Të shtunën Christian Panucci, trajneri i ri i kombëtares, do të drejtojë për herë të parë në pankinën kuqezi në sfidën kundër Lihtenshtejn. Për italianin do të jetë e vështirë të zgjedhë 11-shen titullarë pasi koha në dispozicion për t’i njohur të gjithë lojtarët nuk ka qenë ajo që duhet. Ndër të tjera më të vështirë do t’a ketë në përzgjedhjen e gardianit që do të mbrojë portën, pasi dy portierët Etrit Berisha dhe Thomas Strakosha po kalojnë një super formë me ekipet e tyre.

Në një intervistë për “top chanel” dy portierët kanë treguar për rivalitetin mes tyre.

berisha-470x342
ETRIT BERISHA

Rikthimi në Kombëtare

“Ky është grumbullimi i parë me kombëtaren pas një viti a më shumë. Ndihem i gëzuar, sepse më mungonte Kombëtarja. Mezi pres t’i bashkohem grupit dhe të vihem nën urdhrat e trajnerit të ri. Shpresojmë të vazhdojmë rrugëtimin tonë dhe sukseset me ekipin kombëtar.

Konkurrenca me Strakoshën

“Konkurrenca është diçka pozitive, për shkak se trajneri ka mundësi të zgjedhë, dhe jo vetëm për repartin më të tërhequr, por për të gjitha repartet e tjera. Është një plus që i shërben shumë kombëtares që të ketë sa më shumë konkurrencë.

Edhe pse në fakt nuk doja ta quaja konkurrencë, pasi është një ndjenjë prestigji për mua dhe për të gjithë të tjerët që të luajmë me kombëtaren. Në fund të fundit është diçka që e kemi për detyrë ta bëjmë, të japim maksimumin”.

Raporti me portierin e Lacios

“Të them të drejtën kam një raport të shkëlqyer me Thomasin, e rivaliteti për kombëtaren është diçka dytësore. Kryesore është të arrijmë suksese me ekipin kombëtar, pak rëndësi ka kush luan”.

Thomas-Strakosha-470x468
THOMAS STRAKOSHA

Rivaliteti me Berishën

“Është diçka që nuk më intereson aspak. Jam këtu dhe krenar që ndodhem këtu, e rëndësishme është që të fitojmë ndeshjet. Me Berishën jemi shokë dhe të tillë do të jemi, pavarësisht zgjedhjeve të trajnerit”.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb