DURRES – Ardian Trota, i njohur si “i forti” i Kukësit, i ka shpëtuar një tjetër atentati paraditen e sotme në Durrës. Makina e Trotës, tip “Benz” me targë AA 765 FN, ka shpërthyer në zonën e njohur si “Shkëmbi i Kavajës”, në qytetin bregdetar. Burime nga policia bëjnë të ditur se mjeti ishte duke lëvizur në rrugën dytësore, kur është dëgjuar shpërthimi i fuqishëm që ka tronditur edhe banorët e zonës përreth. Nga shpërthimi është plagosur lehtë në fytyrë pronari i makinës Ardian Trota, ndërsa automjeti është shkrumbuar tërësisht në pjesën e pasme. Sipas hetimeve paraprake të policisë, mjetit i është vendosur tritol gjatë natës. Ndërkohë, ekspertë të policisë po punojnë për të zbuluar nëse pronari i mjetit ka patur ndonjë konflikt të mëparshëm, që mund të ketë ndikuar në vendosjen e eksplozivit në makinën e tij.

ATENTATI NE KUKES

40-vjeçari nga Kukësi, Ardian Trota, rezulton të jetë person me precedent penalë, ndërsa kjo është hera e dytë që u shpëton atentateve. Në qershor të vitit 2013, Trota i ka shpëtuar një atentati me armë, në lokalin e tij në lagjen nr.2 në dalje të Kukës, ku dy persona qëlluan me breshëri automatiku në drejtim të lokalit. Për pasojë mbetën të plagosur Ardian Trota, kunati i tij Besnik Axhami dhe roja i objektit Osman Voka. Policia konfirmoi se në lokalin e Trotës ka pasur shkëmbim zjarri, ç”ka ka bërë që edhe atentatorët të merrnin plagë pikërisht në vendin e ngjarjes. Autorët e sulmit u prangosën nga policia e Tiranës, pasi u paraqitën në spitalin ushtarak me plagë në trup. Nip e dajë, Vadimir Gjuta, 31 vjeç dhe Baftjar Bruka, 23 vjeç u përpoqën të sajonin një atentat ndaj tyre në Tiranë, por policia vërtetoi se ata ishin personat që qëlluan me breshëri ndaj lokalit të Trotës në Kukës, dhe shënjestra e sulmit ishte pikërisht 40-vjeçari që njihet “si i forti” i Kukësit.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb