Një rumune dhe një ish-lojtar i Kombëtares shqiptare. Përballja e nesërme ndërmjet Rumanisë dhe Shqipërisë do të jetë e veçantë për Elis Bakajn dhe të fejuarën e tij rumune, Andrea Kostandin. Nga dashuri, në “kundërshtarë” për 90 minuta. Një sfidë që vlen shumë për të dyja ekipet. Në një intervistë për gazetën “Panorama Sport”, Kostandin rrëfen gjithçka në lidhje me Shqipërinë, Elisin dhe fjalët e çuditshme që përdoren në vendin tonë.

“E kam ndarë mendjen, kur të luaj Rumania me Shqipërinë, sigurisht që do të jem me ekipin e vendit tim. Nuk mund të veproj ndryshe. Është diçka që ndiej”, thotë prerë dhe e vendosur rumunji. Ajo është e bindur se Bakaj e meritonte të ishte pjesë e Kombëtares në Francë, ndërsa tregon për jetën në Shqipëri dhe qytetin e saj të preferuar. “Tenxhere është fjala që më bën më shumë përshtypje. E vështirë ta shqiptosh. Por, ka edhe fjalë të tjera”, thotë e fejuara e Elis Bakajt.

Shqipëria dhe Rumania janë në një grup në Europian dhe të dielën do të përballen mes tyre. A është e dyzuar Andrea për ndeshjet e Europianit?
Jo, nuk jam në fakt.

Për kë skuadër do të bësh tifo, për Shqipërinë e Elisit apo për Rumaninë tënde?
E kam ndarë mendjen. Kur të luaj Rumania me Shqipërinë, sigurisht që do të jem me ekipin e vendit tim. Nuk mund të veproj ndryshe. Është diçka që ndiej. Ndërsa, në dy ndeshjet e tjera të kuqezinjve, të paktën për ato të fazës së grupeve, me Zvicrën dhe Francën, normalisht që bëra tifozllëk për Shqipërinë.

Sa e njeh Kombëtaren shqiptare?
Të tregohem e sinqertë, nuk e njoh.

A di ndonjë emër të futbollistëve?
Njihja vetëm Elisin, kur ai ishte pjesë e Kombëtares.

Keni planifikuar ndonjë rrugëtim në Francë për ta parë nga afër ndeshjen Shqipëri-Rumani?
Do më pëlqente shumë, por nuk kemi kohë që të shkojmë. Por, në televizor do ta shohim. Nuk mund ta humbasim sigurisht.

Ke vendosur ndonjë “bast” me Elisin, a je gati që t’i hapësh “sfidë” për atë ndeshje?
Nuk kemi vendosur asnjë “bast” ende, por besoj se do ta shohim me shumë emocione ndeshjen. Fakti që jemi kundërshtarë për 90 minuta për mua do të thotë shumë.

Çfarë është Shqipëria për ty?
Shqipëria është shtëpia ime e dytë.

A është e lehtë për një rumune të përshtatet në një vend si yni?
Nuk e kam pasur aspak të lehtë në fillim, por me kalimin e kohës jam përshtatur shumë. Veç Elisit, familja e tij më ka ndihmuar pa fund, tashmë edhe unë mund të ndihem disi shqiptare, derisa një pjesë të mirë të kohës sime e kaloj këtu.

Mund të na thoni ndonjë të përbashkët mes Rumanisë dhe Shqipërisë?
Kemi shumë ngjashmëri në fakt. Mentaliteti është thuajse i njëjtë. Të paktën kështu më duket mua. Por, edhe muzikën në stil e kemi tejet të ngjashme.

Si është raporti yt me shqipen, pasi t’u bënë disa vite në Shqipëri?
Kuptoj pak. Në kaq kohë në Shqipëri, kam mësuar disa fjalë. Megjithatë me kalimin e kohës do mësoj edhe më shumë. Derisa kam kontakt me shqiptarë, mendoj se do t’ia arrij me sukses.

Na thuaj një fjalë që të tingëllon çuditshëm në shqip?
Tenxhere (qesh). Vështirë ta shqiptosh. Por, ka edhe fjalë të tjera. Megjithatë, kjo është e para që më vjen në mendje.

Po jetesa në kryeqytet a të pëlqen?
Më pëlqen shumë. Ka gjallëri.

Kush është qyteti yt i preferuar në Shqipëri?
Durrësi. Më pëlqen shumë si qytet, ndoshta pasi ka det. Pastaj është edhe afër Tiranës, ndaj edhe ne e vizitojmë shpesh.

A do të doje që të ishte edhe Elisi pjesë e Shqipërisë në këtë Europian, duke qenë se është një ndër futbollistët më të dalluar?
Sigurisht që do të doja dhe jam e bindur që e meriton. Po të ishte rumun jam e sigurt që do ishte pjesë e Kombëtares. Me 100 për qind e them këtë.

Ke ndonjë këngëtar shqiptar të preferuar?
Hëm, Dafina Zeqiri. Ndërsa kënga e preferuar është “Hajde ma knej”.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb