Jo pak bujë bëri arritja e akordit mes Kukësit dhe trajnerit austriak Peter Pakult. 58-vjeçari kroat me një CV të pasur në karrierën e tij si trajner mund të konsiderohet një zgjedhje e goditur për stolin e verilindorëve. Por ky është vetëm fillim i një revolucioni për ekipin kampion në fuqi, pasi priten edhe afrime cilësore në ekip.

Kujtojmë që skuadra verilindore ka lënë tashmë Shqipërinë dhe ka udhëtuar drejt Antalias, ku do të zhvillojë fazën përgatitore deri më 16 janar. Stafi i ri i ekipit kampion ka zbardhur listën e lojtarëve, të cilët janë në dispozicion të trajnerit Peter Pakult në këtë periudhë. Janë edhe shumë lojtarë të rinj, të cilët do të vëzhgohen nga trajneri i ri. Por te Kukësi priten edhe disa përforcime cilësore.

Goditja e parë e merkatos ishte Donjet Shkodra. Burime për “BalkanWeb” pranë klubit verilindor bëjnë me dije se Pakult kërkon afrime cilësore në ekip dhe ka piketuar edhe emrat që dëshiron të afrojë në ekip duke i dorëzuar një listë drejtuesve të klubit. BalkanWeb mëson se midis tyre gjendet edhe emri i sulmuesit Hamdi Salihi. Një njohje e vjetër e trajnerit austriak. Kujtojmë që Pakult ka drejtuar më parë edhe Rapidin e Vjenës, skuadër me të cilën ka luajtur edhe sulmuesin Hamdi Salihi. Peter Pakult ka qenë ish-trajneri i tij te Rapidi i Vjenës në vitet 2009-2011.

Kujtojmë që Pakult ka qënë ai që e ka transferuar atë te Rapidi i Vjenës, pasi e ka vëzhguar te Riedi, por edhe kur luante te Tirana, madje ka ardhur ta ndiqte në një ndeshje derbi Tirana-Partizani.

Aktualisht Salihi luan në kategorinë e dytë të kampionatit austriak, me Neustadt, ku ka shënuar 15 gola në 20 ndeshje. Vështirë se do të pranojë ofertën e trajnerit austriak, cili i ka dërguar edhe mesazh sulmuesit duke i shprehur dëshirën për të nisur një aventurë së bashku të Kukësi. Por Salihi ka kujtime të hidhura me Kukësin. Kujtojmë që sezonin e kaluar ai i dha fund aventurës së tij në futbollin shqiptar pikërisht në ndeshjen vendimtare për titullin kampion atë mes Kukësit dhe Skënderbeut, ndeshje aq shumë e kontestuar për gjykimin, aq sa Salihi i mori kartoni gjyqtarit Enea Jorgji dhe ia grisi në formë proteste. “Për të ardhmen time në futbollin shqiptar, besoj se ky ishte fundi për mua. Nuk besoj se do të vazhdoj më këtu”, këto ishin fjalët e sulmuesit shkodran pas asaj ndeshje. Gjithsesi në futboll nuk ‘vdes’ asnjëherë shprehja: Kurrë mos thuaj kurrë!
(I.Ç/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb