Nga: Roland QAFOKU

Kishte kohë që dukej gjithnjë e më pak. Fliste rrallë në Parlament. Nuk mbahet mend kur kishte dalë për herë të fundit në foltoren e PD-së. Medias kishte kohë që i kishte bërë bllok. Dhe ja kur erdhi dita dhe shpërtheu: “Boll më!” Nuk tha se ishte i lodhur si Besnik Mustafaj. Nuk shkoi ambasador në NATO, si Leonard Demi apo ambasador në Vjenë, si Vili Minarolli. Nuk bëri si Ilir Rusmali që refuzoi të ishte delegat në Tepelenë. Nuk bëri si Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Arben Imami që krijuan grupimin për rrëzimin e kryetarit se kishte shkelur statutin. Eduard Halimi iku nga PD-ja dhe ky është një lajm i trishtë. Djaloshi që e nisi nga zero, por me durimin e pikës së ujit arriti të bëhej jo thjesht një ministër i radhës i Drejtësisë. Jo vetëm se ishte ndër më jetëgjatët këto 28 vjet, në këtë detyrë. Por se krijoi një format, duke u kthyer një nga zërat autoritarë të PD-së, në fushën e jurisprudencës. Por, ai iku. Iku për një projekt, – thotë, por në PD dhe jashtë saj, e dinë mirë “projektin” e tij. Po e themi troç: Eduard Halimi iku se ishte i pakënaqur. Dhe jo vetëm kaq, por mbi të gjitha, ishte i pashpresë me këtë politikë që po ndiqej në Partinë Demokratike. Duket se marrëveshja e 18 majit 2017 mes Bashës dhe Ramës, ishte uji që s’mbante më ena dhe ai iku. Në statusin prej 20 radhë kompjuterike, veçohet paragrafi i arsyes së dorëzimit të mandatit:

“Sot kam dorëzuar mandatin e deputetit, pasi nga nesër i përkushtohem një projekti të së drejtës ndërkombëtare private, në një network në Ballkan, projekt që është afatgjatë dhe kërkon që vendimin ta marr sot”.

Por nëse Eduard Halimi do të ishte një zë i vetëm aty i ikur, ky nuk do përbënte ndonjë problem. Por radha e të ikurve nga kjo parti, tashmë që ka krijuar një ushtri, është kthyer në një çështje jo vetëm e mungesës së identitetit, por edhe zërit të fortë autoritar dhe profesional. Është ushtria e të ikurve, por më shumë se kaq, është ushtria që, në rastin më të mirë, ka lënë vakuum dhe në rastin më të keq, është zëvendësuar me një ushtri që nuk ngjall shpresë.

Nuk është më në PD, Besnik Mustafaj. Shkrimtari, diplomati dhe ministri i Jashtëm, që u lodh nga gërr-mërret e politikës së ditës, po i përkushtohet një projekti tjetër. Sa ndryshe do të ishte PD-ja, nëse Mustafaj do të ishte ende pjesë e strukturave të saj!

Nuk është më në PD, Myqerem Tafaj. Porfesori i urtë, potenciali shkencor që la auditorët në Gjermani, për të qenë pjesë e PD-së dhe që realizoi reformën më të madhe në arsim, po i përkushtohet një projekti tjetër. Sa ndryshe do të ishte PD-ja, nëse Myqerem Tafaj do të ishte ende pjesë e strukturave të saj!

Nuk është më në PD, Preç Zogaj. Një nga themeluesit, zëri më elokuent dhe më prodhimtar i këtyre 28 viteve. Herë afër e herë larg, tani nuk është fare as në korridore e as në paradhomën e kryetarit. Edhe Preç Zogaj po merret me një projekt tjetër. Sa ndryshe do të ishte PD-ja, nëse Preç Zogaj do të ishte ende pjesë e strukturave të saj!

Nuk është më në PD, Jozefina Topalli, gruaja që si kryetare e Kuvendit, arriti detyrën më të lartë në historinë e shtetit shqiptar, pas 93 vjet shtet. Edhe ajo pasi nuk u vendos në lista, po i përkushtohet një projekti tjetër. Sa ndryshe do të ishte PD-ja, nëse Jozefina Topalli do të ishte ende pjesë e strukturave të saj!

Nuk është më në PD, Ilir Rusmali, juristi nga mendja e të cilit janë hartuar sa e sa ligje dhe ministri që dha modelin se detyra e lartë nuk është pronë, por detyrim. Ai dha dorëheqjen për një arsye të rrallë dhe që nuk kultivohet në politikën tonë, për moral. Por edhe ai po i përkushtohet një projekti tjetër. Sa ndryshe do të ishte PD-ja, nëse Ilir Rusmali do të ishte ende pjesë e strukturave të saj!

Nuk është më në PD, Vili Minarolli, politikani i urtë, që zgjodhi diplomacinë në vend të pushtetit të madh që mund të kishte këtu. Sa e sa beteja bëri në opozitë dhe habiti të gjithë që nuk lakmoi fare pushtet. Sa ndryshe do të ishte PD-ja, nëse Vili Minarolli do të ishte ende pjesë e strukturave të saj!

Nuk është më në PD, Arben Imami që, në CV e tij ka detyrën e bashkëkryetarit për hartimin e kushtetutës. Një nga themeluesit e PD-së, edhe ai tashmë po i përkushtohet një projekti tjetër. Sa ndryshe do të ishte PD-ja, nëse Arben Imami do të ishte ende pjesë e strukturave të saj!

Nuk është më në PD, Fatos Beja, politikani i urtë që ndershmërinë dhe karakterin, dukej sikur i kishte vënë në hipotekën e politikës së vet. Kontribuuesi dhe njeriu që mençurinë dhe qetësinë, e vinte në punë sa herë që kokë nxehtët e PD-së, e nxirrnin partinë jashtë orbitës normale. Sa ndryshe do të ishte PD-ja, nëse Fatos Beja do të ishte ende pjesë e strukturave të saj!

Nuk është më në PD, Astrit Patozi, politikani që i dha zërin e merituar kësaj partie dhe i vetmi që u bë “alteregoja” armike e Ben Blushit socialist, në Parlament. Nga të rrallët gazetarë që e nderoi median si një produkt i saj! Sa ndryshe do të ishte PD-ja, nëse Astrit Patozi do të ishte ende pjesë e strukturave të saj.

Nuk është në PD, Ritvan Bode, ekonomisti që u bë zëri i vetëm në PD-në e 1996, që i tha jo fajdeve, pavarësisht se nuk u dëgjua. Ministri i Financave që, ndonëse pati problemet e veta ekonomike, ishte potenciali më cilësor i të djathtës. Sa ndryshe do të ishte PD-ja, nëse Ritvan Bode do të ishte ende pjesë e strukturave të saj!

Nuk është më në PD, Genc Ruli. Një nga themeluesit e kësaj partie dhe padyshim një nga ekspertët dhe ekonomistët më të spikatur, në politikën 28-vjeçare të Shqipërisë postkomuniste. Sa ndryshe do të ishte PD-ja, nëse Genc Ruli do të ishte ende pjesë e strukturave të saj!

Nuk është më në PD, Leonard Demi. Politikani që vuajti më shumë opozitën dhe kurrë nuk mori pushtet, kur PD-ja u rikthye në pushtet. Kurrë nuk përfitoi nga angazhimi i tij në 28 vjet në politikë! Por edhe ai iku. Më parë ambasador në NATO dhe tani në një projekt tjetër. Sa ndryshe do të ishte PD-ja, nëse Leonard Demi do të ishte ende pjesë e strukturave të saj!

Kjo është lista e disa prej më të spikaturve, që nuk janë në PD, “për t’u marrë me një projekt tjetër privat”. Nuk është e nevojshme të bëjmë listën e atyre që janë aktualisht në PD dhe që kanë zëvendësuar të ikurit. Në fakt, në PD ndodhen shumë të tjerë, të rinj dhe të vjetër në moshë, vajza dhe gra. Vetëm një dallim ka mes këtyre që janë dhe atyre që kanë ikur: Këta që janë aktualisht në PD, nuk kanë projekte. As aty në PD./Albanian Free Press

Etiketa: