Nga Moikom ZEQO
Në një shoqëri normale dhe demokratike duhet të ketë, para së gjithash, një logjikë universale juridike. Shoqëritë moderne sot, sidomos tani në shekullin XXI janë shoqëri të qytetërimit juridik. Kjo ka të bëjë me laicitetin si institucion, ku Dokumenti Themeltar është një strukturë lakonike ligjesh. E quajmë thjesht Kushtetutë. Nuk dua t’i hyj problemit klasifikues, konceptit përparimtar, të mangët, social apo të prapambetur të Kushtetutës. Por është i vetmi Compedium, ku betohet Presidenti, Kryeministri, Prokurori i Përgjithshëm, deputetët etj. dhe për këtë arsye ekziston dhe Gjykata Kushtetuese. Asnjëherë nuk duhet ta harrojmë këtë gjë. Kur kemi nisma ligjore ose paraligjore duhet të kemi referenca kushtetuese. Kur nuk kemi referenca kushtetuese është e vështirë të arsyetojmë ose të mbrojmë idetë. Kohët e fundit u ndez një lloj debati për një lloj nisme për të votuar në Kuvend një koncept, një draft për heqjen e dekoratave dhe titujve që lidhen në kronologjinë kohore me antifashizmin, atë që u quajt socializmi shtetëror. Pa dyshim si çdo shtet edhe Shqipëria komuniste kishte dekoratat dhe titujt e saj. Ato jepeshin nga Kuvendi Popullor, kryetari i të cilit përbënte ekuivalentin e Presidentit. Tituj të tillë si: “Hero i Popullit”, “Hero i Punës Socialiste”, “Artist i Popullit” dhe “Artist i Merituar”, por edhe “Mësues i Popullit”, si dhe dekorata të tjera që lidhen me emrin e Skënderbeut dhe të Naim Frashërit janë dhënë për gati gjysmë shekulli njerëzve më publikë, më me merita dhe më të shquar të fushave të ndryshme, por kryesisht të kulturës kombëtare. Një pjesë e emrave të udhëheqjes partiake të shtetit, për shkak të protagonizmit të tyre në luftë dhe strukturimit shtetëror, gjithashtu, janë dekoruar. Praktikë kjo e njohur në të gjithë vendin dhe të gjitha shtetet. Sot Kuvendi Popullor që i akordonte dhe i jepte këto dekorata dhe tituj nuk ekziston më. Sot ekziston Kuvendi, që është parlamenti dhe Presidenti si institucion.

Pra, kemi titullatura të ndryshme institucionesh.

Askush nuk ka të drejtë të anulojë dhe të heqë dekoratat dhe titujt që i ka dhënë një institucion që sot nuk ekziston më, siç është Kuvendi Popullor. Kush mund t’i heqë titujt e lartë “Hero i Popullit”, qoftë dhe “Hero i Punës Socialiste” apo “Artist i Popullit”, “Artist i Merituar” dhe “Mësues i Popullit”? Juridikisht kjo është një çështje institucionale e mbyllur në sistem. Interesante është se shteti i Ahmet Zogut, i mbiquajtur si Mbretëria Shqiptare ka dhënë një numër dekoratash dhe titujsh të lartë. Komunistët, që erdhën në pushtet nuk bënë ndonjë ligj të veçantë për të hequr dekoratat dhe titujt e regjimit të Zogut. Pse? Sepse këto dekorata dhe tituj i kishte dhënë një institucion që tashmë nuk ekzistonte më. Në qoftë se do të ndërhyhet sipas një logjike interjuridike, që në vitin 2017 hiqen dekoratat dhe titujt e etapës komuniste për shkak të një antikomunizmi, në fakt, jo juridik, por ideologjik, atëherë duhet përmbysur tërë sistemi i dekoratave dhe titujve, jo vetëm për krerët më të lartë partiakë dhe të shtetit të kohës, por dhe për tërë të tjerët. Janë akoma gjallë njerëzit që kanë marrë titullin e lartë Çmimi i Republikës, sepse janë shquar në fusha të ndryshme të shkencës dhe të kulturës. U duhet mohuar dhe atyre kjo gjë? Nëse ka akoma Artistë të Popullit që janë gjallë, për shkak të një anulimi negativist të plotë a mund t’ua heqim këtë vlerësim publikisht, a do të kishte kjo diçka që ia vlente apo diçka thjesht metaforike? E drejta e dhënies së dekoratave dhe titujve është një e drejtë institucionale. Është antikushtetuese të mendosh që të zhbëhet një histori dhëniesh dekoratash dhe titujsh për shkak të një lloj aktualizimi të skajshëm të një antikomunizmi militant, por që, në fakt, është i pakuptimtë. Çdo dekoratë dhe titull ka një histori të veçantë vetjake ose dhe kolektive. As në rrugë gjyqësore nuk mund të hiqen dot. Natyrisht që nisma e qeverisë me atë shpejtësi të nxituar që po vendos për ta çuar te ligjvënësit tanë në Kuvend, duke shkaktuar një marramendje dhe zhurmë mediatike të kotë, në të njëjtin sens lëvizje edhe u hoq për një “kohë tjetër”. A është kjo një lëvizje apo strategji politike? Nuk mund ta dimë. Por as nuk mund ta paragjykojmë.

Efektivisht edhe Shqipëria do të veprojë si gjithë bota. Çdo shtet evropian ka pasur regjime të ndryshme. Franca ka pasur regjime monarkike, por dhe republikane. Po kështu edhe Italia. Edhe Greqia. Ata kanë dhënë pa dyshim dekorata dhe tituj në kohët e tyre respektive. Por askush nuk ka marrë mundimin për të bërë skualifikime, sepse në të vërtetë këto kualifikime nuk kanë asnjë vlerë historike apo dhe morale. Ajo që më shqetëson mua është se institucioni i Presidentit të Republikës, sidomos gjatë kohës së Presidentit Nishani, bëri një shpërdorim të frikshëm të së drejtës. Kjo nuk kishte ndodhur më parë. Por ja që ndodhi. Shikoni se si janë dhënë dekorata të larta të “Gjergj Kastriotit” apo “Nderi i Kombit” shumë njerëzve vetëm për arsye të një të kaluare të dikurshme antikomuniste, pra duke bërë ideologjizimin e zgribshëm institucional. Të dekorosh edhe diversantët do të thotë të kesh një non sens, falsifikim dhe manipulim të historisë.

A duhet ta bëjë Presidenti që sipas Kushtetutës përfaqëson unitetin e kombit një gjë të tillë? Apo të shndërrohet ne një motiv konfliktualiteti të egër?

Një pjesë e madhe e këtyre njerëzve me dekorata dhe tituj janë disa mijëra të tillë me plot gojën gati anonimë, apo të rëndomtë, e shndërruan institucionin e Presidentit nga një institucion selektiv, të nderit dhe vlerësimit kombëtar në një “ofiçinë personale” të dhënies të dekoratave dhe titujve që të kujtojnë dhënien groteske dhe të bujshme të indulgjencave në Mesjetë. Para ca kohësh së bashku me Pëllumb Xhufin firmosa një kërkesë për të dhënë një dekoratë të lartë me rastin e 70-vjetorit të lindjes të Agim Fagut. Agim Fagu, si një sportist i shkëlqyer me famë ndërkombëtare dhe një diplomat i rëndësishëm i shtetit shqiptar e meritonte plotësisht nderimin që iu bë nga Presidenti Meta. Me këtë rast u tha thënia kuptimplotë se “Ka dekorata dhe tituj për njerëzit, por ka dhe njerëz që iu bëjnë nder dekoratave dhe titujve”.

Në fund të fundit dekoratat dhe titujt nuk janë në vetvete gjithçka, apo pafundësisht çdo gjë. Njerëzit me merita të mëdha i kanë të tilla për shkak të rëndësisë të patjetërsueshme në histori. Për hir të së vërtetës njerëz të tillë të mëdhenj nuk janë të shumtë. Vetëkuptohet nuk janë të shumtë as në vendet e mëdha, jo më në një vend të vogël si Shqipëria. Vlerësimi historik qëndron për figurat e ndritura të historisë përtej çdo dekorate dhe titulli formal. Këtë e kupton çdo njeri normal. Por habitërisht këtë nuk e kuptojnë njerëzit mediokër, të cilët bëjnë shpesh duele abstraktë me shpata prej kartoni.

***

Tani të kalojmë te diçka më serioze. Absolutisht më e rëndësishme. Nga pikëpamja e së ardhmes më konceptuale. Çështja e plehrave. Ky emërtim i shkurtuar, artikulohet kështu pavarësisht akrobacive formale të fjalëve duke e riquajtur më vonë, më “kulturalisht” si çështja e mbetjeve për industrinë e riciklimit. Dikur Edi Rama si opozitar tepër vital e quajti vizionarisht çështjen e plehrave jo më shumë dhe as më pak si “tradhti kombëtare”. Mund të mos ishte diçka e tillë në kuptimin politik të fjalës. Por në kuptimin mjedisor dhe ekologjik Rama kishte plotësisht të drejtë. Rrallëherë kam parë që të kemi një ndryshim kaq të madh qëndrimi për një gjë që është shumë publike. Mund të ketë ndryshim qëndrimesh për gjëra që nuk janë shumë publike, por jo për gjëra ku figura dhe zëri është i fiksuar në media elektronike dhe në print dhe nuk mund të mbyllësh sytë dhe të thuash se “nuk është e vërtetë”. Ata që kanë një dituri të përafërt për çështjen e plehrave, e dinë mirëfilli se ky është një problem i thugët evropian dhe botëror. Nuk është problem, por super problem.

Gjithashtu, dihet nga të gjithë se mafia e plehrave është më e fuqishmja në Europë. Në të gjitha shtetet evropiane, të paktën, Shqipëria e përfolur për kanabisin ende nuk është përfolur për mafien e plehrave. Në kulmin e një strategjie të quajtur suksesive apo stimuluese për shndërrimin e Shqipërisë në një parajsë turistike, befas bëhet fjalë për një kthim mbrapsht apo për një ide retrograde, krejt të dyshimtë dhe ambikuide.

Unë kam qenë përherë kundër ardhjes së plehrave në Shqipëri.

Kjo vërtetohet në intervistat dhe në shkrimet e mia.

Për këtë subjekt nuk jam nisur nga asnjë qëndrim midis partive, fjala vjen të PS apo të PD, as të klientelizmit me qeverinë, as të protagonizmit të rremë me opozitën, që dje i kërkonte plehrat dhe sot habitërisht bën të kundërtën (ndonëse bën shumë mirë në këtë pikë).

Tërheqja e projektligjit të plehrave për ta konsultuar në popull dhe, siç tha vetë Eduart Shalsi se do të ishte i pari vetë ai që do të nënshkruante përbërjen e një referendumi popullor është një gjë shumë e mirë.

E përsëris, e admirueshme.

Tregon një maturi dhe emancipim politik.

Dhe kështu duhet të jetë edhe për çështje të tjera madhore.

Të shpresojmë se më vonë do ta kujtojmë me një sens humori, për të mos harruar se vetëm popujt e emancipuar kanë sens të fortë humori, këtë ngjarje që ka shkaktuar kaq shumë shqetësim kombëtar.

***

Nuk di se ç’ndodh kështu në Shqipëri po të gjykojmë nga produktet surreale të tregut mediatik.

S’di pse Shqipëria është mbushur plot me pseudodebate.

Një gjë e tillë qe pseudodebati për Gjergj Kastriot Skënderbeun.

Aq më tepër që u bë në rrafshin e një banaliteti të neveritshëm apo dhe të klientelizmit të ideologjive antishqiptare apo dhe të krijimit pa asnjë kuptim të arketipeve të vjetra shekullore për të përçarë shqiptarët për të mohuar identitetin kombëtar etj. Është e habitshme se si këto pseudodebate bëhen shpesh ose nga Lapsus Calami, Lapsus Linguae, Lapsus Memoriae, domethënë nga ndonjë “gabim i shkrimit”, “gabim i gjuhës”, apo “gabim i memories”. Njerëz diletantë për shkak të një ekzibicionizmi turren, bëjnë zhurmë, duke mëtuar të jenë protagonistë, ndërkohë që mbeten përherë figurantë.

Dhe të tillë kanë për të mbetur përherë.

U arrit deri atje në këto pseudodebate sa të thuhet, e zezë mbi të bardhë se shqiptarët janë një popull më i prapambetur kulturalisht se grekët dhe serbët dhe se të jesh shqiptar është gati një gjë fatale, në kuptimin e të tërë posibilitetit të së keqes dhe të fatit të mbrapshtë.

Si mund të arrihet deri këtu?

Si mundet që loja e sëmurë e fantazisë të prezantohet si një e vërtetë iluzive?

Si mundet që shembujt sinkronë të historisë shqiptare të sulmohen me një urrejtje kaq të skajshme?

Është e vërtetë se ekziston një proverb latin që thotë: Aliena melis vident homines et dijudicant quam sua – që do të thotë: Njerëzit gjërat e të tjerëve i shohin më mirë se sa të vetat. Por ama njerëzit normalë gjërat e tyre i shikojnë po aq drejt.

Shqiptarët janë një popull me identitet të caktuar.

Shqiptarët nuk kanë një identitet të shpikur.

Shqiptarët janë një popull me një histori të gjatë të kulturës së tyre. Shqiptarët janë populli i qytetërimit iliro shqiptar, i spikatshëm dhe i dallueshëm edhe nga popujt e tjerë që kanë natyrshëm identitetet e tyre.

Ç’është kjo teori që të kujton gati teoritë racore të hitlerizmit në shekullin XX për popuj gjoja superiorë dhe popuj inferiorë, për popuj kulturalisht më të lartë dhe popuj kulturalisht më të ulët, për të rënë në teza të tilla vulgare, tejet simpliste dhe aspak shkencore?

A kanë popujt prapambetje edhe tani në shekullin XXI?

Pa dyshim që tërë popujt e botës kanë edhe prapambetjet e tyre. Jo vetëm shqiptarët, por edhe grekët, edhe serbët, edhe francezët, edhe gjermanët, edhe amerikanët, edhe kinezët, edhe rusët, edhe arabët, edhe afrikanët.

Por në të gjitha dokumentet e të “Drejtave Universale të Njeriut” popujt janë përherë të barabartë. Janë identitete me kredenciale të përcaktuara ku nuk lejohen pozita të ndërvarmë nga njëri-tjetri as përcaktime antropologjike racore për gjoja popujt elitarë dhe popujt jo elitarë.

Lexoni, ju lutem, vetëm Klod Levy Strosin, gjeniun e antropologjisë botërore se ç’thotë për popujt dhe klasifikimin e tyre.

Secili nga ne mund t’i gjykojë.

Secili nga ne ka aftësinë e të menduarit.

Njerëzit e paditur nuk mund të flasin për diturinë.

Njerëzit e prapambetur kulturalisht nuk mund të thonë ide kulturore të drejta.

Është koha të themi se dashuria për atdheun nuk është një ide arkaike që hidhet tej si një rrobë e vjetruar dhe e pisët.

Që në periudhat antike flitej Amor patriae – Dashurinë për atdheun. Nuk hamendësoj se Naim Frashëri në kohën e tij ku gjendja e Shqipërisë qe vërtet e tmerrshme i shkroi kot vargjet e paharrueshme:

Shqipëri, më jep nder, më jep emrin shqiptar

Zemrën ti ma gatove, plot me dëshirë e me zjarr.

Është pikërisht ky Naim Frashër i madh që tha vargun konceptual se “Dielli lind nga perëndon”. Shqiptarët janë një popull i vjetër indoevropian. Janë një popull me intelekt, pa dyshim me një histori ku ka shumë motive problematike dhe ekzistenciale, por një popull që gjithmonë e ka dashur lirinë, kulturën, miqësinë me popujt e tjerë dhe nuk ka pranuar asnjëherë që të bjerë në kompleksin e një “sado-mazohizmi”, apo të një “vetëviktimizimi të mjerë” , që do të ishte një lloj vetëvrasje rituale. Krejt e pakuptimtë, po që s’do të ndodhë kurrë.

Asnjëherë!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: