GJIROKASTËR- Policia Kufitare e Kakavijës ka goditur një tjetër rast të trafikimit të lëndëve narkotike, duke sekuestruar 3.5 kg kanabis sativa dhe arrestuar një 54-vjeçar nga Durrësi.

Ditën e sotme në dalje të Republikës së Shqipërisë është paraqitur shtetasi me iniciale P.V. me automjetin e tij. Pas regjistrimit në sistemin TIMS nga punonjësit e Policisë Kufitare, mjeti ka kaluar në vijën e dytë për një kontroll më të imtësishëm.

Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë, në gomën rezervë është zbuluar lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa. Pas çarjes së gomës policia ka nxjerrë drogës që ka rezultuar rreth 3.5 kg kanabis sativa.

Nga specialistët e seksionit të Hetimit të Narkotikëve në D.V.P Gjirokastër u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit P. V., 54 vjeç , banues në Durrës.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: