TIRANE- Janë publikuar listat paraprake të fituesve për në universitet, por disa maturantë shprehen të pakënaqur. Ata thonë se sistemi i ka përjashtuar, ndonëse kanë një mesatare të lartë. Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Rezana Vrapi, në rubrikën “Opinion” në “News24”, sqaroi ecurinë e deritanishme të procesit, si dhe ka shpjeguar hapat e mëtejshme që duhet të ndiqen nga maturantët.

Vrapi thotë se tani në raundin e dytë maturantët mund të bëjnë një rirenditje të degëve që dëshirojnë.

Janë publikuar listat paraprake të fituesve për në universitet, por disa maturantë shprehen të pakënaqur. Ata thonë se sistemi i ka përjashtuar, ndonëse kanë një mesatare të lartë. ..
Vendosja e kritereve i takonte universiteteve, dhe ato i kanë bërë publike këto kritere. I janë bërë të qartë edhe vetë maturantëve. Përzgjedhja e lëndëve në AKP, bëhet tek A1, dhe aplikimi me A1 ka filluar pas datës 10 mars, deri në atë datë ne kemi bërë përpjekje për informimin për këto ndryshime. Përllogaritja e pikëve bëhet një pjesë nga AKP dhe një pjesë nga universitetet. Notat janë hedhur nga çdo mësues në sistem. Gjithë ky sistem i plotësuar është transparent.

Maturantët thonë se kemi mësuar lëndë që nuk na kanë hyrë në punë?
Maturantët kanë qenë të informuar, kriteret kanë qenë publike. Nuk e di vetë ata duhet të ishin treguar të vëmendshëm dhe të kishin lexuar për kriteret. Ka patur grupe informimi në çdo gjimnaz. Janë dhënë udhëzime pranë çdo zyre arsimore, apo drejtori shkolle, për të dhënë informacionet e nevojshme. Edhe vetë maturantët duhet të jenë shumë kërkues në mjaft gjëra. Edhe aplikimet që kanë bërë me A1Z kanë qenë të tilla, kanë neglizhuar datat.

Rama tha se janë 21 mijë kuota nga universitetet publike. Vendet e para janë për maturantët e ekselencës. Çfarë do të bëhet me këta që protestojnë para kryeministrisë?
Është përmbyllur faza e parë e aplikimeve. Ishin vetëm lista paraprake, deri sot ata kanë pasur të drejtën e ankimimit për pretendimet e tyre. Nga data 13 deri në 20 shtator, çdo aplikant që dëshiron të ndjekë studimet në një nga programet ku është shpallur fitues, duhet të regjistrohet. Regjistrimi bëhet në sekretaritë e universiteteve.

Nëse dikush ka fituar një dege, por pret preferencën e lartë si vepron?
Faza e parë mbaron këtu. Duhet të aplikojë sërish, dhe të bëjë përzgjedhjen. Nëse nuk regjistrohet tek njëra nga degët ku ka fituar, humbet të drejtën për atë degë. Duhet të riaplikojë sërish në 10 degë. Ata që janë regjistruar tashmë nuk mund t’ia heqë askush të drejtën.

A është sistemi i duhur?
Sistemi është i duhuri. Nëse ti nuk shkon të regjistrohen me dokumente, sistemi të ç’regjistron automatikisht. Pasi studenti nuk shpreh vullnetin për t’u regjistruar, dhe i zë vendin dikujt. Ndryshe nga sistemi i mëparshëm ku mbeteshin kuota bosh, ky sistem e shmang këtë. Do të ketë një tjetër vendim për kuotat shtesë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb