*Sekuestrohen kamerat e disa bizneseve
* Nje person i shoqeruar

TIRANE- Persona ende të paidentifikuar i kanë vendosur një sasi lëndë plasëse një automjeti. Burime nga Policia e Tiranës bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:05 të mëngjesit të sotëm në rrugën ‘Kongresi i Manastirit’.

Nga shpërthimi ka pasur dëme të vogla materiale. Mësohet se lënda plasëse është vënë në mjetin autobus tip “Setra”me targa AA 940 CG, në pronësi të Edmond Rexhepit, ndërsa nuk dihen ende motivet e kësaj ngjarje.

Mësohet se autobusi përdorej për shërbime funerale nga dy vëllezërit Rexhepi, ndërsa lënda plasëse ishe vendosur në njërën nga rrotat e pasme. Burime policore pohojnë se eksplozivi ka qenë me fitil dhe nga shpërthimi janë dëmtuar xhamat e një shtëpie përballe. Sakaq, policia ka sekuestruar kamerat e disa bizneseve aty pranë, ndërsa nga errësira duket vetëm hija e një njeriu me kapele. Ndërkaq, policia ka shoqëruar një person si të dyshuar, që është banor i lagjes.

“Më datë 25.08.2016, rreth orës 04:05, në rrugën “Kongresi i Manastirit”, në mjetin autobus tip “Setra”, në pronësi të shtetasit E. R., persona të pa identifikuar kanë vendosur një sasi me lëndë plasëse e cila ka shpërthyer duke shkaktuar dëme të vogla materiale. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.”, citohet në njoftimin e Policisë.

Televizioni Klan ka siguruar pamjet e një prej kamerave të sigurisë që ka fiksuar autorin dhe të gjithë dinamikën e ngjarjes.

Siç shihet në video, reth orës 03 e 35 një person me pantallona treçerekshe vjen nga pjesa juglindore e rrugës dhe i afrohet autobusit të parkuar tek pjesa e gomës së mbrapme.
Ulet dhe tenton të ndez fitilin e kallëpit të tritolit, proces ky që i merr 34 sekonda dhe largohet menjëherë në drejtimin që kishte ardhur.
Dy minuta më pas tritoli i vendosur në pjesën e sipërme të gomës ka shpërthyer duke shkaktuar dëme materiale në autobus, në një automjet të parkuar në rrugë, si dhe ka thyer xhamat e apartamenteve të katit të parë.
Policia pas marrjes dijeni ka shoqëruar në Komisariatin 4 një person që udhëtonte me biçikletë në rrugicat që të nxjerrin pranë ish profarmës.

Hetimet janë përqendruar në një konflikt për shkak të konkurencës në biznes ndërsa pronari i autobusit shtetasi E. Rexhepi mohon të ketë konflikte.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb