TIRANE– Pas pretendimeve të gazetarit investigativ Artan Hoxha në emisionin “Të Paekspzuarit’ në ‘News24’, i cili paralajmëroi një përplasje të fortë mes lobeve ekonomike dhe atyre të krimit këtë vit zgjedhor në Elbasan, ka reaguar Bashkia e Elbasanit.

I kontaktuar nga Gazeta “TemA”, përgjegjësi Zyrës së Informacionit në bashki, Besim Dybeli, thotë se nuk ka pasur ndonjë gjendje të vështirë për sigurinë e kryebashkiakut Qazim Sejdini. Dybeli shprehet se deklarata e bërë nga gazetari Hoxha nuk është e vërtetë duke hedhur poshtë dyshimet për ndonjë sulm ndaj kryebashkiakut Sejdini.

“Përkundër deklaratës së gazetarit është e drejta e tij, por rreth Kryebashkiakut nuk ka asnjë lloj rreziku. Dua t’ju them se Qazim Sejdini vijon punën e tij normalisht dhe nuk ka pasur asnjë problem apo shqetësim,” pohon Dybeli.

I pyetur nga gazeta “TemA” nëse ka pasur ndonjë kërcenim ndaj kryebashkiakut Sejdini që mund të ketë sjellë shtimin e masave të sigurisë, Dybeli argumenton se nuk rruhet nga forcat speciale.

“Analistët dhe gaztarët janë të lirë të shprehin deklarata, por unë jam i përditshëm në Bashki për shkak të punës që bëj dhe nuk ka asnjë kërcenim në adresë të z. Sejdini.
Nuk është e vërtetë absolutisht që ruhet nga forcat speciale dhe këtë mund t’ua u them me shumë sinqeritet dhe përgjegjësi,” shprehet Dybeli.

Më herët gazetari Hoxha paralajmëroi përplasje të forte gjatë fushatës elektorale mes  palëve politike dhe atyre të krimit në qytetin e Elbasan.
“Që nga momenti që kryetari i Bashkisë së Elbasanit lëviz i ruajtur nga forcat speciale, atëherë unë mund t’ju them se rreziku i këtyre zgjedhjeve është Elbasani. Do ketë një përplasje shumë të fortë. Edhe një nga partitë e koalicionit, partia çame ka bazë të fortë, PS po, LSI po dhe opozita nuk heq dorë. Përplasje e lobeve të forta ekonomike dhe të botës së krimit. Vaterloja ka zbritur nga Lezha në Elbasan. Biznesi i pari, paraja”, theksoi Hoxha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb