Zëvendëskryeministri dhe ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike të Kosovës Dardan Gashi së bashku me ministrin shqiptar të Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, takuan në Cyrih Rrjetin e Bizneseve Shqiptare në Zvicër.

“Është kënaqësi t’ju takojmë që të dy rrjetet nga Zvicra e Gjermania këtu në Qendrën tonë Kulturore dhe të bisedojmë për projekte të përbashkëta. Mendoj se ideja e hapjes së një Ode Ekonomike të Diasporës në Prishtinë është një projekt shumë i rëndësishëm dhe duhet të realizohet, e jo të mbetet vetëm si ide. Ne në Kosovë kemi një numër të madh të bizneseve të vogla dhe të mesme, por edhe të mëdha nga diaspora. Një përqindje e madhe e prodhimit që bëhet në Kosovë është nga kompani të diasporës”, tha ministri Gashi.

Ai po ashtu informoi afaristët nga Zvicra dhe Gjermania për platformën e re të regjistrit të bizneseve të diasporës, e cila pritet të promovohet së shpejti dhe ku bizneset nga e gjithë diasporë në formë elektronike do të mund të lidhen për projekte dhe bashkëpunime të frytshme në të ardhmen.

Këtij takimi iu bashkua edhe Unioni i Bizneseve Shqiptare në Gjermani, për të diskutuar po ashtu mundësitë e bashkëpunimit dhe realizimit të projekteve të përbashkëta nga të dy organizatat në Kosovë dhe Shqipëri.

“Ne tashmë kemi filluar punën në nivelin e ekspertëve për të themeluar Bankën e Diasporës në Kosovë. Besojmë që së shpejti do të kemi edhe rezultate konkrete”, tha Bekim Brestovci, drejtor ekzekutiv i Unionit të Bizneseve Shqiptare në Diasporë.

Kërkesat e bizneseve ishin lehtësimi i barrierave burokratike të trashëguara nga e kaluara të eliminohen, ashtu që Kosova të jetë një vend atraktiv për investime.

“Njerëzit e politikës na janë referuar nga foltoret. Ne kemi nevojë për punë dhe takime të këtilla, kështu që të bashkëpunojmë në forma konkrete, të cilat do të ishin të frytshme për të gjitha palët”, thanë përfaqësuesit e Unionit të Bizneseve të Gjermanisë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb