TORINO- Detaje të reja mësohen pas ngjarjes së rëndë të ndodhur pak ditë më parë në Itali, ku shqiptarja Angela Meçani u hodh nga një makinë në ecje e sipër në Torino dhe gjeti vdekjen një ditë më pas në spital (e diel 10 qershor).

“La Stampa” shkruan sot se vajzës i është gjetur një dokument identifikimi në rrobat që mbante veshur por edhe telefoni celular, të cilin e kanë sekuestruar tashmë hetuesit, ndërsa po kërkohet makina nga e cila vajza është parë të hidhet.

Hetimet janë përqendruar edhe në pistën që Anxhela mund të jetë hedhur vetë nga makina. Sipas tyre, një bandë e organizuar, nga ato që i përdorin e më pas i hedhin prostitutat në rrugë, nuk i braktisin viktimat e tyre me dokumente, madje edhe me telefon në xhep.

Dyshimet e tyre i përforcojnë dhe fjalët e fundit të Anxhelës, me të mbërritur në spitalin Santa Croce di Moncalieri. Me zërin e mekur vajza është dëgjuar të thotë “Rashë nga makina”, sikur donte të fshihte dikë apo të fshihej prej dikujt.

Referuar dokumenteve të saj të identifikimit Anxhela Meçani rezulton të ketë lindur në Shqipëri më 1 mars 1998. Në Itali ka mbërritur kur ishte minorene. Zyrtarisht ajo banonte në Ravenna, në një apartament në mes të qëndrës historike, pak hapa larg da piazza del Popolo.

Shkurtin e kaluar ajo ishte martuar, por pak muaj më vonë ishte larguar nga shtëpia dhe kishte humbur çdo lidhje me bashkëshortin e saj italian. Mediat italiane nuk e përjashtojnë mundësinë e gjetjes së një partneri tjetër.

Por prej disa javësh ajo ishte rishfaqur sërish në Torino. Që nga fillimi i muajit maj, vajzat që shesin trupin me 30 euro rreth zonës së Stupinidit e kujtojnë atë si “njëra prej të rejave” në atë zonë. Ka shumë gjasa që edhe mbrëmjen e së shtunës ajo të ishte në punë, kur makina i ndaloi tek këmbët dhe e ftoi brenda. Nga vendi ku qëndrojnë prostitutat deri në vendin ku është gjetur trupi i saj nuk është më larg se 2 kilometra.

HETIMET
Grupi hetimor ka dëgjuar dhe ri dëgjuar dëshmitarin që një natë më parë, pak pas orës 02:00 dha alarmin. Ata po përpiqen të identifikojnë modelin dhe ngjyrën e makinës nisur nga dëshmia e këtij të fundit por edhe fotot e shkëputura nga telekamerat e zonës. Edhe pse nuk mund të flasin për një grup të strukturuar që menaxhonte vajzat e rrugës, dyshimet e tyre mbeten të forta pas fjalëve të mjekëve. Ata thonë se e reja përveç plagëve të marra nga përplasja në rrugë, kishte edhe shenja të tjera në trup. Është e sigurt që ajo është dhunuar e për t’i shpëtuar kthetrave ajo ka ndërmarrë aktin e rëndë, atë të vetëflijimit.

AUTOPSIA
Do të jetë autopsia ajo që do të hedh dritë mbi të gjitha dyshimet. Mediat italiane thonë se ekspertiza mjeko-ligjore pritet të kryhet sot dhe do të vihet në dispozicion të prokurorisë së Torinos që heton për vrasjen. Dosja i është besuar prokurores Livia Locci. Kjo e fundit është duke pritur edhe zbardhjen e tabulateve telefonike, pasi ka dyshime të forta që mes numrave në telefonin e vajzës të jetë edhe ai i vrasësit.

Burimi: La Stampa
Përktheu: BalkanWeb

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb