Skënderbeu është duke përgatitur terrenin e nevojshëm për ndeshjen e radhës në Europa Ligë kundër Dinamos së Zagrebit. Gjithçka po shkon mbarë dhe duket se trajneri Ilir Daja ka një ekip të plotë, çka i jep shanse që të zbresë më të mirët në fushë. Lajmet e mira vijnë edhe nga prurjet e reja.

Pas Ali Soue, i cili tashmë është federuar për fazën “play off”, radha tashmë është e etiopianit. Beniam Belai erdhi në Shqipëri për Kukësin, por korçarët ia “rrëmbyen” nga duart, duke përsëritur precedentin me Olainkën. Ai është gati që të federohet, megjithatë, fillimisht klubi pret dokumentacionin dhe vizën.

Një gjë të tillë e bën me dije vetë presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj për “Panorama Sport”, i cili ka theksuar se Beniam Belai është tashmë një futbollist i Skënderbeut. “Mesfushori Belai nga Etiopia është një lojtar i Skënderbeut dhe kjo është diçka që do të zyrtarizohet shumë shpejt edhe nga klubi jonë.

Lojtari prej ditësh po stërvitet me ekipin dhe nëse trajneri Ilir Daja kërkon ta ketë në Zagreb për këtë takim, atëherë ne do ta federojmë në listën UEFA për këtë tur eliminator”, theksoi kreu i klubit.

Nga ana tjetër, burime të sigurta pranë presidencës bënë me dije se lojtarit është duke iu përgatitur dokumentacioni përkatës për të bërë aplikimin për vizë, pasi duket gjithçka e mbyllur për pjesën e federimit. Me shumë mundësi, Belai do të jetë pjesë e Skënderbeut për ndeshjen e së enjtes që do të luhet në stadiumin “Maksimir” të Zagrebit ndaj Dinamos, pasi vetë trajneri kërkon me ngulm që ta ketë në organikë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb