TIRANË- Të njëjtët gjyqtarë që më 26 dhjetor 2017 vendosën t’i kthejnë pasaportën, duke hequr masën e ndalimit të udhëtimit jashtë Shqipërisë marrin sot një tjetër vendim në favor të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Trupës gjykuese të Apelit të Krimeve të Rënda, Saida Dollani (kryesuese), Fehmi Petku (anëtar) Sokal Binaj (anëtar) i janë dashur 30 minuta reflektim për të dalë në konkluzionin se duhej shfuqizuar masa “arrest shtëpie” e dhënë nga Gjykata e krimeve të Rënda, duke i rikthyer kështu lirinë.

Të njëjtët gjyqtarë që i kthyen sot lirinë, vendosën të pranojnë në dhjetor të vitit të shkuar provat e paraqitura nga avokati i Tahirit, se klienti i tij nuk përbënte rrezik për të prishur provat dhe se s’kishte arsye pse të largohej jashtë vendit.

Pasi u njoh me këtë vendim pas të cilit do të hetohet në gjendje të lirë, ish-ministri Tahiri u kthye në banesën e tij, në pritje që vendimi të ekzekutohet. Ndërkohë, që avokati i tij Maks Haxhiaj nuk e cilësoi “fitore personale” vendimin e dytë në favor të klientit të tij nga kjo treshe gjykuese.

Sipas tij, gjykatësit kanë dhënë një vendim të bazuar në provat që kishin përballë dhe konform ligjit.

Për rastin reagoi një ditë më parë për “BalkanWeb” edhe vetë ambasadori i SHBA-ve, Donald Lu i cili i bëri thirrje medias dhe shoqërisë civile të ishin vigjilente, pasi mund të kishte presione madje edhe t’ju ofroheshin para gjyqtarëve.

Ndonëse nuk përcaktoi se kujt prej gjyqtarëve mund t’i ishte bërë nën presion, apo t’i ishin ofruar para, fakt është që për Tahirin u mor i njëjti vendim si në dhjetorin e vitit të kaluar.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb