TIRANË- Presidenti Ilir Meta ka reaguar sot për herë të parë në lidhje me vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

Nga Cërriku ku ndodhet në Panairin e Agrobiznesit dhe Artizanatit, i pyetur nga gazetarët, Presidenti i Republikës tha se drejtësia duhet të veprojë e pavarur.
“Drejtësia të veprojë e pavarur dhe sipas ligjeve të shtetit të së drejtës”, komentoi Presidenti Meta.

Dy ditë më parë Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për ish-ministrin Saimir Tahiri, ndonëse prokuroria kërkoi arrest me burg. Pas vendimit të Gjykatës, kryeministri Edi Rama reagoi me një deklaratë të shkurtër ku kërkoi që vendimi të “respektohet si një e drejtë e organeve të drejtësisë, të cilat i detyrohen vendit e botës një proces të pavarur, transparent e me integritet të plotë kushtetues e profesional, duke garantuar drejtësi jashtë çdo influence politike, mediatike a diplomatike”.

Nga ana tjetër kreu i PD-së Lulzim Basha tha se Tahiri duhet të ishte në qeli dhe se vendimi i gjykatës nuk është vendim i drejtësisë, por vendim politik i Edi Ramës.

Edhe ambasadori amerikan Donald Lu përshëndeti vendimin duke u shprehur se vendimi i gjykatës për të vendosur Saimir Tahirin në arrest shtëpie është një shenjë se kjo çështje e rëndësishme korrupsioni do të vendoset në mënyrë të drejtë dhe transparente në gjykata. Ambasadori deklaroi se pandëshkueshmëria ka marrë fund për bosët e krimit në këtë vend.

Por ndryshe ka reaguar ambasada e BE-së për vendimin e gjykatës për ish-ministrin Tahiri, e cila rikujtonte se prezumimi i pafajësisë është një element themelor i së drejtës për një procedurë të drejtë gjyqësore.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb