TIRANË- Partia Demokratike ka deklaruar zyrtarisht se votimi për kreun e parlamentit u manipulua. Edhe deputeti i PD-së Tritan Shehu flet për skenarë të sigurimit të shtetit duke theksuar se procesi u manipulua për të krijuar diversione.

STATUSI I TRITAN SHEHUT

PD votoi sot në përputhje të plotë me principet tona demokratike, besnike e idealeve të dhjetorit.
Kjo ishte sot në Kuvend vota e PD, pa asnjë ekuivok, e qartë, direkte e pa interpretime apo “mos pjesëmarrje”!
Kjo është shumë e rëndësishme për ecurinë tonë të përbashkët në këtë legjislaturë sfidash historike.

Një këshillë miqësore për ata që me të drejtë e realisht janë inatosur për dy vota të inskenuara ashtu si “sigurimi” i djeshëm dinte të thurte:

Askush nga ne nuk duhet të bjerë pre e atyre, që me trashëgiminë diabolike nga e dikurshmja, gjetën mënyrën për të manipuluar sot një proces votimi, pikërisht për të krijuar të tilla diversione, gjë për të cilat janë “mjeshtra”.

Diçka në fund: si mund t’i besohet një rezultati votimi të nxjerrë nga një Komision ku PD me të drejtë vendosi të mos kishte përfaqësuesit e saj?!

Pavarësisht çdo mënyre interpretimi, dita e sotme veçse konfirmoi edhe një herë vullnetin tonë demokratik, si dhe meskinitetin e metodave të reminishencave diktatoriale, cilado qofshin ato!

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb