Nga: Monika STAFA

I beson Ulmit?- pyeti e burgosura në një kamp përqendrimi nazist, zotërinë përkrah saj gjatë arratisjes përmes Gjermanisë së shkatërruar. A është aty ende, apo është rrënuar krejtësisht? Gruaja e bukur pyeste veten shpotitëse e thumbuese njëkohësisht nëse Ulmi (qytet në Gjermani) ekzistonte akoma apo bombardimet e kishin shkatërruar plotësisht. Kur realiteti zhduket me forcë, ta mendosh më pas është çështje besimi. Filmi “The Reader” më solli këtë pasazh mes leximit ndryshe të këtij prodhimi kinematografik, duke më bërë të besoj, në fakt, se i tërë realiteti, çdo moment zhduket, edhe pse fatmirësisht jo gjithmonë me skenografinë e përgjakshme të bombave me fosfor, duke i rrëshqitur kështu shqisave tona derisa nuk mbetet asgjë tjetër veçse të mos besosh se ai ekziston. Një besim i përjetuar, që perëndon pas lëvizjeve të trupit, siguron atë lloj qetësie jetësore që të lejon të përshkosh botën pa e prishur qejfin. Kisha lexuar diku se Konti Helmuth James von Moltke, stërnip i një mareshali prusian, i cili mbahej si strateg betejash, besonte ngultas tek Jezu Krishti dhe kur Gjyqi Popullor i Rajhut të Tretë, e dënoi me vdekje për qëndrimin e tij kundër Hitlerit, shkoi drejt ekzekutimit si të pranonte ftesën për një darkë jo të këndshme, por të domosdoshme. Gjermanët janë një popull për të cilët thonë se, ata mendojnë se nuk ia vlen aq besimi tek Zoti sesa tek gjërat e krijuara, që të lejon të lëvizësh mes objekteve që të bindin për realitetin e tyre të padiskutueshëm; si karrigia, kafeja, akullorja apo dhe miqësia. Kush nuk ka besim tek vetja është i humbur, si ai që nga frika se nuk ia del në dashuri, me të vërtetë nuk ia del. Ndaj gruaja tek “The Reader” teksa frymonte nën duhmën e një pylli arratisës, u ndje të shqiptonte nën zë se ‘Po’, ajo i besonte Ulmit, ndërsa vrapin se ndalte as të mbushej me frymë duke i ikur kështu dhe hapit të përtej telave që sillnin vdekjen automatikisht. Po ç’ishte besimi në këtë rast para një qyteti apo disa të tjerëve që u rrafshuan në Gjermani gjatë L.II.B., nënshtruar një ‘hakmarrjeje’ politike me një fushatë ushtarake të quajtur “carpet bombing”?

Çdo herë që emri i një qyteti na përmendet, ajo çfarë ne sjellim ndërmend ndoshta më shumë se arritjet e tij, sado të mëdha, ato mund të kenë qenë, të tjera ndodhi e bëjnë atë të pavdekshëm e ngadhënjimtarë në sytë e vizitorëve. Ja t’ia nisim me shembujt që na i jep historia; Haga të kujton paqen e stisur mes traktateve ndërkombëtare për t’i dhënë fund krimeve të luftës, në fund të shek. të XIX; Hiroshima do të kujtohet gjithmonë për sulmet atomike mbi qytetarët e pafajshëm dhe së fundi edhe Drezdeni, kryeqyteti i Saksonisë. Qyteti i besimit protestant do të kujtohet jo aq për madhështinë e së kaluarës mesjetare sesa për tmerret që prunë sulmet bombarduese gjatë mesit të shkurtit të vitit 1945. Jo vetëm në këto raste, por në tërësi të gjitha këto simbolika mbeten në vendin e duhur dhe po aq të kuptueshme në thelb, tërheqëse dhe domethënëse njëherësh, e ku secili nga ne e gjen të arsyeshëm identifikimin e vet. Megjithatë, i vendosur në pjesën lindore të Gjermanisë për shumë dekada, Drezdeni përfytyrohet si i ruajtur brenda një karantine ideologjike dhe izolimi politik. Por një gjë është e sigurt, se kur viziton Drezdenin e kupton se çfarëdo tiranie t’i jetë imponuar qytetit, virtytet themelore të një shpirti europian do të ishin rregullat e një udhërrëfyesi ungjillor tek të cilat ky popull do të besonte deri në çastin e fundëm të ringritjes së tij. “Ne na pëlqen të jetojmë këtu”, më vjen një zë pas veshit, teksa e kundroj me vëmendje rrugën e shtruar me kalldrëm deri pa shkuar pranë kishës historike (Frauenkirsche) në sheshin e qytetit. Një grup të rinjsh ndoshta ishin organizuar të festonin në mbrëmje teksa ishin shpërndarë me pyetësorë nëpër duar, mbi atë se çfarë i bën banorët e tij të jetojnë në këtë qytet lumor. Në Gjermaninë e bashkuar, nuk ka asnjë qytet tjetër të ndahet në vijë aq simetrike në dy gjysma të tij prej lumit që i rrjedh pranë. Është Elba…, po, po, ajo që Noli e citonte me dhimbje të madhe dëshpërimisht tek vajtonte pranë tij, fatet e Shqipërisë. Ku nuk shkoi dhe ai, mendova një çast dhe gurëzit të vogël në kalldrëm i rashë me majën e rrumbullakët të këpucës. Nuk mu ndanë bashkëkombësit dhe këtu, shtrëngova dhëmbët sakaq ndërsa përgjatë bregut jugor të Elbës, shtrihej një prej ansambleve arkitektonike më të bukura në botë.

Skela e madhe ujore në stilin barok dhe kullat nëpër qytet, po aq majat e katedraleve dhe kupolat që ngrihen pas saj, vazhdojnë ende të përfaqësojnë triumfin më të madh historik të Europës me fenomenin e ringjalljes së qytetit, ringritjes së tij që prej kohës së pasluftës. Dhe ti e ndjen se si një gjysmë qyteti qëndron ballë gjysmës tjetër të tij, e mangët dhe e paplotë ashtu si në ditën e parë të lindjes së tij. Jugu krejt i shkallmuar prej bombardimit ajror të aleatëve atë betejë tre ditore në shkurt të 1945, ndërsa më lart, bregu i tij verior i kapur fort prej thonjve të regjimit komunist deri në rënien e perdes së hekurt, dy gjysma më së fundi bashkë, megjithëse jo njësoj, në një peshë të pabarabartë ngjarjesh historike mbi supe ndërsa presin të ardhmen.

Drezdeni, ngjan se e ka të pamundur t’i mbyllë derën të kaluarës. Ndonëse historia e tij me lavdinë e epokës mbretërore, prosperitetin mesjetar si dhe përcaktimit të tij gjatë shek. të 18-të, si “një Firence pranë Elbës” u zbehën dhe u harruan për gati gjysmë shekulli të errësirës pas Perdes së Hekurt, imazhi ikonë i qytetit mbetet ende terrori dhe shkatërrimi që sollën netët e 13/14 shkurtit të vitit 1945, kur 800 aeroplanë të Komandës së Bombarduesve të Forcave Ajrore Mbretërore u dërguan për të rrafshuar këtë perlë arkitekturore të Gjermanisë. Në një qytet, popullsia e të cilit ishte fryrë me refugjatë nga lufta rreth 40.000 vetë u copëtuan, u asfiksuan apo u dogjën për vdekje në stuhinë e zjarrit të krijuar nga bombardimet. 87 përqind e shtëpive në pjesën e brendshme u shkatërruan ndërsa dhjetëra kisha, spitale dhe shkolla u shkretuan. Ishte një fushatë tërësisht shfarosëse sa u duk aq sa Drezdeni mund të ish përkulur përgjithmonë, prej peshës së asaj nate të tmerrshme. Më pas zemërimi, pafuqia apo dhe fajësia e huaj kishin vazhduar ta përkeqësonin frymën e qytetit gjatë regjimit komunist, i cili sundoi në Gjermaninë Lindore po aq gjatë sa në gjithë pjesën tjetër të Europës. Oportunizmi pat nxitur lidershipin komunist të asaj kohe ta portretizonte qytetin si viktimë të agresionit kapitalist. Paraja ishte e kufizuar dhe nuk u dha asnjëherë mundësia për ta rindërtuar apo restauruar atë plotësisht me lavditë e kaluara. Megjithatë, banorët e Drezdenit, të cilët dallonin për një frymë rebele dhe një mendje të kthjellët mbetën gjithmonë të papërkulur në virtytet e veta dinjitare. Pas ribashkimit të Gjermanisë në vitin 1990, çështja e rindërtimit të Drezdenit u kthye në një casus, në një metaforë simbolike për pajtim dhe për shërim plagësh të vjetra. Prej rrënojave të komunizmit dhe barërave të këqija që fshihnin me dashje gjithë madhështinë historike të qytetit gjatë bregut jugor të Elbës u ringritën edhe një herë kishat, teatrot dhe ndërtesat e mëdha publike, gur për gur dhe gdhendje pas gdhendjeje. Ashtu si atëherë, më 4 gusht të vitit 1945, vetëm gjashtë muaj pas rrënimit të tij, çunakët e korit kishtar kishin gjetur forcën nga brendia e shpirtit të tyre, që në një qytet të shkretuar të këndonin Requiemin rrëqethës, edhe pse gjendeshin pa dirigjentin e tyre të dashur përballë, Fritz Busch, konduktorin e përkushtuar të operës së qytetit, sepse nazistët e kishin dërguar në kampet e vdekjes. Sot i njëjti Requiem performohet çdo 4 gusht, si një ceremonial përkujtimor në nder të viktimave të asaj masakre të pamendueshme.

Gjatë viteve 1950 dhe 1960, Opera dhe Staatskapelle, lulëzuan sërish ndërsa muzetë e qytetit do të ekspozonin thesaret e artit të madh për të cilin qyteti do të bëhej i famshëm. Kjo ishte, shkruhet në librat historikë dhe e vetmja arsye që rusët u kthyen sërish në sheshin e atij qyteti. Shumë ndërtesa të stilit barok dhe po aq rrugë të kësaj epoke, ranë viktimë e kufizimeve financiare dhe e paragjykimeve ideologjike, por ishte besimi i thellë i banorëve të Drezdenit në historinë e trashëgimisë së tyre kulturore dhe në të ardhmen e qytetit, ai i cili i mbajti ata denjësisht të papërkulur deri në çastin e dritës. Besoj në Ulmi, erdhi zëri brenda vetes dhe i dhashë të drejtë zonjës, që ikte për t’i shpëtuar vdekjes së sigurt e për t’u ringritur sërish bashkë me qytetin në një të ardhme jo fort të largët. Ata gjithmonë e mbajtën gjallë flakën e lirisë brenda vetes, duke ndezur qirinj çdo vit mes grumbullit masiv të rrënojave, ku gjendej dikur Frauenkirche (Kisha e Zonjës Sonë) ose kisha e tyre luterane, konsideruar si një prej shembujve më të jashtëzakonshëm të arkitekturës protestante. Dhe që kur Muri i Berlinit u shemb, rikrijimi i saj drejt një madhështie që i mungonte prej dekadash ka qenë me të vërtetë mahnitës. Ringjallja e këtij qytetërimi kulturor të qytetit, që ndodhi nga pak në kohë që pas viteve ’90, duhet të shihet që të besohet. Kush ka ndihmuar në risjelljen e kësaj mrekullie mes qytetarëve të Drezdenit, nuk bëhet fjalë të përmendim se kanë qenë investime qeveritare dhe as buxhete shtesë dedikuar kësaj ringritjeje të qytetit. British- German Association dhe Dresden Trust, organizata të fuqishme financiare me bazë në Londër u kujdesën që dhe pas viteve të rënies së Murit, të kontribuonin për rindërtimin e Frauenkirsche (Kishës Luterane). Aleatët me fushatën e tyre ‘carpet- bombing’, kishin prekur në një faqe historike që ruante një kujtim të fortë mes gjermanëve, triumfit të një lufte që ata kishin bërë për të ç’rrënjosur sistemin e vjetër kishtar nga sundimi papal. Reformat kishtare për të cilat ata kishin dhënë gjakun në mbrojtje të një lirie vlerash dhe parimesh, ishin cenuar duke shkatërruar simbolikën e tij, Kishën e Zonjë Sonë, Kishën Luteriane në qendër të qytetit. Por megjithatë ashtu të humbur shqisash në atë betejë të papritur, ata e ndjenë dhimbjen e qytetit të shkatërruar, Drezdenit, dhe vendosën të punojnë sërish me ata që ishin autorët e betejës masakruese, vetëm e për një arsye për të kthyer pajtimin mes popujve apo ca më shumë se aq, për të bashkëjetuar mes një miqësie të sinqertë. Dhe bashkëpunimi e dha frytin e vet të shërimit dhe përmbushjes së qëllimit. Është pikërisht ky shpirt i tyre me këto vlera të forta rishpirtëzimi e rilindjeje që ndihmoi në risjelljen e madhështisë së të kaluarës së Drezdenit, vetëm për një arsye; për të mos harruar shkatërrimin që i ndodhi, për ta rrëfyer po aq atë histori dhe njëherësh për t’u frymëzuar prej saj, si një vepër krijimtarie me qëllimin për ta lartësuar atë në çdo aspekt fizik, social dhe kulturor me hapat e njëllojtë të kohës, e cila shkon vetëm përpara. Historia e rindërtimit të Drezdenit është një histori arritjesh artistike, një histori ku triumfon kurajoja njerëzore dhe përkushtimi ndaj vlerave, puna këmbëngulëse për ta parë qytetin drejt ringjalljes së tij, ashtu si dikur historianët e përshkruajnë, një qendër të rëndësishme të kulturës europiane.

Vetëm dy vjet më parë, pasi qyteti përfundoi rindërtimin e tij të plotë që pas shkatërrimit të ‘carpet bombing’, banorët thonë se ndihen të kënaqur që kjo vepër eci me shpejtësi, ndërsa historia e tij e dhimbshme u bë më shumë e njohur. Frauenkirche, Kisha Luteriane vazhdon të qëndrojë ende po aq e bukur me lavdinë e saj baroke, ndërsa simboli kristian i autoritetit kishtar, Orb-i dhe Kryqi mbi kupolë, na kujton të gjithëve nevojat tona të domosdoshme morale dhe shpirtërore, me të cilat ne duhet ta jetojmë jetën. Ky ishte një projekt i shkëlqyer ku u ndje ideja vizionare e konceptimit të tij, shija e lartë artistike dhe mundësitë financiare për ta kryer atë. Ishte një sipërmarrje e jashtëzakonshme që plotësoi çdo kërkesë të çdo banori të zakonshëm të Drezdenit për t’u ringritur. Qyteti i Drezdenit ka qenë dhe unik në historinë e tij, me madhështinë e portretit të tij të bukur fizikisht, por unik edhe në arritjet e tij artistike. Jo vetëm, por dhe në fatin e tij tragjik, e më vonë po aq në mbështetjen që u dha për ringjalljen e tij brenda dhe jashtë vendit. Kanë qenë rreth 15 – 20 grupe biznesesh, të cilat kanë kontribuar në sipërmarrjen e madhe të ringritjes së qytetit dhe rreth tre organizma të mëdhenj financiarë që vinin nga përtej oqeanit. Në mënyrën e vet Dresden Trust mbeti i veçantë, gjithashtu, në ndihmën e tij. Asnjë bamirësi tjetër britanike nuk është fokusuar më parë specifikisht në një qytet të huaj deri në finalizimin e një qëllimi universal, në këtë rast të pajtimit mes popujve pas një prej tragjedive më të trishtuara të shek. të XX-të. Pas rindërtimit të Drezdenit e të ringjalljes së trashëgimisë kulturore të qytetit, ka gjithmonë një simbolikë të thellë që fshihet në gjurmët e tij. Drezden përfaqëson disa nga elementët më të mirë po aq sa dhe më të tmerrshëm në historinë gjermano- britanike dhe, megjithëse mesazhi i pajtimit të Trust, përbën një rezonancë të veçantë në qytetin vetë, kjo nuk ka të bëjë vetëm me Drezdenin. Kjo ka të bëjë si dhe është parë kudo në Gjermani, Britani apo dhe vende të tjera përtej e këndej kufijve europianë, me aktin special të një miqësie mes popujve dhe të ruajtjes së vlerave të shpirtit europian që popujt e kontinentit duhet të gëzojnë së bashku. Drezdeni nuk është një qytet i cili do të mbahet mend vetëm për historinë e trishtë të shkatërrimit të tij. Ai është një qytet ku ciceronët do të tregojnë nëpër rrjedhat e kohës, histori mbushur me ndodhi këmbënguljeje dhe papërkulshmërie të popullit të këtij qyteti, i cili nuk u dekurajua kurrë për ta rindërtuar atë prej fillimit dhe për të krijuar aty një vatër të rëndësishme kulturore për shek. e 21-të. Drezdeni është gjithashtu një përrallë e gjatë dhe e bukur, plot me mesazhe miqësie sa i përket marrëdhënieve gjermano-britanike, ashtu si dhe një proverb gjerman e thotë se gjithmonë kur një mijëvjeçar i ri vjen e bën miqësinë gjithnjë e më të vjetër.
Burimi: http://www.gsh.al/2018/06/04/drezden-rilindja-e-nje-qyteti/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: