Nga: Ron CHRISTIE
Zgjedhja e Donald Trump si presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara ka mërzitur zgjuarsinë konvencionale rreth atributeve dhe sjelljes për sa i përket rezidentit të Zyrës Ovale, shkruhet në një analizë nga ish këshilltari i presidentit të 43-të amerikan George W Bush, Ron Christie për BBC.
Etiketa shpesh i ka hapur rrugë vrazhdësisë së Trump në mënyra që shastisin edhe mbështetësit e tij më të flaktë.
Për të vlerësuar vitin e parë të presidentit në detyrë, duhet të kujtojmë një film të preferuar western me protagonist Clint Eastwood i quajtur “I Miri, i Keqi dhe i Shëmtuari.
Në këtë prizëm, do bëj më të mirën të vlerësoj 365 ditët e kaluara të presidencës Trump.

E mira
Që nga ceremonia e inaugurimit të Trump, ekonomia amerikane është rikthyer në jetë. Pothuajse 2.1 milion vende pune janë krijuar gjatë kësaj kohe dhe papunësia mbetet në nivelin 4.1% në SHBA.
Papunësia e afrikano-amerikanëve është aktualisht 6.8% – më e ulëta gjatë 45 viteve të fundit.
Për më tepër, besimi i konsumatorit dhe biznesit është ngritur, emigracioni i paligjshëm është ulur dhe përspektivat për rritje të vazhduar me 3% të GDP-së i gjejnë perspektivat e ekonomisë amerikane shumë të forta.
Dhe megjithatë, Trump dhe partia e tij e gjejnë veten drejt zgjedhjeve në mes të mandatit në të cilat njëra ose të dyja dhomat e Kongresit mund të kalojnë në kontrollin e Demokratëve.
Si është e mundur duke patur parasysh lajme kaq të mira ekonomike?

E keqja
Republikanët në Uashington kontrollojnë secilin krah të Pennsylvania Avenue me Shtëpinë e Bardhë në një krah dhe Capitol Hill në krahun tjetër.
Niveli i kontrollit është kaq dominues në fakt saqë Republikanët nuk kanë patur një maxhorancë qeverisëse që në vitin 1929.
Në këtë kontekst, dikush mund të supozojë se lista e dëshirave të Republikanëve për shfuqizimin e Obamacare, uljen e taksave dhe ndryshimin e rregulloreve duhet të kishte qenë relativisht e lehtë, por në fakt e ka gabim.
Qasja ‘duart-larg’ e Presidentit Trump ndaj procesit legjislativ ka lejuar fraksione të ligjvënësve republikanë të ankohen dhe të luftojnë haptazi me njëri tjetrin në lidhje me drejtimin që duhet të marrë partia.
Vakumi i pushtetit të Trump-it bëri që Republikanët të mos ishin në gjendje të shfuqizonin ligjin për kujdesin shëndetësor të nënshkruar nga Presidenti Obama.
Gjithashtu ata miratuan një ulje taksash që i lejon Demokratët të portretizojnë Republikanët si lolo për të pasurit- shumë besojnë se nëse Trump do kishte qenë më agresiv në negociata, do ishte miratuar një projektligj më i paanshëm.
Demokratëve ju duhen vetëm 24 vende për të ndryshuar kontrollin në Dhomën e Përfaqësuesve dhe 38 ligjvënës republikanë tashmë kanë njoftuar se nuk do kandidojnë në zgjedhjet e nëntorit.
Nëse Republikanët humbasin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, bisedat për akuzat për të hequr Presidentin Trump nga zyra, nga të pamundura bëhen një mundësi e vërtetë dhe e rrezikshme.

E shëmtuara
Ndërsa Presidentit Trump i pëlqen ta portretizojë veten si viktimë e ‘fake news’ në duart e mediave të njëanshme, e vërteta është se ai shpesh është armiku më i keq i vetes.
Përdorimi i tij i vazhdueshëm i rrjetit social Twitter për t’i ulur vlerat kundërshtarëve të tij të vërtetë dhe të hamendsuar është nën dinjitetin e zyrës së tij.
Liderët botërorë mbeten të shushatur nga sjellja e tij dhe bisedat rreth shëndetit mendor të Trump janë kaq të zakonshme saqë duket pothuajse si një gjë normale, por që në fakt nuk është.
Mbështetësit e Trump-it mendojnë se mënyra e ashpër e të folurit dhe përdorimi i mediave sociale e lejojnë atë të lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me mbështetësit e tij.
Por kjo premisë ka të metat e veta – Trump u zgjodh të përfaqësonte 300 milionë amerikanë. Të gjithë amerikanët. Dhe kjo përfshin ata që janë me ngjyrë, gay, muslimanë dhe transgjinorë.
Një president nuk mund të synojë të kënaqë popullsinë e bardhë të shtresës së mesme në kurriz të pjesës tjetër të popullsisë amerikane dhe të qeverisë në mënyrë të suksesshme vendin.
Trump duhet të kuptojë që diverstiteti i amerikanëve është fuqia e tyre.

E ardhmja
365 ditët e ardhshme janë plotësisht dhe ekskluzivisht në duart e presidentit.
Nëse ekonomia amerikane mbetet e fortë dhe konfliktet e huaja jashtë vendit mbeten të përmbajtura, Trump duhet të jetë në një pozicion të mirë drejt ri-zgjedhjes në 2020.
Nëse impulset e këqija dhe të shëmtuara mbeten – nënvlerësimi i njerëzve brenda dhe jashtë vendit, bashkë me një paaftësi për të punuar me ligjvënësit në adresimin e problemeve të vërteta që po përballet populli amerikan – koha e Trump në Shtëpinë e Bardhë do të jetë një periudhë e izoluar, dhe anëtarët e partisë së tij si dhe Demokratët do kërkojnë ta largojnë nga aty në 2020.

A do mundet Donald Trump ta kuptojë seriozitetin dhe përgjegjësinë që ka? Vetëm koha do ta tregojë.

(Përktheu për BalkanWeb/Aleksandra Kola)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: