Menu Krye Të Fundit | Shqipëria |

E premtuan para zgjedhjeve, Rama dhe Basha harruan votimin elektronik

basha-rama--1024x700

Implementimi i votimit e numërimit elektronik, ka qenë premtimi që si kryeministri, Edi Rama ashtu edhe lideri i opozitës, Lulzim Basha ranë dakord parimisht për ta zbatuar pas 25 qershorit.

Por si dje Rama, në prezantimin e programit qeverisës, ashtu edhe sot Basha, në fjalimin për denoncimin e qeverisë, folën për gjithçka por jo për atë që më herët u cilësua prej tyre si “kauza” e zgjedhjeve të lira e të ndershme, raporton “BalkanWeb”.

Pak para 25 qershorit, kreu i PD-së paralajmëroi se opozita nuk do të tërhiqej kurrë nga kërkesa për implementimin e votimit elektronik, si një garanci siç tha ai për zgjedhje të lira e të ndershme.

“Spikat propozimi ynë për votimin elektronik, që i jep zgjidhje përfundimtare disa problemeve. Duke votuar me shenjën e gishtit, asnjë shqiptari nuk do t’i mohohet e drejta për të votuar. Mbledhja e kartave nuk do të funksionojë. As mekanizmi i votuesve shëtitës. Askush nuk do të fusë më duart te votat e shqiptarëve. Nuk do ketë mundësi ku ushtritë e kriminelëve të tjetërsojnë votën e shqiptarëve”, tha Basha.

Nga ana tjetër kryeministri Rama iu përgjigj aso kohe me një postim në rrjetet sociale ku ndonëse e cilësoi të parealizueshme për garën e afërt elektorale pranimin e votimit elektronik la të hapur çdo mundësi për implementimin e këtij projekti pas 25 qershorit.

“Le ta ndërmarrë menjëherë Komisioni i Reformës Zgjedhore një proces eksplorimi dhe le të thërrasë e të dëgjojë këdo, që mbi bazën e një eksperience të suksesshme në këtë fushë, mund t’i paraqesë Shqipërisë një plan konkret, të faktuar e të garantuar, për të hedhur një hap në këtë drejtim. E nëse një ofertë serioze i vihet përpara Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe siguron opinionin pozitiv të OSBE/ODHIR-it (sepse duam s’duam, arbitri i vetëm i standarteve zgjedhore që njeh bota demokratike janë ata), atëherë pse jo!”, – garantonte ndër të tjera shefi i qeverisë.

E gati dy muaj pas zgjedhjeve, si Basha e Rama e harruan angazhimin publik. Çfarë të ketë ndodhur?
(BalkanWeb)


Komente ( 2 )

KOMENTO

*E-mail nuk do te publikohet.
Komenti juaj do publikohet brënda 3 orëve , nëse përdorni fjalor ofendues , komenti nuk do të publikohet nga moderatori .


Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.