Trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro, në intervistën e pas ndeshjes së humbur 0-1 në dy ditë kundër Laçit është shprehur shumë i revoltuar ndaj arbitrit. Duhet theksuar se kjo nuk është hera e parë që vlonjatët kanë kontestime kundër ‘xhaketave të zeza’, por sot tekniku i Flamurtarit e ka cilësuar ‘kamikaz’, një epitet dhe ky jo pak i dëgjuar në Superligë.

“Janë dy tablo të ndryshme. Dje ishte një ndeshje jo normale për shkak të terrenit. Pavarësisht se humbëm unë jam shumë i kënaqur me lojën. Ne do shikojmë edhe pak korrektësinë në gjykim të një kamikazi. Skuadra dominoi në të gjitha aspektet. Për mua skuadra merr notën 10 në të gjitha aspektet. Në qoftë se arbitri do ishte më korrekt dhe të kishim shfrytëzuar rastet e humbura rezultati do ishte ndryshe.

Penalltia nuk ishte sepse ishte jashtë zonës dhe nuk ishte në limitet e faullit për 11 metërsh. Rasti i Zhufos për 11 metërsh? Kontakt ka por nuk e di a ishte penallti.

Unë mendova me qënë se e dha dje penallti sot do të ishte më korrekt. Por ai sot ishte më i egër sot. Duket qartë që ai ka ardhur me një mision kundër Flamurtarit ose pro Laçit. Loja e skuadrës sonë ishte shumë e mirë. Protagonist ishte arbitri. Federata i vendos me qëllim këta arbitrat që të na dëmtojnë. Ky gjyqtar ishte edhe në një sfidë tjetër me Laçin. Ndërsa atë Hamitin na i venë kur luajmë kundër Kukësit. Ne do ishim pranë Skëndërbeut po të kishte gjykim korrekt. Jemi skuadra që kemi marrë më pak gola nga të gjithë. 5 gola i kemi marrë me 11 metërsha. 4 prej të cilëve nuk kanë qënë”, deklaroi Duro për mikrofonin e “Supersport”

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb