Rënia e valutave në tregun e brendshëm ka vijuar me shpejtësi edhe gjatë ditës së sotme. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 132.64 lekë, me një rënie prej 0.19 lekë, në raport më një ditë më parë, duke shënuar të dytën javë radhazi vetëm me rënie.

Sjellja e euros ka qenë krejt e kundërt me bursat, ku euro u forcua sot ndaj dollarit me 0.29%, duke arritur në 1.248 USD, niveli më i lartë në tre vjet.

Rënia e euros në tregun e brendshëm, ndërkohë që ajo është rritu rnë bursa, ka tërhequr dhe dollarin, i cili në tregun e brendshëm është zhvlerësuar sot me 1.23 lekë, për të arritur në 106.26 lekë. Ky është niveli më i ulët i monedhës së gjelbër në Shqipëri, që nga shtatori i vitit 2014.

Ekspertët e agjencive më të mëdha të këmbimit valutor në vend, të kontaktuar nga Monitor, pohuan se arsyeja kryesore e kësaj rënieje të vazhdueshme lidhet me efektin psikologjik të deklarimeve të Bankës së Shqipërisë për fushatën që ka ndërmarrë për të ulur përdorimin e euros në ekonomi.

“Vijnë e më pyesin shumë njerëz se cfarë do të ndodhë dhe nuk e kuptojnë realisht se çfarë do të ndodhë, por kanë dëgjuar deklarimet në media të Bankës”, thonë një prej ekspertëve. Ai thotë se shqetësime kanë ngritur edhe emigrantët, të cilët marrin të afërmit e tyre në telefon, ndërsa ka dhe nga ata që duan të kthejnë depozitat në lekë.

Ekspertët kanë konstatuar se së fundmi rritur numri i atyre që kërkojnë të spekulojnë me kursin për të përfituar nga luhatshmëria e ditëve të fundit.

Efekti psikologjik i shtohet faktit që shkurti është përgjithësisht një muaj i dobët për qarkullimin në ekonomi, duke ndikuar në një kërkesë të ulët për valutat.

Banka e Shqipërisë ka nisur së fundmi një fushatë për uljen e përdorimit të euros në ekonomi, që tek ne konsiderohet shumë e lartë. Aktualisht rreth 53% e kursimeve të shqiptarëve janë në valutë, kryesisht euro, ndërsa gjysma e stokut të huasë së dhënë është në valutë.

Gjatë një konference për shtyp ditën e djeshme, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se Procesi i de-euroizimit nuk është luftë ndaj euros por stimulim për përdorimin e monedhës kombëtare për të rritur fleksibilitetin e politikës monetare. Lidhur me një ndikim të mundshëm mes masave të Bankës së Shqipërisë dhe kursit të këmbimit, Sejko tha se psikologjikisht mund të ketë interes për të ditur më shumë.

“Psikologjikisht nga ana e eksportuesve që kanë marrëdhënie tregtare dhe kryejnë shkëmbime në euro si dhe individët që kanë të ardhura nga puna apo remitancat në këtë monedhë mund të ketë një interes më të madh për ndikimet. Por këto janë masa rregullatore dhe nuk prekin kursin sepse ai caktohet nga regjimi i lirë”, nënvizoi Sejko./monitor/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb