TIRANË- Në ditëlindjen e aktorit të madh të humorit, Met Bega, vajza e tij Matilda ka një mesazh prekës për të dhe miqtë e saj. Ajo shkruan në “Facebook” se pak kush e di emrin e saj, pasi të gjithë e njohin si vajza e Met Begës, ashtu si edhe nipat e tij, për të cilët aktori pati shumë ëndrra por nuk mundi pasi u sëmur e vuajti nga një sëmundje që nuk e meritonte.

Matilda thotë se nuk do kujtojë asnjëherë ditën e vdekjes por ditën e lindjes që babai e festonte dy herë.

“Sot është data 7 Gusht një datë që nuk do ta harroj derisa të vdes është data e ditëlindjes së babait tim. Unë jam Matilda Bega por pak ma dinë emrin. Unë për të gjithë jam e bija e Met Begës.
Edhe pse u bënë 2 vite pa babin përditë e njëjta pyetje mos je gjë e bija e Met Begës. Sa mirë ndjehem se kështu ai mbetet me mua deri në vdekje.
Edhe pse mama e 2 fëmijëve mbetem e bija e Metit madje edhe fëmijëve të mi Reas edhe Geldit tashmë u thonë mbesa dhe nipi i Met Begës për të cilët gjyshi pati shumë ëndrra, por nuk mundi, u sëmur, vuajti shumë nga një sëmundje të cilën ai nuk e meritonte. Gjithsesi për një gjë jam e sigurt ai vuajti gjatë nga sëmundja në tokë, por tashmë një gjë është e sigurt, ai është në parajsë. Kurrë nuk do ja kujtoj ditën e vdekjes tim ati por për të ka vetëm një datë, data e lindjes 7 gusht. Këtë datë ai vetë e kishte të shenjtë: bënte 2 festa, një në shtëpi e një me kolegët e estradës. Gëzuar ditëlindjen baba, festo aty në parajsë ku e meriton”, shkruan Matilda Bega.

Met Bega

Aktori i shquar i estradës shqiptare që ka bërë të qeshin miliona shqiptare dhe vijon ende sot të sjellë humor me krijimtarinë e tij të lënë pas u nda nga jeta në moshë 69-vjeçare pas një sëmundje të rëndë më 21 prill 2015.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb