ELBASAN-Nëse më bëjnë kërkesë për t`u rikthyer në polici, do e mirëpres me kënaqësi”. Kështu u shpreh dje ish-kreu i Policisë së Elbasanit, Edmond Koseni, i cili është pezulluar nga detyra që prej vitit 2001. Pas informacioneve se ish-drejtori i Policisë së Elbasanit mund të kishte marrë një urdhër për t`u rikthyer sërish në radhët e uniformave blu, “Gazeta Shqiptare” kontaktoi vetë me Kosenin dhe ai sqaroi se akoma nuk ka marrë një urdhër të tillë. “Unë jam duke punuar në fabrikat e çimentos në Peqin dhe nuk di gjë për një urdhër të tillë. Mua personalisht askush nuk më ka thënë asnjë fjalë për t`u rikthyer sërish në radhët e policisë”, sqaron në një komunikim telefonik Koseni. I pyetur nëse do të pranonte të rikthehej sërish në polici, ai ka shtuar se do e mirëpriste me kënaqësi një urdhër të tillë.

“Zoti Koseni, nëse juve ju bëjnë një kërkesë për t`u rikthyer në polici, si do e prisnit? Padyshim që do e mirëprisja një kërkesë të tillë. Unë i kam mbyllur të gjitha problemet që kisha me ligjin dhe kam fituar çdo përballje ligjore, kështu që nga kjo pjesë jam në rregull. Unë jam gati për t`u rikthyer në radhët e policisë. Madje, atë po pres që të më thonë se do të kthehem një ditë. Por, deri tani nuk më kanë thënë asgjë”, pohon për ‘GSH’, Edmond Koseni. Ai u bë i famshëm dhe tepër i njohur si një nga drejtuesit më aktivë të policisë shqiptare gjatë periudhës kur vendi ynë u përfshi nga trazirat e vitit 1997 e më tej. Emri i Kosenit u theksua më shumë në kohën që ai u shpalli luftë të jashtëzakonshme bandave të armatosura dhe sidomos atyre të Shqipërisë së Mesme. Në vitin 2001 Koseni u pezullua nga radhët e policisë, pasi ndaj tij u renditën një sërë akuzash të kryera gjatë ushtrimit të detyrës si drejtues policie. Në vitin 2012, pas 11 vitesh betejë për drejtësi me shtetin shqiptar, Edmond Koseni u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Apelit në Tiranë për të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij.

(d.b/AuroraKoromani/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: