Edi Rama ka kundërshtuar faktin se ka censurë në Partinë Socialiste. Në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, kryeministri Rama është pyetur për censurën në Partinë Socialiste duke sjellë si fakt atë që ndodhi në Elbasan, ku deputetit Ben Blushi iu ndërpre fjala dhe nuk u la të flasë, ndërkohë që në mbledhjen e grupit të Partisë Socialiste, nervozizmi i kryetarit Rama bëri edhe të fluturojë një gotë me ujë.

“Nuk kam qëlluar me gotë me ujë, por kam qëlluar me armë”, tha Rama.
Por Rama ka thënë se në PS nuk ka censurë. Përsa i përket çështjes së deklaratave të bëra nga disa ministra e deputetë në Asamblenë Kombëtare, se zgjedhin Partinë para Shqipërisë, Rama e ka mohuar kategorikisht. “Nuk është e vërtetë. Asnjë deputet nuk ka thënë se do më shumë Partinë Socialiste se Shqipërinë”, ka thënë ai, duke mohuar njëkohësisht se fjalimet e deputetëve dhe ministrave në Asamble nuk janë prerë apo modifikuar nga PS.

Kryeministri ka folur edhe për incidentin me deputetin Ben Blushi në Elbasan, duke fajësuar atë vetë për reagimin që mori në këtë mbledhje. “Normal që e fishkëllyen Blushin. Unë jam deputet i Vlorës dhe nëse nuk do takoja njëherë elektoratin që më ka zgjedhur normal që do pranoja të fishkëllehesha”, ka thënë Rama.

Ai ka pranuar se e kishte të pamundur të ndalonte fishkëllimat e të pranishmëve në sallë në Asamblenë e Partisë Socialiste të Elbasanit, ku Ben Blushi nuk u la të fliste. Duke përdorur ironinë Rama tha se në atë sallë ishin kriminelë, 2800 kriminelë të ardhur nga e gjithë Shqipëria. Më pas Rama, thotë se Blushi nuk ishte i ftuar dhe se fjalimi i tij ishte jashtë programit të Asamblesë.

“Nuk kam mbajtur zgjedhje për kryetar, se Shqipëria ishte në krizë ekonomike”
Kryeministri Rama ka shpjeguar në Opinion edhe arsyen përse e ka shkelur statusin e Partisë Socialiste, duke mos bërë zgjedhje për kryetarin. Edhe pse ka përdorur ironinë duke thënë se nuk i ka lejuar zgjedhjet sepse është diktator, Rama është shprehur më tej se zgjedhjet nuk i ka mbajtur sepse Shqipëria ishte në krizë ekonomike dhe ai nuk kishte kohë ti përkushtohej një nisme të tillë brenda Partisë Socialiste.

A do të pranojë apo jo Edi Rama të mbahen zgjedhje për kryetar të Partisë Socialiste në Kongresin e datës 19 mars?
Kësaj pyetje në Opinion, Rama i është përgjigjur se këtë do ta vendosë Kongresi nëse do të ketë zgjedhje apo jo, sepse ai nuk mund ti nënshtrohet minorancës në Partisë Socialiste. Ndiqni videon se çfarë thotë Rama për zgjedhjet për kryetar në Partinë Socialiste

“Protestuesit te Liqeni? Nëse kjo është shoqëria civile, më thoni ku e ka varrin ti çoj lule”
Kryeministri Rama e ka cilësuar protestën të liqeni dhe shoqërinë civile si një shoqëri të vdekur, të cilës ka kërkuar ti vendosë një kurorë me lule në varrin e saj. Këtë deklaratë Rama e ka dhënë në Opinion ndërsa është pyetur për protestën te liqeni.

“Bulevardi do bëhet, sjellja e banorëve e papranueshme”
Një nga pikat që është prekur në Opinion ka qenë edhe protesta e banorëve që shpronësohen nga ndërtimi i Bulevardit të Ri, kur kryeministri ka thënë se ai Bulevard paçka protestave do të ndërtohet dhe nuk do të ndalohet nga sjellja e dhunshme sipas tij e banorëve që u prishet shtëpia. Ndiqni videon se si e komenton kryeministri Rama protestën e këtyre banorëve.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: