TIRANE- Nga zjarri në bibliotekë nuk janë prekur botime të rralla. Kjo ka qenë deklarata e Drejtoreshës së Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani. E ftuar në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa në “News24”, Asllani dha sqarim në lidhje me zjarrin në katin e parë, ndërsa u shpreh se pritet raporti zyrtar për shkaqet dhe dëmet e shkaktuara dhe nuk duhet të hamendësohet.

“Presim raportin zyrtar për shkaqet dhe nuk duhet të hamendësojmë. Dua të sqaroj se stivosja e librave pranë llambave është në bazë të kushteve të hapësirës. Nuk është stivosja e librit që shkakton zjarrin”- tha Persida Asllani.

Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare ka folur dhe për momentin e parë kur mori vesh se ka rënë zjarr, ndërsa u shpreh se rrjeti elektrik nuk është i amortizuar.

“Ishte ditë e zakonshëm pune. Dëgjuam sinjalin e alarmit. Falënderojmë lexuesit të cilët na mirëkuptuan dhe dolën jashtë. Ne evakuuam ekipin e bibliotekës. Ishim të qetë që nuk kishim dëmtime tek njerëzit. Është kati i parë në fakt i Bibliotekës. Rrjeti elektrik nuk është i amortizuar. Konstatimi i zjarrit ka ardhur nga punonjësit e fondit. Pas kësaj edhe specialistët e IT u munduan të sigurojnë serverët e Bibliotekës. Falënderoj policinë dhe zjarrfikëset. Po t’i kishim hapësirat brenda standardeve në Bibliotekë nuk do të ishte djegur asnjë fletë letër”, – tha Asllani.

Ndërkohë e pyetur nëse ka një rezyme paraprake për dëmet dhe nëse janë prekur botime të rralla, Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare u shpreh se: “Ka një rezyme në tavolinë. Ne gjykojmë se disa koleksione të shtypit të viteve 60 janë dëmtuar, por nuk mund të japim një informacion nëse bëhet fjalë për dëmtim të pjesshëm apo të plotë. Por ato janë të zëvendësueshme. Gjatë këtyre ditëve kemi marrë telefonata nga botues që na thonë se do na ndihmojmë për të rikuperuar dëmet”.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: