*Falenderoj bashkëpunimin me Prokurorinë e Përgjithshme, pa të cilat puna dhe efektiviteti i policisë nuk do ishte në nivelin e duhur profesional

TIRANË
-Zv.Ministri i Brendshëm Ilir Marko ka përshëndetur me një fjalë takimin e gjashtë të PAMECA 4, në kuadër të projektit për konsolidimin e kapaciteteve ligjzbatuese në Shqipëri.
Në fjalën e tij, Marko u ndal vecanërisht në procesin e menaxhimit të kufijve të integruar, duke e lidhur me cështjen e dyndjes së refugjatëve të luftës që kanë mësyrë Ballkanin. Sipas zv.Ministrit të Brendshëm, ky është momenti për të përfituar nga kolegët perëndimore sesi kanë menaxhuar situata të ngjashme.

“Ministria e Punëve të Brendshme e ka konsideruar proçesin e menaxhimit të kufijve të integruar një çështje thelbësore të sigurisë së vendit, rajonit të Ballkanit dhe më gjerë. Në kushtet aktuale kur prej kohësh kufinjtë tanë kërcënohen nga dyndje të pakontrolluara të refugjatëve është konsideruar mjaft imperative përfitimi i eksperiencave më të mira nga kolegët perëndimorë për të administruar me sukses situata të ndryshme krizash në këtë fushë. PAMECA 4 ka ofruar një ndihmë të pakursyer për forcimin e kapaciteteve dhe infrastrukturës për kontrollin e kufirit, duke dhënë ndihmesë për çeshtje sensitive si azili dhe emigracioni në përputhje me standardet SHENGEN. Falë kësaj asistence, Shqipëria ka aktualisht të miratuar një bazë ligjore dhe nënligjore moderne, si dhe një seri dokumentash dhe manualesh strategjikë për çështjet e menaxhimit të kufijve, trajtimit të të huajve, refugjatëve etj”
Sipas Markos, “kjo nuk do të thotë që vendi ynë është i gatshëm për të pritur dhe trajtuar dyndje të mëdha refugjatësh, por në varësi të mundësive tona infrastrukturore Shqipëria mund të japë kontributin e saj, të kushtëzuar nga një koordinim i plotë me vendet partnere perëndimore dhe vendimarrjet politike të institucioneve të Bashkimit Evropian”.

Po kështu, zv.Ministri i Brendshëm Ilir Marko vuri theksin tek bashkëpunimi i ngushtë që Policia ka me Prokurorinë e Përgjithshme.
“Më lejoni që në mënyrë të veçantë të vlerësoj dhe falenderoj bashkëpunimin me Prokurorinë e Përgjithshme dhe strukturat e saj të veçanta, pa të cilat puna dhe efektiviteti i policisë në kuadër të këtij projekti dhe jo vetëm, nuk do ishte në nivelin e duhur profesional”.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb