelet, reforma nuk duhet të jetë një ligj apo një paketë ligjesh që të sigurojë thjesht ndryshimin e formës së strukturës së drejtësisë. Reforma duket të ketë si qëllim parësor jo shkarkimin e disa njerëzve me të cilët qeveria nuk merret vesh, por shkatërrimin e ca mekanizmave që janë krijuar brenda strukturës prokurori-gjykatë-avokati. Vetëm ndërtimi dhe mënyra se si funksionon shërbimi i avokatisë krijon hapësira për abuzime të paprecedenta me drejtësinë, duke prodhuar edhe raste si ai i Dritan Dajtit që mbajti peng 5 vjet gjyqin e tij, derisa një gjykatës i shkallës së parë e dënoi me kokëfortësi, e Apeli nuk vonoi ta rikthejë çështjen për shkelje ligjore, pasi i pandehuri nuk mund të dënohej pa u mbrojtur. Ose gjyqi i një dëshmie trashëgimie në Tiranë, që këtë dhjetor mbush 5 vjet që zvarritet nga gjykata në gjykatë.

Korrupsioni brenda këtyre strukturave nuk është më thjesht korrupsion, por ka marrë trajtën e një organizate kriminale brenda shtetit. Dhe kjo organizatë, është lidhur me politikën dhe biznesin duke formuar një aliazh mafioz të padepërtueshëm. Nuk bëjmë asnjë teprim këtu. Jemi para një rrethi të mbyllur. Biznesi dhe politika janë bërë thuajse një ose funksionojnë si të tillë, ndërsa drejtësia e korruptuar përdoret për të mbrojtur ata që “duhen” dhe për të shkatërruar ata që nuk “duhen”.
Prandaj, reforma duhet të prodhojë mekanizma përmes të cilëve të bëhet përzgjedhja e njerëzve që do të punojnë në drejtësi. Jo thjesht mbi bazën e mesatares dhe, akoma më keq, mbi bazën e lidhjeve me politikën apo paranë. Por përveçse të aftë, të jenë edhe njerëz me integritet, kurajë e guxim për t’u përballur me krimin. Reforma duhet të prodhojë mekanizma të ndëshkimit të shpejtë dhe efikas të korrupsionit brenda radhëve të drejtësisë.

Shoqëria jonë nuk vuan nga skamja aq sa vuan nga mungesa e shpresës. dhe mungesa e shpresës buron më së shumti nga fakti se ne përballemi me korrupsionin dhe padrejtësinë në çdo hap që bëjmë dhe në çdo nevojë që kemi. Ndaj, reforma nuk duhet të shënojë si arritje heqjen e Gjinëve të PD-së dhe vendosjen e Gjinëve të PS-së, por shkatërrimin e sistemit mafiozo-politik që kontrollon drejtësinë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: