Nga Valentina Madani

PD-ja kërkon hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në pasi, sipas nënkryetarit Edi Paloka, sa më pranë saj aq më i madh është kontrolli i institucioneve europiane ndaj qeverisë shqiptare. Z.Paloka thotë për “Gazeta Shqiptare” se PD-ja ka votuar çdo ligj të kërkuar nga BE si kusht për integrimin, përfshi këtu dhe ndryshime Kushtetuese që pa votën e PD nuk mund të kalonin. Po ai kujton se kur BE kërkonte votimin e tri ligjeve kyçe për integrimin, Edi Rama nuk i votoi deri sa erdhi në pushtet. Z.Paloka flet edhe për aksionin opozitar kundër qeverisë dhe lidhjeve me krimin dhe korrupsionin. Zyrtari i lartë i PD-së paralajmëron se pas lojës kriminale të Edi Ramës së shpejti vjen dhe surpriza e madhe e Lulzim Bashës. Edi Paloka apelon për një qeveri antimafia për zhvillimin e zgjedhjeve të lira ndërsa lidhur me mundësinë e një koalicioni me LSI-në për zgjedhjet e ardhme lokale, ai shprehet se do vendoset në momentin e duhur.

Z.Paloka edhe pak ditë na ndajnë nga vendimi i BE-së për të hapur ose jo negociatat me Shqipërinë. Cilat janë pritshmëritë e PD-së në këtë rast dhe a e meriton Shqipëria një vendim pozitiv pavarësisht tri vendeve skeptike…?
Pozicioni i PD-së lidhur me hapjen e negociatave është më se i qartë. Ne kemi kërkuar dhe kërkojmë hapjen e negociatave të BE me Shqipërinë.
Këto nuk janë deklarata sa për të larë gojën e as qëndrim prej hipokritësh siç përpiqen ta paraqesin kundërshtarët tanë. Ky është një qëndrim i bazuar në bindjen tonë se sa më pranë BE-së aq më i madh është kontrolli i institucioneve europiane ndaj qeverisë shqiptare dhe hapave që ajo duhet të ndërmarrë për ta afruar realisht Shqipërinë me BE.

Pozicionin tonë, ne e kemi vërtetuar me akte e jo me fjalë dhe këtu nuk e kam fjalën për lobimin permanent të PD-së për hapjen e negociatave, por për faktin që ne kemi votuar çdo ligj të kërkuar nga BE si kusht për integrimin, përfshi këtu dhe ndryshime Kushtetuese që pa votën e PD nuk mund të kalonin. Besoj ju e kujtoni cili ka qenë qëndrimi i Ramës në raste të ngjashme, kur BE kërkonte votimin e tri ligjeve që Rama nuk i votoi deri sa erdhi në pushtet.

Por thënë këto, sigurisht ne nuk mund të pranojmë as qëndrimin e as lojërat prej sharlatani të Edi Ramës, i cili herë përpiqet të mashtrojë, pastaj kërcënon se do shkojë tek “të tretët” e në fund ofrohet e deklaron se është gati të bëj gjithçka. Por kur thotë këtë nuk ka parasysh kushtet që i kërkon BE-ja, por “korruptimin” e Europës duke i ofruar kthimin e vendit ose në kamp refugjatesh ose në vendgrumbullim plehrash. Për Ramën është më e lehtë kjo se sa të dorëzojë Tahirin dhe Xhafajn, të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Sigurisht që për ne kjo nuk është e pranueshme.

Kjo është arsyeja që vazhdoni aksionin opozitar kundër qeverisë…?
Ne nuk mendojmë se në Europë duhet të shkojmë duke fshehur realitetin negativ, por duke e përmirësuar atë. Në Europë nuk duhet të shkojmë duke mashtruar e duke i fshehur problemet, por duke i zgjidhur ato.
Ne nuk e duam Europën në letër, formalisht, si medalje për qeverinë, por duam që Shqipëria realisht të bëhet një vend europian, që shqiptarët të kenë e të shijojnë realisht standardet dhe mirëqenien e një vendi europian. E për këtë kushtet janë, duhet vetëm vullnet politik. Vullnet që Ramës i mungon, sepse për të karrigia dhe xhepi i tij janë të vetmet që i interesojnë.

PD-ja ka ndërmarrë një fushatë denoncimesh ndaj qeverisë dhe lidhjeve të saj me krimin, duke u fokusuar më tepër në çështjen “Tahiri’ dhe ‘Xhafaj’. Në këtë betejë PD-ja doli e fituar para shqiptarëve apo u shndërrua në një opozitë e “pabesueshme”?
Detyra e opozitës është të denoncojë dhe të luftojë për qëndrimet e saj me ato mundësi që ka. Mendoj që PD-ja rolin e saj e ka realizuar plotësisht jo vetëm për rastet e fundit, por dhe në beteja të tjera të saj të vogla dhe të mëdha. Dekriminalizimi nuk do të ishte realizuar kurrë pa betejën e opozitës. Reforma në drejtësi, pa këmbënguljen e opozitës për përfshirjen e Komisionit të Venecias (i cili i dha të drejtë PD-së për gjithë ndryshimet kushtetuese), do kishte dështuar që në fillim. Fakt është që sot, me aktet që ndërmori maxhoranca duke miratuar e vetme ligje antikushtetuese, reforma ka dështuar dhe drejtësia është futur në kolaps.

Ishin denoncimet e PD-së, me fakte dërrmuese, që demaskuan strategjinë e Ramës për kanabizimin e vendit dhe blerjen e zgjedhjeve me paratë e drogës, të vërteta këto të pranuara sot ndërkombëtarisht. Mund të numëroj dhe shumë të tjera. Edhe largimi i Tahirit erdhi si rezultat i këtyre betejave, sepse ju e dini që Rama e mbrojti dhe vazhdon ta mbrojë. Sigurisht opozita nuk është as prokurori e as gjykatë që të fusë Tahirin në burg, kjo është detyrë e organeve të drejtësisë, të cilat sot janë tërësisht në duart e Ramës. Edhe për rastin Xhafaj, është denoncimi dhe gjetja e fakteve nga opozita që e diskredituan dhe Fatmir Xhafajn, por dhe Ramën që është përgjegjësi për emërimin e dy ministrave të Brendshëm të lidhur direkt me klanet dhe familjet mafioze që kontrollojnë trafikun e drogës. Sigurisht Rama me të vëllanë, janë pjesë e tyre dhe tërësisht në shërbim të tyre. Çështja Xhafaj, ju garantoj që nuk është mbyllur.

Që do të thotë…?
Kjo do të thotë që çështja Xhafaj, nuk është mbyllur.

Kreu i PD-së ka paralajmëruar një surprizë të madhe për qeverinë? Për çfarë bëhet fjalë konkretisht?

Çfarë surprize do ishte nëse unë do ju a thosha juve sot… Zoti Basha e ka bërë të qartë vetë se pas lojës kriminale që po bëhet për të shpëtuar Xhafajn duke implikuar dhe prokurorinë, tashmë të kthyer në shërbim të plotë të kryeministrit, ata do të vihen përpara një surprize të madhe lidhur me atë çështje. Duhet vetëm të presim që Rama të çojë në fund lojën e tij.

Çfarë dosjesh tjera ka në dorë PD-ja që implikon ministrat e qeverisë “Rama” me krimin dhe korrupsionin dhe kur do të bëhen publike?
PD nuk krijon dhe nuk përgatit dosje në atë kuptim që thoni ju. Ne nuk jemi as shërbim sekret e as institucion hetimi. Por sigurisht që ne denoncojmë çdo fakt që i vihet në dispozicion opozitës e që implikon qeverinë me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Në këtë këndvështrim, çdo fakt dhe dosje që do të jetë në duart tona, do të bëhet publike.
Intervistën e plotë e gjeni sot në Gsh.al në linkun http://www.gsh.al/2018/06/18/edi-paloka-pas-lojes-kriminale-te-rames-vjen-surpriza-e-madhe-e-bashes/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb