DURRES- Policia ka dhënë sot detaje në lidhje me zhdukjen e dy motrave të familjes Kajtazi në Durrës, duke e rrëzuar versionin e parë që u raportua se ato mund të ishin rrëmbyer, sipas denoncimit të prindërve.

Sipas tyre, më datë 16.07.2015 është bërë edhe shpallja në kërkim e dy vajzave, Orialda, 18 vjeç, dhe vajza e vogël me iniciale K.K,14 vjeç, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Vjedhja” në bashkëpunim.

Mësohet se kjo histori ka nisur që prej datës 15 korrik, kur vajzat së bashku me familjarët e tyre kanë drekur në një restorant dhe aty rezulton se janë helmuar babi, nëna dhe motra e tyre më e madhe, 20-vjeçare.

Por vetëm 18-­vjeçarja dhe motra e saj katër vjet me e vogël nuk kishin pësuar shqetësime.

Pasi prindërit dhe vajza e madhe janë kthyer nga spitali, kanë parë që iu është djegur banesa dhe dy vajzat e vogla ishin larguar nga shtëpia.

Policia thotë se ato kanë marrë me vete edhe 400 000 lekë të reja dhe 800 €; 4 telefona celularë; pasaportat dhe kartat e identitetit të Alketës dhe Orialdës, si dhe sendet personale.

HISTORIA SIPAS POLICISË
Më datë 15.07.2015, rreth orës 14.30,në lagjen nr.15 Durrës janë helmuar nga ushqimi shtetasit e mëposhtëm, pjesëtarë të një familje: Hiqmet Kajtazi, 49 vjeç; Anila Kajtazi, 39 vjeç, dhe Alketa Kajtazi, 20 vjeç.

Për pasojë, shtetasit e mësipërm u transportuan në Spitalin Rajonal Tiranë jashtë rrezikut për jetën.
Salla Operative Durrës njoftohet se më datë 16.07.2015 rreth orës 02:30 në lagjen nr.15 Durrës është djegur shtëpia e shtetasit Hiqmet Kajtazi.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar Forcat e Policisë dhe zjarrfikësja, të cilat kanë bërë të mundur fikjen e zjarrit.

Nga ana e policisë nisi hetimi për zbulimin e shkaqeve të rënies së zjarrit. Për pasojë janë djegur vetëm orenditë shtëpiake pasi në banesë nuk ka pasur njerëz në momentin e rënies së zjarrit.
Më datë 16.07.2015 në ambientet e Komisariatit të Policisë Durrës është paraqitur shtetasi Hiqmet Kajtazi,i cili në deklaratën e tij shpjegon se:

Pasi kanë ngrënë drekë ,më datë 15.07.2015 ai së bashku me bashkëshorten e tij, Anila dhe vajzën Alketa, nuk janë ndier mirë, ndërsa dy vajzat e tjera, Orialda 18 vjeçe dhe vajza e vogël me iniciale K.K.14 vjeçe nuk kanë patur shqetësime.

Menjëherë kanë shkuar në Spitalin Rajonal Durrës dhe më pas në Tiranë për një mjekim më të specializuar. Kur janë kthyer nga spitali kanë evidentuar që i është djegur banesa dhe dy vajzat e vogla janë larguar nga banesa.

Ato kanë marrë me vete: 400 000 lekë të reja dhe 800 €; 4 telefona celularë; pasaportat dhe kartat e identitetit të Alketës dhe Orialdës; dhe sendet personale.

Të njëjtat shpjegime ka dhënë edhe bashkëshortja në deklarimin e saj.

Nga hetimet që ka kryer grupi hetimor rezulton se vajzat i kanë vënë zjarrin banesës dhe më pas janë larguar.

Më datë 16.07.2015 është bërë edhe shpallja në kërkim e dy vajzave për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Vjedhja” në bashkëpunim, parashikuar nga nenet151,134 dhe 25 të Kodit Penal. Nga Efektivat e Komisariatit të Policisë Durrës po punohet për gjetjen e tyre dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

(b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: