Shpërthimi i 400 gramëve tritol në farmacinë e Bashkim Tahirit, babait të ministrit të Brendshëm, është aktivizuar me celular nga zona e Linzës.

Po nga i njëjti numër telefoni që aktivizoi shpërthimin e farmacisë, janë bërë 2 thirrje në telefonin e lidhur me 400 gramë të tjera tritoli, në trotuarin pranë të stacionit të autobusit të unazës në rrugën “Muhamet Gjollesha”.

Atentatori ka përdorur tre karta telefoni, të cilat janë blerë në Laprakë. Burimet thonë se, dy numra janë blerë më datë 31 janar dhe numri tjetër me datë 2 shkurt. Të tre këto numra, sipas hetuesve figurojnë të regjistruar në emër të personave që nuk kanë lidhje me ngjarjet. Dyshohet se punonjësit e këtyre pikave të shitjes, i kanë regjistruar këto numra në formularin e blerjes pa dijeninë e personave të shënuar si blerës.

Për këtë fakt, deri në orët e para të mëngjesit, policia ka shoqëruar shitësit e këtyre pikave dhe personat në emër të cilëve figurojnë numrat, por nuk ka zbuluar ende ndonjë të dhënë. Ndërkohë, janë sekuestruar pamjet e kamerave te sigurisë në datat kur janë aktivizuar numrat për të parë nëse mund të identifikojnë blerësit e vërtetë.

Me ndihmën e kamerave të sigurisë së bizneseve apo edhe Bashkisë së kryeqytetit, prokuroria ka arritur të zbardhë të gjithë intinerarin e ndjekur nga personi që ka vendosur sasite e tritolit.

Hetuesit thonë se personi që po shihni në foto ka zbritur nga Linza në ora 02:23 minuta dhe është afruar pranë farmacisë. Kamerat e biznesit ngjitur kanë filmuar lëvizjet, nga te cilat duket se ai fillimisht parkon biçikletën, nxjerr nga poshtë xhupi lëndën plasëse, aktivizon telefonin dhe më pas e vendos atë sipër kondicionerit të farmacisë. Pas këtij veprimi, ai merr biçikletën dhe zbret për në drejtim të Unazës, duke përfunduar brenda pak minutave i pa shqetësuar në stacionin e autobusit në rrugën “Muhamet Gjollesha”.

Aty parkon biçikletën, vendos lëndën plasëse dhe largohet për t’u kthyer përsëri në zonën e Linzës. Në orës 02:50 minuta ai ka bërë thirrjen në telefonin e lidhur me tritolin e vendosur në farmacinë e Bashkim Tahirit duke aktivizuar shpërthimin. Pak sekonda më pas, rezulton se ka bërë thirrjen edhe në numrin e vendosur në sasinë e tritolit në rrugën “Muhamet Gjollesha”. Ekspertët thonë se nga nxitimi ka lëvizur kapsolla me qarkun elektrik të lidhur me baterinë e telefonit, duke dështuar shpërthimin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb