Situata te skuadra e Kukësit është në një gjendje “tranzicioni”. Shumë largime dhe afrime pritet të ndodhin te verilindorët. “Peshku” i parë i madh është pikërisht trajneri, Milinkoviç, i cili është pothuajse i shkarkuar. Rezultatet jo pozitive kanë qenë një zhgënjim i madh për presidentin Gjici, të cilit tashmë i ka sosur edhe “durimi” me trajnerin dhe pritet që nesër ose në ditët në vijim të bisedojë me teknikun serb, me qëllim prishjen e kontratës.

Aktualisht, po përflitet për shumë emra të njohur trajnerësh që mund të marrin drejtimin e verilindorëve. Armando Cungu dhe Ivan Gvozdenoviç janë emrat që përfliten më shumë në media si zëvendësuesit e Milinkoviç, por trajneri i ri mund të jetë një emër surprizë. Burime për “BalkanWeb” pranë klubit të Kukësit bëjnë me dije se kandidati më potencial për të marrë drejtimin e verilindorëve është pikërisht Artan Mërgjyshi. Madje midis trajnerit dhe drejtuesve të klubit kanë nisur edhe bisedimet për të arritur një marrëveshje të përbashkët midis tyre.

Pritet që në ditët në vijim të arrihet edhe marrëveshja, por gjithçka ngelet në dorë të trajnerit Mërgjyshi, nëse do pranojë apo jo të marrë drejtimin e Kukësit, pasi është një zgjedhje e vështirë sepse skuadra kuksiane ndodhet në një gjendje krize, nga ku duhet një “dorë e hekurt” për t’a rikthyer aty ku synon presidenti Gjici.
Traineri i Dinamos Artan Mergjyshi, gjate ndeshjes se futbollit, Dinamo-Flamurtari i Vlores, 1-1, e vlefshme per Kampionatin Kombetar, e luajtur ne stadiumin, Qemal Stafa ne Tirane.
Kujtojmë që Mërgjyshi është një trajner i njohur në futbollin shqiptar, madje më parë ka drejtuar edhe Dinamon, ndërsa në Superiore ka drejtuar edhe skuadra si Kastrioti, Besa, Apolonia dhe Korabi.
(i.ç/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb