Sezoni i fundit si rrallëherë la “thatë” Barcelonën pasi nuk mori asnjë nga dy trofetë prestigjioz, “La Laga-n” dhe “Champions League-n”, duke treguar qartë se klubi ka nevojë për përforcime.

Deri më tani katalanasit kanë afruar dy emra jo pak të lakuar si Nelson Semedo dhe Gerard Deulofeu, por të cilët nuk janë “top player-at” të cilët priteshin në “Camp Nou”.

Nëse klubi po qëndron duarkryq, atëherë ka një arsye pasi Lionel Messi dhe Neymar po bëjnë punën e drejtorit sportiv teksa kanë piketuar përforcimin që sipas tyre i nevojitet klubit. Sipas “Daily Express”, yjet katalanas kanë kërkuar blerjen e Dele Alli nga Totenham.

Katalanasit janë interesuar edhe për brazilianin e Liverpool, Philippe Coutinho dhe yllin e Borussia Dortmund Ousmane Dembele. Megjithatë, Messi dhe Neymar duan mesfushorin anglez në Barcelonë. 21-vjeçari ka qenë protagonist sezonin e kaluar me Tottenham duke realizuar 22 gola në 50 ndeshje të luajtura në të gjitha kompeticionet. Për shkak të këtyre paraqitjeve, klubet më të mëdha të Europës janë vënë në lëvizje për Alli.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb