Nga Jorida Tabaku
Ndoqa dje deklaratën e ministrit Ahmetaj dhe zhurmën që ajo shkaktoi në media si pasojë e të qenurit bombastike por pa asnjë të vërtetë aty brenda. Deklaroi se protesta e opozitës ka krijuar ngërç në ekonomi, por përpara se opozita të dilte në protestë duke hapur dhe çadrën e lirisë qeveria nuk mundi të sillte asnjë investitor serioz dhe strategjik, ndonëse ka miratuar në kuvend dy ligje por pa asnjë rezultat.

Tani që ka dështuar me sukses në Investimet Strategjike të Huaja do të gjejë një justifikim dhe përmend çadrën. Mos harrojmë që me një opozitë të djeshme që nuk pranonte votimin e 3 ligjeve Partia Demokratike solli disa investime strategjike nga të cilat sot përfiton ekonomia shqiptare si TAP dhe Devolli. E vetmja e keqe që i ka ardhur qeverisë janë vendimet arbitrare, është taksa progresive e janë tenderët e koncesionet abuzive.

1. Rritja ekonomike ka qenë 3.4%
Rritja ekonomike vjen nga TAP dhe Devolli, 40% e IHD-ve kanë qenë nga këto dy investime. Qeveria flet për një rritje prej 3.45% por veç këtyre investimeve të huaja nuk shoh rritje ekonomike tek bujqësia e cila ka një prodhim shumë të ulët. Manifakturat janë në stanjacion dhe fasonët kanë problem duke u penalizuar nga politikat fiskale duke shënuar rënie.

2. Paratë që lidhen me drogën.
Shqetësimi i ngritur nga mediat ndërkombëtare dhe në lidhje me pastrimin e parave të pista të drogës gjen mbështetje edhe nga FMN apo edhe raporte të tjera ndërkombëtare që flasin se rreth 40% e GDP-së sonë ka ndikim nga paratë e drogës. Ky është një shqetësim serioz që qeveria duhet ta trajtojë me kujdesin e duhur.

3. Konsolidimi fiskal. Borxhi
Qeveria pretendon se borxhi është ulur dhe se kjo është arritje por nuk shpjegon se përse megjithëse kemi pasur katër vjet arritje borxhi publik nuk ka zbritur në 60% sa premtimi elektoral? Së dyti ku kanë shkuar këto para të marra borxh ku nuk kemi asnjë investim në shërbime dhe në të mirë të komunitetit dhe ekonomisë? Qeveria thotë që këto para kanë shkuar për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, të cilat sipas Deloitte Touch kanë qenë 170 mln USD. Por nëse kjo është e vërtetë përse sot borxhi i prapambetur ndaj bizneseve është 180 mln USD?

Gjithashtu, bankat e nivelit të II po investojnë më shumë para në borxhin publik duke reflektuar së pari problemin e borxhit publik dhe një zhbalancim të dëmshëm edhe së dyti duke na paraqitur një mospërputhje mes ndjesisë ekonomike të bizneseve dhe individëve me atë që propagandon qeveria. Pra, bizneset dhe qytetarët nuk kanë siguri ekonomike për të marrë para borxh në banka, si ka mundësi kjo kur ekonomia është kaq e shëndoshë? Sot kreditimi i biznesit është rrethe 40 mln usd më i ulët.

4. Punësimi.
Rritja e propaganduar nga qeveria është rritje ciklike e ekonomisë, në bashki të Tiranës hapen edhe pa kryer ndonjë veprim incentivues rreth 5 mijë biznese të reja në vit. Nëse do fokusohemi tek të dhënat e punësimit dhe incentivave të qeverisë atëherë shohim që nuk kemi një rritje të punësimit por vetëm formalizim dhe abuzim me shifrat sidomos tek bujqësia.

Përndryshe si shpjegohet që tek të rinjtë papunësia është shumë e lartë? Sipas të dhënave 1 në 3 të rinj ose është i papunë ose i pashkolluar.
Siç e shihni, mazhoranca është pa një bilanc pozitiv dhe merret me propagandë. Sot është një ditë e vështirë për të duke qenë se gjithë fuqitë e saj i kishte përqendruar tek parulla “Opozita nuk do Vettingun.” Por dita e sotme na tregoi që është mazhoranca dhe z. Rama që nuk e ka pasur seriozisht votën e tij tek vettingu. Kalaja prej rëre që ndërtoi kryeministri duket se po e zë brenda.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb