Nga BRIZIDA GJIKONDI
Në mes të Shqipërisë dallohet Durrësi, i lashti Dyrrah, i bërë i famshëm për azilin e Ciceronit dhe për strehimin që i dha Pompeut kur la Brindizin nga mësymja e Cezarit. (Vincenzo Dorsa, 1847)
Ai që të do nuk të shkatërron, ai që të do, nuk të plas shpirtit kombëtar beton të zi, po t’i zbulon thesaret e të shtron rrugën drejt tyre me lule lavdie.
Prej muajsh në errësirë të plotë ashtu siç vetëm mëkatarët dinë të veprojnë, në një bashkëpunim të mirëfilltë kriminal, një grup i lartë shtetarësh nën hyqmin e delirit arritën të strukturojnë një projekt për shqepjen, shqyerjen dhe përdhunimin e një prej pasurive më të çmuara të historisë së njerëzimit. Me falsifikime hartash arkeologjike, ata u përpoqën dhe arritën të vënë në zbatim një plan ogurzi për vlerat kombëtare të shqiptarëve, pavarësisht se këto vlera ekzistojnë përpara dhe përtej tyre. Mbi një mrekulli të shtresëzuar arkeologjike, ku çdo epokë kish lënë shenjën e vet me elegancë dhe respekt, këta shtetarët tanë të delirit dhe të dylekëshit vendosin të lënë gjurmën e tyre më të sinqertë, atë të një përbindëshi betoni të zi, 12 mijë metra katrorë në tokë, 2 mijë metra katrorë në qiell si velierë që veç vello nuk është (vello prej betoni s’kisha dëgjuar ndonjëherë) dhe tunele shqepës nën tokë, që gjoja të kalojnë makinat e durrsakëve të përgjumur. Me pak fjalë, krim 3-dimensional. Ndërkohë, këtë llahtarë e ndalon Kushtetuta, Ligji Për Trashëgiminë, aktet zyrtare që kategorizojnë Durrësin si qytet të Kategorisë së parë. Por, deliri i madhështisë nuk pyet për kësi “vogëlsirash”, deliri e trajton Shqipërinë si një ekspoze personale, ministrat, bashkiakët, arkeologët si skllevërit pa dinjitet në funksion të delirit të vet. Skllevër, të cilët për një çapë bukë, një mandat deputeti, bashkiaku ose ofiq fals, shesin veten, profesionin, Shqipërinë.
Vetëm një delir i verbër të çon me këmbëngulje drejt përdhunimit të vlerave kombëtare, duke dashur që mbi gjurmët e historisë, të imponosh tënden, duke dashur të tregosh që Shqipëria filloi me ty, se më parë s’kish asgjë. Dhe për hir të së vërtetës, vetëm delirantët janë kaq mediokër, janë kaq shterpë, cinikë dhe përtacë. Pasi këto elementë presupozojnë dhe ndjellin njëri-tjetrin. Sepse delirantët mbi varrin e tjetrit ngrenë piedestalin e vet dhe kjo është e mjerueshme, është e frikshme, jo për ata, por për bashkëkohësit e tyre.
Siti arkeologjik që u shkallmua së fundmi me përdhuni mbante në shpirt të tokës objekte të çmuara, civile, luftarake, mortore dhe ndërtime shumë domethënëse mijëravjeçarë, sit i cili çdo komb do ëndërronte ta kishte, por shqiptarët jo, ata janë në sherr me vlerat, me kombin, me veten. Armiku i shqiptarëve nuk flet serbisht, nuk flet greqisht, flet shqip, shqipen zyrtare sidomos.
Personalisht mendoj se Durrësi, nëntoka dhe mbitoka e të cilit janë një pasuri kombëtare duhet t’i kthehen historisë, të gërmohet, të zbulohet, t’i shfaqim botës anën tonë më të bukur të origjinës sonë evropiane, me vepra jo me broçkulla. Shqipëria ka vend për të gjitha epokat, por përherë në respekt të vlerave dhe trashëgimive.
Deliri, arroganca, skllevërit e dylekëshit, përherë nuk të çojnë askund, lavdinë e merr kur nuk e ke qëllim, por ideal shpirtëror.
Durrësi i përket historisë, pavarësisht se historia i ka ofruar administratorë të dylekëshit, durrsakët e përgjumur ecin mbi ar, po nuk e dinë, ata janë të mpirë që ditën që i mbyllën Ismail Qemalit derën fytyrës në atë 1912 të largët, ata mburren me indiferencën që kanë, indiferencë që është njëkohësisht rehatia, por edhe mallkimi i tyre. Kombi do kurajë, punë, shpirt të bukur dhe sidomos kujtesë dinjitoze, gjithçka tjetër është asgjë.

(GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: