TIRANE- Biznesmeni amerikano-libanez, Faad Mitri, i dhunuar barbarisht në rrugën e Rinasit është detyruar sot të kthehet për një arsye të trishtë në Tiranë, humbjen e nënës. Rikthimi i Mitrit ndodh vetëm pak javë pasi ai u detyrua të largohej me barrelë nga Shqipëria si pasojë e dhunës të ushtruar ndaj tij nga 3 persona.

 

“BalkanWeb” ka siguruar sot videon e mbërritjes së biznesmenit libanezo-amerikan në Tiranë, ku Mitri, si pasojë e dhunës ndaj tij, shfaqet mbi një karrocë invalidi me rrota dhe i shoqëruar nga disa roje sigurie.

Videoja është regjistruar afër Bllokut në Tiranë, ku Mitri siç edhe shihet në pamje, shoqërohet për të hipur në një makinë për të shkuar në ceremoninë e lamtumirës së nënës së tij, ceremoni që u zhvillua në ora 11:00 në Kishën Orthodhokse, për të vijuar më pas me atë pranë varrezave të Tufinës. Ndërkohë në një prononcim për mediat pas ceremonisë mortore, Mitri tha prerazi se nuk do të rrijë më këtu.

Gjithashtu biznesmeni amerikano-libanze sqaroi se nuk ka folur më me autoritetet shqiptare që nga data 14 Shtator kur edhe u dhunua dhe siç shtoi, nuk është në dijeni nëse ka ndonjë të ndaluar. “Fatkeqësisht nuk do të qëndroj më në Shqipëri, tashmë e kam lënë. Jo nuk kam folur me autoritetet shqiptare, hera e fundit ka qenë në datën 14 Shtator, kur policia më mori dëshminë. Nuk jam në dijeni që autorët janë ndaluar”, – tha Faad Mitri në një prononcim të shkurtër për gazetarët.

Biznesmeni 55-vjeçar amerikano-libanez do të ndërtonte një kompleks gjigand prej 450 milionë dollarësh në Gjirin e Lalzit, por u tërhoq nga ky projekt pasi u dhunua barbarisht nga tre persona në rrugën e Rinasit, të cilët edhe i kanë kërkuar të tërhiqet nga investimi.

Edhe kompania e tij, Omnix Albania deklaroi se tërhiqej nga ndërtimi i kompleksit turistik në Gjirin e Lalzit dhe nga çdo investim tjetër në Shqipëri, pas aktit të rëndë kriminal ndaj Mitri. Sipas kompanisë, ky projekt gjigand synonte të hapte rreth 1200 vende pune deri në vitin 2018.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb