Një libër për dhjetorin e ’91-shit dhe fillimet e demokracisë shqiptare është botuar nga “Naimi”. Nën titullin “Vorbull ’91. Demokraci dhe pushtet” ai sjell fatin e një demokracie të klonuar, përmes rrëfimit të jashtëzakonshëm të gazetarit Arjan Melonashi. Kjo Shqipëri e viteve 1990-1997 që po na risjell Melonashi, është pak a shumë si Shqipëria e Kadaresë në “Vitin e mbrapshtë”: “Nise për xhenet, sose në xhenhem / Shqipëri, moj kuçkë, na bëre verem…”. Politikanë si Azem Hajdari, Gramoz Pashko, Sali Berisha, Neritan Ceka, Blendi Gonxhe, Edi Rama etj., gazetarë, drejtorë të TVSH-së, si Fatmir Kumbaro, Sefedin Çela, Hysni Lita, Skënder Buçpapaj etj., diplomatë, parti, turma të mëdha, përshkruhen me detaje mbresëlënëse, midis dëshirës për demokraci dhe ca më shumë etjes për pushtet, sundim dhe kamuflim të interesave në emër të modës dhe sloganeve të reja politike. “Gazeta Shqiptare” boton sot një pjesë nga libri, ku flitet për mitingun dhe detaje të tjera të kohës, rrëfyer nga dëshmitarët. Libri është ndërtuar nga rrëfime të dy bashkëshortëve: gazetari Arjan Melonashi dhe muzikantja Greta Aliaj (vajza e koreografit Agron Aliaj).

DITAR (i Gretës) NË KOHË TË SHKUAR
Më kujtohet fare mirë ajo pasdite dhjetori. Duhej të shkoja patjetër në Institutin e Lartë të Arteve për të dëgjuar provimin pasuniversitar të violinistit Lorenc Radovani. Për mua, që synoja të njëjtën gjë, ishte një eksperiencë që në asnjë mënyrë nuk duhej ta humbisja. Iu luta Arianit të qëndronte në shtëpi për tu kujdesur për djalin tonë dyvjeçar. Provimi u zhvillua në sallën e pedagogëve dhe binte në sy menjëherë një frymë akademizmi, rëndësi, ngrirje… Më pas, duke zbritur shkallët, vura re një dendësi të pazakonshme studentësh në sallën e bibliotekës e, si për tu çliruar nga ngrirja e pakmëparshme, u afrova. Pankarta e tym duhani, të pazakonshme, ashtu si edhe 2 gishta të ngritur lart në formë V-je e qirinjtë e ndezur. Ardian Klosi po fliste për John Lennon, vitet ’60, ’70; këndohej njëkohësisht. Pak nga pak fillova të shquaj e të kuptoj çka po ngjiste. Impresionues ishte fakti se dallova shumë pedagogë që kishin përbërë në fakt atë brez të rinjsh, në artin e atyre viteve; ata që 20 vite më parë ishin përpjekur të ndryshonin diçka e, më pas, nuk kishin guxuar më asgjë. Cili ishte J. Lennon? Për ne të tjerët, më të rinj, të rritur nën trusninë e viteve pas 73-it, pothuaj asgjë, veç një emër. Pikërisht këtu qëndronte thelbi i asaj mbrëmjeje. Sa më tepër ndizej atmosfera, aq më shumë ndihej një ndrojtje e hije frike në brezin e të rinjve të ’70. Ata u strukën, u bënë një grusht, sikur i afroheshin njëri-tjetrit në mënyrë të pandërgjegjshme, dëgjohet kjo zhurmëri rrëshqitëse karrigesh. E pazakonshme ishte mënyra se si po zhvillohej kjo mbrëmje dhe miratimi i heshtur e i ndrojtur i pedagogëve. Pra, Lennon nuk ishte gjë veç një simbol; kjo ishte ideja e vagullt që më tronditi… Aty qe edhe zv.rektorja Zana Shuteriqi, komuniste; protesta më e vogël që mund të bënte qe dalja nga salla. As këtë nuk e bëri. Nuk qëndrova deri në fund; më prisnin në shtëpi dhe, ndërsa dilja, dallova studentin e pikturës, Blendi Gonxhe, që po shpërndante “falas” fanella ku ishte stampuar portreti i J. Lennon… Provimi akademik mbeti pas, asnjë hije e tij, përveç faktit që po merrja me vete e çoja në shtëpi lajmin për një ngjarje të re e të paparë.

DITË NË VAZHDIM
Të paktën unë nuk mund ta përcaktoj me saktësi kronologjinë e atyre ditëve, as edhe vërtetësinë, pra, ishin veprime që ndodhnin apo thjesht hamendje e dëshira të shumëkujt. Një ecejake e vazhdueshme, qarkullime fjalësh, frazash. “Një student nga Tropoja, lojë e Ramiz Alisë, Pali Kuke që kërkon leje nga drejtori i TV për të shkuar e filmuar zhvillimet e ngjarjes, refuzimi i këtij të fundit, më pas një komision i ngritur për këtë qëllim, zv.drejtori Ylli Pepo ndoshta mund të bëjë diçka” etj, etj.
Krejt ndryshe nga ç’mund të ishte mendimi i përgjithshëm, në sheshin e qytetit të studentëve shkuan shumica e punonjësve të RTV. Donin ndryshimin dhe mundoheshin të kontribuonin. Në këtë atmosferë jam i prirur të mendoj se çka shkruaj më lart janë të vërteta; entuziazmi i tyre ishte ai i studentëve njëkohësisht.

MBRËMJA
Së fundi arriti ajo mbrëmje, kur, për mrekullinë e të gjithëve, një përfaqësi e studentëve nuk do të takonte, por do të bisedonte… Dhe do të bisedonte jo me Sekretarin e Parë të Partisë së Punës, por me Presidentin e vendit.
Kjo ishte përtej magjisë. Ata, që më pas u dehën pas lëshimit “pluralizëm politik”, nuk kishin kuptuar aspak, se ai ndërkaq ishte një fakt (Kujtoni fjalët e mëdha: “Lirinë nuk ua solla unë, atë e gjeta në shpatat, ushtat…”). Ishte shumë kohë më parë se studentët të niseshin në Pallatin e Brigadave; sepse ata në kërkesën e tyre e kishin hisuar, (bërë pluhur, hi) figurën e Sekretarit të parë të Partisë, kishin instauruar figurën e re, institucionin e Presidentit, çka nuk përmbahej në Kushtetutën e shtetit shqiptar. Shkuan të bisedonin me një figurë “super partes”, pra, për mbarimin e një epoke, për të nisur diçka nga e para dhe së mbari.

DHJETOR: NJË ORË MË VONË
Biseda për takimin mes një përfaqësie të studentëve dhe Presidentit, siç ka filluar të quhet Ramiz Alia, janë në gojën e mendjen e gjithkujt. Hamendjet, po ashtu. Askush nuk e di numrin e përfaqësuesve, as emrat e tyre; ca më pak se për çfarë do të flitet. Megjithatë, kurrkush nuk ngurron të të japë një përgjigje, por në çast kuptohet se ato janë vetëm ajo çka shpreson me kursim bashkëbiseduesi, i cili mund të të servirë me “kompetencë” edhe plot ëndrra, si me një gjuhë të zgjedhur e të rafinuar politike, ashtu edhe me shprehje të drejtpërdrejta, popullore… broçkulla me pak fjalë; kjo, mjaft që të kesh, apo të kesh krijuar një lloj intimiteti me të.
Orët kalojnë kështu e gjithnjë e më të shumtë janë ata që të kërkojnë një cigare: të gjithë i kanë mbaruar gati, pritja është e gjatë, tundimi i tymthithësve tepër i madh për t’u hedhur deri diku aty pranë në rrugën e Elbasanit e të blenë një paketë, e megjithatë nuk luan asnjeri.

AUTOBUSI
Me pyetjen “A keni një cigare?” fillon të fqinjërojë gjithnjë e më tepër një fjalë e vetme: “AUTOBUSI”. Eshtë gati magjike kjo fjalë, që në rrethana të tjera do të sillte shtrembërimin e buzëve tek një linguist puritan, e pakuptimtë, pa asnjë lloj ngarkese emocionale pra, për dikë që nuk ia di domethënien në atë shesh, por gjetja e një personi të tillë është e vështirë në ato momente, gati e pamundur.
Jam tek të gjithë e me të gjithë, por jo në fantazinë e tyre, megjithatë besoj krejt i bindur se askush në shqiptimin e saj nuk përfytyron diçka konkrete, materiale. Autobusi është më tepër një fill i Arianës në labirintin e komunizmit, mjeti që do të sjellë çlirimin nga Minotauri.

Pritja nuk është aq e gjatë, por duket e tillë. Qenka e thënë që vjeshta e tretë të jetë stina e Shqipërisë. Errësira pothuaj ka pllakosur dhe ankthi i pritjes ndërmjet dy gjendjeve ka bërë që të zhduket masa e kohës. Një muzg që zgjat e zgjat pa fund.

Më në fund, ai mbërriti; ose ndoshta prej shumë kohësh kishte qenë aty dhe priste. Fakt mbetet se ishte një çast i vetëm kur të gjithë kthyen kokat drejt tij. Si duket qe momenti kur muzgu po zhdukej me shpejtësi duke lënë mbrëmjen të zbriste dhe ndezja e papritur e dritave neon të “SAVIEM”-it, shkaktoi atë tërheqje të menjëhershme të vëmendjes.

Të mësuar për vite e vite të tëra me transportin e vajtueshëm urban e interurban, me ata autobusë “Skoda” e të tjera karikatura të tyre aq të shëmtuara të uzinës së Shkodrës, lyer vetëm me ngjyra të shpifura, një jeshile të errët si korridore repartesh ushtarakë, apo valixhe dërrase studentësh ruralë; të mërzitur e pa shpresë me qarkullimin qaraman e të rrallë të atyre mjeteve mesjetarë drejt periferive industriale, atë “rën-rën-rën” vajtues të motorit, të dorëzuar tashmë e të çarmatosur ndaj orareve që nuk u respektuan kurrë, indiferentë ndaj tymrave të zinj të naftës gjysmë të djegur me atë erën shpuese, të bagëtizuar në atë ngjeshjen e stërngjeshjen e pafund në rimorkiot e pluhurosura e pa të ardhme, si gra 50-vjeçare të pamartuara, me nerva të shqyera nga qëndrimi me orë në agjencitë e udhëtarëve në Elbasan, Laç apo Fier, nën zheg e pluhur, në pritje të një gërdalle të vjetër teneqesh të ndryshkura e një shoferi fodull si perëndi, për tu torturuar për gjysmë dite të tërë deri në vendmbërritje. Në përqasje me gjithë këtë, dritat e ftohta të SAVIEM-it, ishin më tepër se një simbol atje poshtë: ishin çlodhja, komoditeti, një libër i tërë shkollor për jetën, për të qenët një individ i veçantë e jo numëror në turmë, për personalitetin, krenarinë, sjelljen e mirë, atë fjalën “Zotëri” apo “Zonjë”, “Zonjushë”, “Ju lutem”, që aq shumë na mungonin e që aq të këqija na kishin shkaktuar, qoftë edhe nga mospërdorja. Kishim pranuar zhvlerësimin tonë për dekada të tëra, asgjësimin e respektit për veten dhe të tjerët. Ishim bërë “shokë”, “të barabartë”, kur nuk ishim aspak të tillë.

PËRCJELLJA E DËRGATËS
Natyrisht që qenë shumë të pakët ata që mund të dëshmojnë se çfarë ndodhi në ato 15-20 minuta. Më mirë mund të rrëfejnë ndoshta ata që qenë larg e, sidomos, ata që ndodheshin akoma më larg. Kush u ndodh afër, qe si të thuash në mes të ëndrrës, në qendër, i mbështjellë nga vorbullat e të përjetuarit të ngjarjes, të së njëjtës ngjarje që përjetonin edhe të tjerë, por nga larg, pra, më shkoqur, në po atë kuptim që një mekanizëm optik, një teleskop a një palë dylbi të bëjnë të shohësh e dallosh qartë e më me imtësi detaje kur i drejton e kërkon të shquash në largësi,… pothuaj drejt pafundësive,… ndërsa afër, të paraqesin një imazh të turbullt e lodhës deri në ankth.

Pavarësisht syve të drejtuar ngulmësisht në një pikë të vetme atje poshtë, në periferitë e kornizës së vështrimit, ndiheshin lëvizje, zhvendosje të pafundme njerëzish, që, dashur pa dashur, shkaktonin një lloj mosvëmendje, mospërqendrim, një “ëhë” pa sens si përgjigje ndaj çka dëgjoje prej shokut në të djathtë, ndërsa me vështrim rrije tretur diku larg… Minutat kalonin e, gjithnjë e më shpesh, ai spostim njerëzor niste të fokusohej. Në fillim hije të grupuara, pa ndonjë trajtë të qartë, pak më vonë grupe apo qoftë edhe një individ a dy, e përherë e më tepër në qendër, në fokus. Ndoshta ata janë përfaqësuesit, po hipin në autobus, kanë hipur, ndoshta… por jo. Asgjë nuk është e qartë ende.
Pak më vonë, silueta të gjata e të holla nën atë sfond neon dritaresh autobusi. Mundohem e ia arrij t’i dalloj: nuk janë tjetër veç krahë, duar që ngrihen për të takuar të tjera duar brenda, qoftë për t’i prekur sapak me majat e gishtave, një përpjekje për kontakt, si për të transmetuar një mesazh, një lutje, besimtarë të vërtetë që rreken të cikin gurin e Mekës së asaj mbrëmjeje, t’i përçojnë forcën e vullnetin e tyre që me rrokullimë të fshijë regjimin e vjetër… ky është interpretimi im, në mos tjetër. Ndoshta, gjithë ata që qarkojnë autobusin, duan thjeshtësisht të përshëndesin dërgatën, por mua më pëlqen ta mendoj ashtu si ngarkesa emocionale e momentit, ma dikton…

Nuk shquhet asgjë. Vetëm hijet e duarve, gishtave, zgjatur lart, deri në pamundësi, të japin të kuptosh se përfaqësia ndërkaq ndodhet aty, edhe pse me vështrim të lirë nuk duket… Për shkak të avullit që kanë zënë xhamat në dritaret e autobusit, të shpresave që ngrihen si mjegull, apo… një tisi lotësh në sytë e shumëkujt.

I gjendur në një grup të formuar afërsisht rreth një orë më parë, me Zerina e Pali Kuken si edhe miq të tyre që i njoha atë natë dhe po atë natë m’u fshinë nga kujtesa (ndoshta Nora e Kujtim Çashku), ishim kthyer e vështronim të gjithë bashkë në një drejtim.

E, pra, ndodheshim aty dhe magjepsja jonë kishte të bënte me diçka që as vetë nuk dinim ta përcaktonim: dritat e autobusit, ngrirja jonë dhe e të gjithëve përreth, apo ajo çka guxonim të ëndërronim. Nuk ishte as zili për të qenë në vendin e atyre që shkonin të na përfaqësonin, e pikërisht për këtë ishte një gjendje e çuditshme, diçka pra, që nuk provohet për herë të dytë në jetë. Askush nuk i njihte pjesëmarrësit në dërgatë, pedagogë dhe studentë thuhej. I vetmi emër që përmendej qe një Azem, Azem.. nga Tropoja. Kurrkush nuk e njihte, e në fund të fundit nuk kishte ndonjë rëndësi të madhe, përderisa nuk dihej ende në do të ishte edhe dr. Pashko në atë grup, apo jo.

DITAR (i Gretës) NË KOHË TË SHKUAR
Kur doli fjala “pluralizëm” më kujtohet që tingëllonte e çuditshme. Mundohesha ta zbërtheja, t’i gjeja kuptimin me vete, pasi më vinte turp të pyesja. Nuk shtrohej problemi që kjo fjalë do të thoshte “shumë parti”, e rëndësishme për mua ishte të gjeja rrënjët e mekanizmit, pra, mënyrën se si do të lindte e si do të funksiononte më pas…. Nuk dua të them plotësisht këtë; ishte thjesht një mani për të gjetur rrënjën e termit, ekzistencën e një korresponduese në shqip, një mënyrë për t’u familjarizuar me këtë term të ri. Ishte në një nga ato mëngjese gjithë shpresë, kur, rrugës për në Konservator, takoj Arben Imamin, atë që me siguri dinte diçka rreth atij mekanizmi e, pikërisht për këtë, më dukej e çuditshme që shkonte sërish të jepte mësim. Kujtoj si sot ku e takova. Përbri Lanës, në atë udhën plot plepa, pak përpara se te dilje në bulevard. Ish një mëngjes kristalin e plot rreze diellore. Ndjehesha krenare që rrugën po e bëja me një hero të asaj kohe. Ai ndihej më i afruar, më i ngrohtë dhe si i çliruar. Vërtet kishim interpretuar bashkë në një film (“Ballë për ballë”), por nuk kishte familjaritet mes nesh. Ai i ndrojtur e unë në atë timen, ndoshta nuk kishim folur kurrë me njëri tjetrin. “Do të më pëlqente që Shqipëria të mos shtyhej në krijimin e më shumë se 2-3 partive, do të më dukej një abuzim, për një vend kaq të vogël”, i thashë. Por ai më kundërshtoi. M’u përgjigj se sa më shumë parti, aq më mirë do të ishte për vendin.
Duke e parë gjithnjë në veshjen e një heroi, nuk guxova të këmbëngul më shumë në idenë time, por ndërkaq në mendje shihja parcela pasionesh, kokëngjeshjesh, pra, diçka që nuk do të ishte e lehte të administrohej…

ATËHERË KUR U KTHYEN
Mund të ishte rreth nëntës, kur ata u kthyen. Ndoshta gaboj sepse të shumtë ishin ata që i mbërthyen sytë orëve të dorës, për të fiksuar atë çast e për të dëshmuar më pas, për t’u treguar të tjerëve, më të vegjël se ata, që kishin qenë: që në atë orë, ata, ndodheshin në atë vend ku duhej të ishin.
Dhe pa faj. Kam ndeshur shumë syresh që kishin edhe shumë kohë më vonë, një lloj brenge në vështrim për të mos ndodhurin në sheshin e studentëve çudibërës të Shqipërisë. Kush u ndodh ndihet krenar edhe sot. Dhe me të drejtë.

Rrëzë një peme ku isha mbështetur, nuk se dukej kushedi çfarë, dëgjimi ishte i mirë (për aq sa mund të quhet i mirë një zë i ngjirur deri në humbje i një studenti më të folurën dialektore të veriut, aq e vështirë për tu kuptuar në Tiranë, ku, mirë a keq, gjuha e njësuar kishte bërë vend). Pra, dëgjimi mund të konsiderohej i mirë me vështirësi, por gjithsesi ishte pamja ajo që vlente në ato çaste, e unë, nuk mund ta rendisja veten ndër fatlumët.

Pothuaj nuk mbaj mend asgjë nga ajo bisedë mes përfaqësisë së studentëve dhe Presidentit, që na u dha e regjistruar në magnetofon, pos faktit të pranimit të pluralizmit nga ana e këtij të fundit me një qetësi, të pakuptueshme në ato momente, thënë në një të tillë mënyrë që nuk ngjalli ndonjë entuziazëm të veçantë e që, pikërisht për këtë, më çuditi.
Kam prirje të besoj se lëvizja ishte e llogaritur, por jo e llogaritur në një çfarëdolloj mënyre. (Sulm: “Po, Partia denjon të pranojë pluralizmin politik, në rregull, e pastaj? Hë ç’kërkoni tjetër?”. E, më tej, vetvetiu një stepje. Trazim i të gjithëve vetëmevete: “Me gjithë mend, çfarë kërkojmë më tepër? Çka synonim si më të vështirin e objektivave, na jepet menjëherë dhe pa luftë, pa kurrfarë kushtesh. Çfarë të kërkojmë më tepër?”).
Dhe stepja qč. Ishte politikani që kuptoi se bashkëbiseduesit mund t’i disorientonte disi, por që e ardhmja ishte e tyre patjetër, e një stepje e tillë paraprake, një e parë në sy, mësimi për të llogaritur më tepër sesa një lëvizje e kundërlëvizje si në lojën e shahut, mund t’i shërbente gjakftohtësisë së një klase të re politike që duhej të lindte më tej.

Ajo çka tjetër do të më mbetej në mend, ishte momenti në të cilin dikush informoi Presidentin se studentët mbanin të ngritur dy gishta lart dhe ai u përgjigj se ata gishta duheshin prerë. Që ishte një cinizëm i madh, nuk do shumë mend, por në kishte të bënte ky fakt me çka ngjiste në Kosovë, kjo mbeti një enigmë për mua…

Dalëngadalë, me rënien e kuriozitetit për atë bisedë, në të cilën influenconte patjetër lodhja, ai qëndrim për orë e orë në këmbë, përpjekja e 15-vjeçarëve që nuk mund të rrinin ashtu, pa lëvizur e përpiqeshin me domosdo të gjenin një shteg mes njerëzve, por shtigjet ishin vetëm ishuj balte, më të vegjlit akoma, ata që kishin ardhur me prindërit e që fillonin të grindeshin, pasi sa kohë që u kishte kaluar ora e gjumit, bashkë me tërë këto, pra, kishte arritur një pikë kulmore edhe ftohja e ngazëllimit fillestar, arsyetimi i shtruar tashmë, bluarja e sihariqit, ndërgjegjësimi për kthesën e madhe që kishte ndodhur, çka i dha shkas një entuziazmi të ri. Nuk kishte të bënte kjo me atë se çfarë kishin folur studentët në takim e ç’përgjigje kishin marrë, por thjesht me vetëdijen se ata çaste i takonin një realiteti tjetër, një ëndrre të pakmëparshme.

Më kujtohet se u përqafuam të gjithë aty, unë, Pali, Zerina, miqtë e tyre. Gjithandej ishte e njëjta skenë, i njëjti mallëngjim. Në mes errësirës dalloheshin vetëm sy që shndrisnin. Vetëm sy që shndrisnin… Ishte një magji. Pothuaj besoje që ndodheshe në botën e maçokëve…

VAZHDIM I ASAJ NATE NË DITËT QË PASUAN
Të nesërmen, ose të pasnesërmen ndoshta (ato ditë prej 8 e deri më 12 dhjetor, nuk u shtresuan por u rrokullisën në ndërgjegjen time, në po atë mënyrë që një tjegull gjatë tërmetit mund të bjerë në tokë më parë se copa e suvasë diku aty, nën dritaren e katit përdhes, por kjo nuk mund të vërtetohet logjikisht, ashtu siç është e pamundur të vërtetosh edhe të kundërtën). Në një prej atyre ditëve u shpall edhe krijimi i së parës forcë politike opozitare shqiptare: Partisë Demokratike. Ishte kumtuar një miting i madh në po atë shesh ku lëvizja kishte nisur vetëm pak ditë më parë dhe ftoheshin të gjithë qytetarët e Tiranës që të merrnin pjesë, e tiranas ose jo, u ndodhën aty.

MITINGU
Nuk kishte asnjë rrezik shiu e, megjithatë, rrugët ishin tërë baltë. Ishte pothuaj e paimagjinueshme pamja që të shfaqej para syve. Të gjithë drejtoheshin drejt pjesës juglindore të qytetit. Gati arrihej të besohej se fuqi të mistershme e mjete të panjohura kurrë, kishin bërë të mundur që stadiumi kombëtar të ishte shndërruar në Wembley o Maracanŕ-në gjigante, e të gjithë nxitonin për të shijuar një spektakël, të cilin nuk do të mund ta përjetonin më kurrë, asnjëherë: Luante përfaqësuesja e kombit kundër kampionëve në fuqi të komunizmit europian.

Krejt ashtu si në një ndeshje të rëndësishme futbolli, në çdo mes rruge, kryqëzim të tyre, në kalime të ngushta mes dy pallatesh banimi, (në suvatë e rrënuara të të cilëve medoemos gjendeshin plot sharje e afshe plot fjalë të turpshme që fillojnë me K, Q e P, përgjithësisht shkruar nga fëmijë e djem në adoleshencë që ende hiçgjë kuptojnë nga seksi, pra, ende nuk drejtoheshin kundër Komitetit Qendror të Partisë së Punës), në këto vende pra, gjendeshin forca të mëdha të policisë, të cilat kanalizonin, e me druajtje përpiqeshin të devijonin e pengonin – në atë masë që t’i jepnin njëtrajtshmëri rrjedhës – atë baticë njerëzish. Me sa dukej, duhej të ekzistonte një urdhër për të mos lejuar më kalimin drejt “Qytetit Studenti”, pas orës në të cilën ishte parashikuar të fillonte mitingu.

Nisur normalisht, me mendimin për të përshkuar një rrugë normale, u detyruam shpesh, së bashku me Gretën, të këmbejmë drejtim, pra, të dalim jashtë pjesës urbane të qytetit, diku atje mes sheshit sportiv të lagjes “Ali Demi”, ndërtesës së Ansamblit të Ushtrisë e më pas, kodrave qe te çojnë në atë anë të qytetit studentor ku ndodhet kaldaja e famshme, gërdalla e vjetër me qymyr, që nuk funksionoi kurrë për të qenë, e kështu, dashur pa dashur hyri në histori si një nga “shkaqet” e revoltës.
Falë të qenit gazetar, në mos simpatik, të paktën “jo antipatik” për gjithë sa ndesha rrugës e gjithë sa më rrethonin, munda të gjej vend e të qëndroj në sheshpushimin përkrah hyrjes së mensës që ishte improvizuar si tribunë. Së fundi, heronjtë dolën. Më treguan a me intuitë ose edhe me të dëgjuar, kuptova se kush qe Azem Hajdari, kjo nuk më kujtohet mirë. Sa për të tjerët, Gramoz Pashko, Sali Berisha, Neritan Ceka, Edi Rama, ata i njihja.

Pjesëmarrësit atje poshtë, mbanin fotografi të burrave të mëdhenj të kombit, Imzot Fan Noli, Prof. Rexhep Qosja, Kadarč. Ishte shpresa simbolike për ndërtimin e një të ardhmeje drejtuar nga urtësia, kultura, nga intelektualë në të cilët shumë më e zhvilluar është ndërgjegjja kombëtare e më të qarta janë idetë nga duhet nisur e rruga nga duhet shkelur.

DITAR (i Gretës) NË KOHË TË SHKUAR
Nuk ishte Edi Rama në tribunë; unë e mbaj mend shumë mirë se si ishte… E, do të ta tregoj se si ishte pikëllimi i syve të tij, pas meje,.. madje shumë mbrapa meje, pra, nuk mund të ishte në qendër… Më dukej çudi që unë isha para tij, që ai të shihte spektaklin ku vetë kishte qenë organizator. Nuk kishte ku të shkonte padrejtësia që i ishte bërë; Saliun nuk e kisha njohur më parë, mu desh vetëm një gjysmë ore, koha kur ata (Edi Rama, Ardian Klosi) po diskutonin për të marrë fjalën. Fjalimin e të dytit nuk do ta lexonte vetë Ardiani që ishte nip i Ramizit (Alisë) por Edi: i luteshin si fëmija, ashtu si fëmija prindit kur do të dalë e të luajë jashtë, ishin ata që me atë shpirt kishin ngritur peshë gjithë zemrat e studenteve, kur zërat e tyre kumbonin mrekullisht në atë sallë (salla e koncerteve së Institutit të Lartë të Arteve).

…mbaj mend “hapat e momës” në shtëpi. Ishte kjo “momë” që nuk e zinte gjumi, nuk i paqëtohej shpirti për vdekjen e djalit dëshmor. Ecte nëpër shtëpi,… dhe ishte Ardiani që me një shembull të tillë ngrihej kundër luftës së klasave. Kundër kujt do të ngriheshim? Kundër shpirtit të nënës të drobitur nga djali i vrarë apo edhe kundër tjetrit që kishte bredhur presidiumeve? E ky i dyti çfarë? Mund të ishte spitulluar, kishte fituar një shtëpi diku andej nga qendra e një të drejtë studimi, e më tej, çfarë më tej? Tallonin! Tallonin si gjithë të tjerët… Por ia vlente? Mund të copëtohej më tepër një zemër nëne që gjithsesi ai bir i kishte mbetur?

Revolucioni i madh që kishte nisur nuk duhet të kishte më kthim mbrapa. Dhe nëse isha kaq e zjarrtë, nëse nuk më bënin më përshtypje policët që ishin të tmerrshëm në rrugicat me baltë… Nuk më mbante më mua asnjë gjë, sepse ishte shumë e bukur ajo që po niste, sepse kisha një shpresë për një gjë të mrekullueshme që kishte dalë papritur. Shtatzënë me binjakët, i kemi bërë ato rrugica me baltë e plot policë ngado, për në qytetin “Studenti”. Si sot e mbaj mend. Si më kishte gjetur ajo kohë, pse çapitesha e nuk ecja, nuk e dija akoma…. Dhe përpara dëshirës për të folur në këtë miting, nuk mund ta aprovoja kurrsesi mohimin, atë JO-në naziste që i bëri atyre ky njëri (Sali Berisha) që më kujtonte papërkulshmërinë e skulpturave socialiste nga fillimi e deri në fund.

E, që nga ai moment, ky njëri që sapo e kisha njohur, nuk do të hynte më në ndjesitë e mija. Gjithçka që ndodhi më pas, fjalimet, frika e tribunarëve, megjithëse zhvillohej fare afër, nuk depërtonte më tek unë, u shemb…

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb