NGA BLEDI MANE*

Ne që e shohim realitetin nga dritarja e autobusit të linjës, ne që prekim realitetin e vobektë te ushqimorja e lagjes, ne që gëzohemi si fëmijë kur marrim rrogën, ne që nuk blejmë dot cigare të hapura për shkak të kuponit tatimor, ne që shërohemi me ilaçet kontrabandë dhe flemë në korridoret e spitaleve të ftohura nga e ftohta e sistemit, ne që paguajmë taksa për të krimbosur e për të krimosur parlamentarizmin, ne që na keni gjuajtur me vezë 25 vjet rresht e na keni bërë pis bluzat, brekët, kanatieret, lëkurën, indet, damarët, qelizat, kockat…Ne pra që ua dhamë sërish 1 milionë vota në qershor dhe ikëm në Gjermani si lugati nga sytë këmbët, sot kemi nevojë të na dëgjoni. Nuk duam ndërrime vendesh, lenie pushteti por thjesht pak respekt e tolerancë.
2./
Nëse Rumania u përvëlua nga zjarri i një diskoteke që shkrumboi edhe politikën e korruptuar atje, nuk mund të presim këtu të përvëlohet ndonjë mejhane Blloku ku pordhët shiten më shtrenjtë se një gram kokainë e më pas të zgjohet mileti i mpirë. Nuhatja u ka shterruar, kokfortësia nuk ua ul dot hundën kapriçoze, vaniteti prej pushtetari në kalbje po u vjen erë, obeziteti i korrupsionit u ka dhjamosur tru e ndjesi, reformat historike drastike nuk dini ti mbroni, koalicionin e keni katandisur të sëmurë e nuk e çoni as në spitalet private, keni futur në lojë një opozitë që as në stolin e rezervave nuk ishte këto dy vjet ndaj mblidhni mendjen e shtrëngoni sumën për punën në vazhdim.

Jepini frymëmarje pushtetit, përqëndroeni në shumë duar, çlironi dalldinë dhe depresionin kolektiv dhe pa humbur kohë ti kryeparlamentar e ti kryeministër jepni dorëheqjen e merruni me partinë. Një vit rresht vëzhgoni në distancë dhe udhëzoni pa futur hundët edhe parlamentin, edhe qeverinë, edhe reformat. Ulni tensionet dhe brengën popullore, kapërdini paprekshmërinë dhe eternitetin politik oriental e pa humbur kohë lexoni, mbani shënime, diskutoni në forumet tuaja partiake, çojani për dekretim Bujar Nishanit, votoini në parlament dhe po të jeni burra merrni sërish pozicionet në pranverën e 2017-ës në virgjile të zgjedhjeve të reja. Ja ku e keni qeverinë e re e cila duhet ti ngrohë pak shqiptarët në prag të një dimri që nuk dihet kur do të sosë…

Kryetar i Parlamentit Edmond Panariti
Kryeministër Niko Peleshi
Zëvendëskryeministre & ministre e mbrojtjes Mimi Kodheli
1. Ministër i Financave Arben Ahmetaj
2. Ministër i Brendshëm Saimir Tahiri
3. Ministër i Jashtëm Ditmir Bushati
4. Ministrie e Integrimit Europian Klajda Gjoshe
5. Ministër i Drejtësisë Nacip Naço
6. Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Elisa Spiropali
7. Ministër i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri
8. Ministër i Zhvillimit Urban Artan Lame
9. Ministër i Transportit dhe Infrastrukturës Ylli Manjani
10. Ministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural e Administrimit të Ujërave Lefter Koka
11. Ministër i Shëndetësisë Blendi Klosi
12. Ministre e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla
13. Ministre e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Milva Ikonomi
14. Ministër i Kulturës Alfred Peza
15. Ministër i Mjedisit Emiljano Aleksi
16. Ministër për Inovacionin e Administratën Publike Milena Harito
17. Ministër për Çështjet Vendore Blend Çuçi
18. Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin Ermonela Felaj
4./
Shënim i rëndësishëm/ Autorizohet qeveria e re të nxjerrë një Vendim të Këshillit të Ministrave (VKM) që pjeshkën e kafshuar Brisejda Shehaj ta bëjë komposto ndërsa trangullin e plakur Koço Kokëdhima, turshi…

fb.com/bledi.mane
instagram.com/bledimane

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: