Nga GENTI BEQIRI*
Fluksi hyrës i IHD në Shqipëri ka ruajtur një trend rritës pozitiv gjatë viteve. Për vitin 2015, referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, Shqipëria ka thithur më shumë investime të huaja krahasuar me vitin e kaluar, duke ruajtur këtë trend. Konkretisht, prej vlerës 869 milionë euro në vitin 2014, flukset e IHD-ve në 2015 shkuan në vlerat 890 milionë euro.
Pra për vitin 2015, kemi një rritje të vlerës së IHD me 21 mln euro ose rreth 2.4% krahasuar me vitin 2014. Investimet e huaja direkte, në vitin 2015, mbulojnë 11.6% të PPB.
Për tremujorin III të vitit 2016, fluksi i Investimeve të Huaja Direkte është 286 milionë euro, me një tendencë rritjeje me 12%, krahasuar me fluksin prej 255 milionë eurosh të së njëjtës periudhë të vitit 2015.
Fluksi i Investimeve të Huaja për tremujorin III të vitit 2016 ka pasur një rritje prej 10% krahasuar me tremujorin II dhe një rritje prej 85% krahasuar me tremujorin I të vitit 2016.
Gjithashtu, magnituda e indikatorëve të IHD-ve kundrejt PBB-së është rritur në 11.6% për vitin 2015, nga 8.7% që ishte në vitin 2014.
Stoku i investimeve
Për sa i përket Stokut të Investimeve, për vitin 2015, ai ka pësuar një rritje prej 9.6% krahasuar me vitin paraardhës, duke arritur në vlerën e 5,005 milionë eurove, nga 4,565 milionë euro që shënonte në vitin 2014. Ndonëse Investimet e Huaja Direkte në Shqipëri janë një fenomen i kohëve të fundit dhe shumica e stokut është akumuluar vetëm në 10 vitet e fundit, ndërkohë që vendet e tjera kanë tërhequr IHD për një periudhë të gjatë kohe, Stoku është rritur ndjeshëm.
Në vitet e fundit, Shqipëria ka tejkaluar vendet e tjera në tërheqjen e IHD-ve, duke marrë parasysh madhësinë e ekonomisë. Kështu, në krahasim me Maqedoninë, fluksi i IHD në Shqipëri në 2013-2015 ishte pothuajse pesë herë më i madh në terma absolutë, duke sjellë Shqipërinë më afër vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në lidhje me stokun e Investimeve të Huaja Direkte (investimet e akumuluara hyrëse).
Shoqëritë me kapital të huaj dhe të përbashkët të regjistruara në Shqipëri
Referuar të dhënave zyrtare të QKB, rezulton se për vitin 2016 janë regjistruar rreth 1,323 kompani të cilat janë aktive dhe operojnë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë shqiptare dhe origjinën e investimit e kanë nga Italia, Greqia, Turqia etj. Krahasuar me vitin paraardhës kemi një rritje prej 25%, ndërsa krahasuar me vitin 2014 rritja është 43%.
* Drejtor i Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve

(GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: